Pothuajse e pabesueshme

Kolona gjeologjike jep një vegim të historisë së planetit, por mezi arrin të japë idenë e kohës jashtëzakonisht të gjatë që ka rrjedhur, të shumicës së organizmave të gjallë që janë shfaqur e janë zhdukur, të peizazheve të lashta që nuk ekzistojnë më. Pas emrit të çdo periudhe gjejmë një histori aq të ngatërruar, sa mezi mund të kuptohet dhe aq të çuditshme, sa pothuajse duket si e pabesueshme.

Cili është kuptimi i këtyre emrave të çuditshëm: Kembriane, Devoniane, Triasike, Eocene, Pleistocene? Ato tregojnë funde detare që janë ngritur derisa janë bërë Alpe, Himalaje, Male Shkëmbore… Shtresa akullnajore mbi luginat e Misisipit, mbi Francën veriore, mbi Gjermaninë e mbi Kongon… Lumenj që transportojnë në mënyrë të pandërprerë copëra shkëmbore dhe që i grumbullojnë ato derisa formojnë shtresa prej disa kilometrash të trasha… Male nëndetare, humnera të thella oqeanike që përgatisin tërmetet… Grënlandën dhe Antarktidën, zona me diell ku valëviten palmat… shndërrimin e ngadaltë, të pashmangshëm, të lëndës në zemër të maleve… Dhe kudo, mbi planet, forma të jetës, që shumëzohen, që luftojnë, që shndërrohen derisa arrijnë në ato që shohim ne sot, në shekullin XXI, që nuk është veçse një fraksion i sekondës, i matur me orën e gjeologjisë, akrepi i së cilës tregon për Tokën akoma një orë të agimit të saj.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]