Projekti Mohol

Fatkeqësisht kufijtë e mbulesës shtrihen nga 25 deri në 40 kilometra nën sipërfaqen e kontinenteve. Meqenëse shpimi më i thellë i kryer nga njeriu, një pus nafte në Teksas, është pak më shumë se gjashtë kilometra e gjysmë, mundësia për të shpuar një thellësi 25 kilometra ose më shumë duket shumë e largët. Por studiuesit e oqeaneve, me ndihmën e valëve sizmike, kanë mundur të provojnë se kufiri i mbulesës gjendet vetëm pak kilometra nën fundin e disa prej humnerave më të thella oqeanike në qoftë se do të mund të kryhej një shpim, qoftë edhe disa kilometra thellë nga sipërfaqja e këtyre humnerave oqeanike, mbase mbulesa do të mund të arrihej.
I ashtuquajturi projekti Mohol do të mund t’u përgjigjej shumë pyetjeve. Pjesa e brendshme e mbulesës do të jetë vallë e përbërë po nga ato materiale nga të cilat është e përbërë edhe korja? Do të jetë shndërruar në ndonjë farë mënyre nga nxehtësia e nga presioni apo do të jetë absolutisht e ndryshme në përbërjen e saj kimike? Këto janë pyetje që paraqesin një interes të madh për shkencën. Në qoftë se temperatura e mbulesës do të ishte e ndryshme në nivele të ndryshme, ajo do të mund të tregonte nëse ka me të vërtetë rryma konveksioni në brendësi të planetit e nëse rryma të tilla mund të ndikojnë në magnetizimin e Tokës, në formimin e malësive, bile edhe në formimin e kontinenteve. . Kampionet e nxjerra nga korja e Tokës nëndetare mund të përbëhen nga materiale që kanë ndryshuar sado pak që nga koha kur është formuar korja, miliarda vjet më parë. Provat e radioaktivitetit në qoftë se ekziston në këto materiale, mund të përcaktojnë moshën, domethënë mund të thonë me saktësi se kur është formuar korja. 1300 ose 1000 metra fundërrime të pacenuara të fundit oqeanik mund të përmbajnë në vetvete tërë historinë e Tokës që nga lindja e saj. Fosilet e masave fundërresore mund të tregojnë se kur u duk forma e parë e jetës në det. Mineralet magnetike na japin të dhëna mbi zhvendosjet e poleve dhe, mbase, të prejardhjes së kontinenteve. Diferenca ndërmjet shtresave të fundërrimeve mund të japë të dhëna mbi rrymat detare dhe mbi klimën në epokat e kaluara. Materialet meteoritike në fundërrimet do të kenë interes të veçantë për astronomët. Copërat shkëmbore dhe metalike të ardhura nga hapësira kanë rënë në dete, duke u grumbulluar në fundërrimet që kur lindi Toka: ato mund të thonë shumë gjëra mbi ngjarjet më fillestare që kanë ndodhur në tërë sistemin diellor. Projekti Mohol do të zbulojë mbase edhe nëse Toka, në fillim në gjendje të shkrirë, e ka formuar vonë koren si rezultat i ftohjes apo ka qenë një sferë lënde të ftohtë që u bë gjithnjë e më e madhe e më e ngrohtë dora-dorës që forca e gravitetit i tërhiqte këto materiale. Kampionet e grumbulluara me anë të projektit Mohol do të jenë materialet më interesante të studiuara deri më sot.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]