Pushtimet e para osmane në Shqipëri
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve 80 të shek. XIV. Të udhëhequra nga bejlerbeu i Rumelisë, Timurtash Pasha, në vitin 1385 ushtritë osmane, pasi morën Sofjen, u futën në Shqipëri dhe pushtuan qytetet e Shtipit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit. Në dokumente perëndimore dhe osmane të shek. XIV-XV për qytetet e Shkupit, të Manastirit, të Kosturit, të Janinës etj., si dhe për Fushë-Dardaninë shprehimisht është shënuar se ato ishin “në Shqipëri” apo “në tokat shqiptare”.
Në muajin gusht të vitit 1385 Balsha II i shkruante Republikës së Venedikut se zotërimet e tij ishin nën sulmet e përditshme të ushtrive osmane dhe se ato kishin shkaktuar një pështjellim të madh te nënshtetasit e tij. Kur Balsha II ishte i zënë në konflikt me mbretin e Bosnjës, Tvërtkon (1376-1391), për çështjen e zotërimit të Kotorrit, një ushtri e fuqishme osmane, e komanduar nga Timurtash Pasha, në shtator të vitit 1385 u fut me shpejtësi në thellësi të tokave shqiptare. Balsha II së bashku me një grup fisnikësh të udhëhequr prej tij, mobilizuan me shpejtësi një pjesë të ushtrisë dhe u dolën përpara osmanëve në fushën e Savrës (pranë Lushnjës). Në betejën e Savrës, që u zhvillua më 18 shtator 1385, forcat ushtarake shqiptare u thyen dhe vetë Balsha II gjeti vdekjen. Fitorja e betejës i dha mundësi ushtrisë osmane që të pushtonte Beratin, Krujën etj., të cilat i mbajti përkohësisht, derisa ua lëshoi zotëruesve të mëparshëm. Inkursionet e tyre u shtrinë edhe në Shqipërinë e Epërme deri në Lezhë, si dhe në Shqipërinë e Poshtme. Në vitin 1386 osmanët pushtuan Nishin dhe pas një viti Selanikun, që e mbajtën përkohësisht në duart e tyre, deri më 1403.
Për disa familje fisnike të njohura, si Balshajt, Muzakajt etj., beteja e Savrës shënoi rënien e tyre nën vasalitetin osman, i cili në fillim qe i dobët dhe herë-herë formal. Pa kaluar shumë kohë nga disfata që pësuan në fushën e Savrës, Balshajt rifilluan të ndiqnin një politikë të pavarur. Në vitin 1388, Gjergji II Balsha, krahas forcave ushtarake të sundimtarëve të Rashës e të Bosnjës, mori pjesë në betejën që u zhvillua në Beliqë (Bosnjë) dhe forcat e tij luajtën një rol të rëndësishëm në thyerjen e ushtrive osmane, të komanduara nga L`alla Shahini. Kjo fitore nxiti Karl Topinë dhe Muzakajt që të shkëpusnin lidhjet e tyre të vasalitetit ndaj osmanëve.
Intensifikimi i sulmeve të ushtrive osmane dhe zgjerimi i vrullshëm i pushtimeve të tyre në Ballkan bënë që sundimtarët ballkanas të linin mënjanë grindjet e konfliktet ndërmjet tyre dhe të mendonin e të projektonin aksione të përbashkëta ushtarake për të mbrojtur zotërimet e veta. Në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta në Plovdiv për të vijuar pushtimet në Ballkanin Qendror.
Knjazi serb i Rashës, Llazari Hrebelanoviçi mori nismën dhe ftoi sundimtarët e tjerë ballkanas që të bashkonin forcat e tyre për të ndalur marshimin osman. Thirrjes së tij iu përgjigjën disa prej sundimtarëve shqiptarë, si Gjergji II Balsha, sundimtar i Shkodrës, Teodor II Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë, Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren, Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve rreth tij, sundimtarë të Shqipërisë së Poshtme etj. Me ta u bashkuan edhe sundimtarë të tjerë ballkanas, si vojvoda rumun Mirçea, bani kroat Ivan Horvat, mbreti Tvërtko I i Bosnjës, sundimtari i Kosovës Vuk Mlladenoviqi, që zakonisht njihet me mbiemrin Brankoviçi (Vuk Brankoviçi) etj. Zotërimet familjare i kishte në pjesën veriore të Drenicës dhe të Fushë-Dardanisë. Pas vdekjes së Vukës në tetor 1398, jeta politike në zotërimet e tij u decentralizua.
Trupat shqiptare kishin një peshë të rëndësishme në forcat e koalicionit ballkanik. Kronikat osmane, që përshkruajnë këtë ngjarje, theksojnë numrin e madh të ushtrisë së Gjergjit II Balsha dhe e cilësojnë atë si njërin prej tre sundimtarëve kryesorë të koalicionit antiosman, krahas knjazit Lazar dhe vojvodës Vllatko Vukoviqit, komandant i ushtrisë së mbretit Tvërtko I të Bosnjës.
Në qershor të vitit 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Në çastin e fillimit të betejës, V. Brankoviçi i largoi trupat e veta nga koalicioni. Më 15 qershor ballkanasit zhvilluan një betejë të përgjakshme me focat osmane të komanduara nga sulltan Murati I. Pas disa sukseseve të para të ushtrive të koalicionit, fitorja në këtë betejë anoi përfundimisht nga osmanët, por me humbje njerëzore të mëdha nga të dyja palët. Gjatë zhvillimit të betejës luftëtari Milosh Kopili vrau sulltan Muratin I. Për hakmarrje osmanët vranë robërit e luftës, duke përfshirë knjaz Llazarin e Milosh Kopilin. Në këtë betejë mbeti i vrarë Teodori I Muzaka, si dhe shumë bashkëluftëtarë të tij dhe shqiptarë të tjerë. Beteja e Fushë-Dardanisë dhe akti heroik i Milosh Kopilit lanë mbresa të fuqishme te shqiptarët e Kosovës, të cilët i përjetësuan ato në këngë popullore.
Disfata e koalicionit ballkanik në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 pati rrjedhime të rënda për popujt e Gadishullit të Ballkanit. Ajo i dha fund krijimit të koalicioneve ballkanike të gjera kundër pushtuesve osmanë dhe sulltanit pasardhës, Bajazitit I (1389-1402), të njohur me cilësimin Rrufeja (Jëlldërëm), i lehtësoi rrugën për pushtime të reja në Ballkan.
Pushtuesit osmanë e kthyen në vasal të tyre sundimtarin e Kosovës, Vukë Brankoviçin, të cilin, në fillim të vitit 1392, e detyruan t’u dorëzonte Shkupin, e më pas Zveçanin (kështjellë pranë Mitrovicës) etj. Me marrjen e Shkupit, osmanët përforcuan pushtetin e tyre në pjesën lindore të Shqipërisë Qendrore (Maqedonia e sotme), veçanërisht nëpër rajonet fushore të lumit Vardar, që ishin nga më të begatat e Ballkanit. Pozicioni gjeografik shumë i favorshëm i Shkupit, ku kryqëzoheshin rrugët më të shkurtra që lidhnin kryeqytetin e Perandorisë Osmane me të gjitha tokat shqiptare dhe me rajonet e tjera të Ballkanit, nxitën sulltanët osmanë që ta bënin atë bazë ushtarake shumë të fuqishme, duke e shpallur Pashasanxhak, d.m.th. vend-rezidencë e bejlerbeut të Rumelisë.
Ndërkaq osmanët ishin përpjekur për zgjerimin e pushtimeve të tyre në Shqipërinë Qendrore. Qysh në vitin 1385 ata u kishin marrë Muzakajve qytetin e rëndësishëm të Kosturit, kurse rreth vitit 1394 u morën Gropajve Ohrin, të cilin nuk e mbajtën dot për një kohë të gjatë. Ky qytet buzë liqenit kishte fortesë të fuqishme dhe një pozicion shumë të favorshëm për kontrollin e peshkimit në liqen e në dajlanet e shumta të lumit Drin në Strugë, ku tregtohej me shumicë peshku i thatë që përgatitej aty. Për zotërimin e rajonit të liqenit dhe dobësimin e pranisë së fisnikëve shqiptarë aty, osmanët vendosën administratën e tyre në Ohër dhe rrënuan tri kështjellat e tjera, të Strugës, të Pogradecit e të Starovës, që ishin në roje të liqenit dhe të rrugëve që gjendeshin pranë tij.
Në kushtet e mungesës së një kishe kombëtare shqiptare, që do të ndikonte shumë në ruajtjen e unitetit fetar te shqiptarët, një pjesë e konsiderueshme e fisnikërisë dhe e shtresave të tjera, që jetonin në Shkup, Manastir dhe në qytete të tjera të viseve lindore, filluan të përqafonin masivisht islamizmin. Që në fund të viteve 60 të shek. XV mbi 60% e banorëve të Shkupit e të Manastirit ishin myslimanë. Kurse te sllavët, që kishin kishën e tyre kombëtare, nuk u përhap procesi i islamizimit. Në regjistrat kadastralë osmanë të shek. XV thuajse asnjë spahi nuk ka të shënuar cilësimin se është serb apo sllav, ndryshe nga shumë të tjerë që mbajnë mbiemrin Shqiptari (Arnauti).
Konvertimi në islamizëm i shqiptarëve i shkëputi shumë prej tyre nga ndikimi i kishave ortodokse sllave e greke (që liturgjinë e mbanin në gjuhën sllave dhe greke), duke ndërprerë kështu vrullin e procesit shekullor të sllavizimit e të greqizimit të shqiptarëve. Gjithashtu islamizimi u dha mundësi shqiptarëve që të integroheshin në jetën e Perandorisë Osmane dhe të ruanin, deri në një farë mase, pozitat e tyre ekonomike e politike.
Pasi e konsoliduan pushtetin osman në viset lindore të Shqipërisë Qendrore, trupat osmane nisën sulmet në drejtim të rajoneve perëndimore e bregdetare, si dhe të Shqipërisë së Epërme dhe asaj të Poshtme, sulme që i vazhduan pa ndërprerë nga viti 1385 deri në vitin 1402 për t`i rifilluar pas një dhjetëvjeçari. Pasi morën Zveçanin, më 1393 osmanët arritën të pushtonin po përkohësisht Shkodrën, Ulqinin, Dejën e Krujën, të cilat i mbajtën deri më 1395. Po në fund të shek. XIV ata morën përkohësisht Janinën dhe pushtuan krahinat e Korçës e të Përmetit. Zgjerimi i pushtimeve osmane në Shqipëri u ndërpre përkohësisht pas betejës së Ankarasë, të zhvilluar më 20 qershor 1402, ku trupat osmane pësuan një disfatë të rëndë dhe sulltan Bajaziti I (1389-1402) ra rob në duart e ushtrive fitimtare mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Pas kësaj beteje, për një dhjetëvjeçar, jeta politike e Perandorisë Osmane u përfshi nga konflikte të ashpra ndërmjet tre djemve të Bajazitit I për trashëgimin e fronit, konflikte që përfunduan me ardhjen në pushtet të Mehmetit I (1413-1421). Sulltani i ri riaktivizoi politikën pushtuese edhe në drejtim të Ballkanit dhe të Shqipërisë.
Para se sulltan Mehmeti I të vinte në pushtet, në vitin 1412 ushtritë osmane sulmuan Novobërdën dhe e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë, por nuk e morën dot, sepse mbrojtësit e saj luftuan me guxim. Ushtritë e sulltan Mehmetit I, me vdekjen e Niketë Topisë, në fillim të vitit 1415 pushtuan Krujën, gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës, kurse në vjeshtë të vitit 1418 pushtuan Gjirokastrën, kryeqendrën e zotërimeve të Zenebishëve.
Fitorja e trupave osmane në betejën e Fushë-Dardanisë të vitit 1389 dhe konsolidimi i pushtetit të tyre në fund të shek. XIV në qytetin e Shkupit, në rajonet e lumit Vardar si dhe pushtimi i Krujës, i Beratit, i Gjirokastrës etj., lehtësuan pushtimet e mëtejshme osmane në Ballkan e në Shqipëri dhe shtuan panikun në radhët e sundimtarëve ballkanas, shumë prej të cilëve u bënë vasalë të sulltanëve. Në Shkup u vendos selia e bejlerbeut të Rumelisë, që ishte komandanti i përgjithshëm i ushtrive osmane për pjesën evropiane të saj. Me një personalitet të tillë ushtarak e politik shumë të fuqishëm të Perandorisë Osmane duhej të përballeshin vazhdimisht fisnikët shqiptarë. Krahas tij ata duhej të përballeshin edhe me pinjollët e shumtë të familjes së fuqishme të Evrenozëve. Qysh kur nisën pushtimet e para osmane në Shqipërinë Lindore, në fund të shek. XIV, e deri në fund të shek. XV, kur ranë në duart e tyre edhe kështjellat e fundit në tokat shqiptare, ato të viseve perëndimore, në të gjitha betejat e aksionet e rëndësishme ushtarake të ushtrive pushtuese u shquan si komandantë ushtarakë osmanë një varg pinjollësh të familjes Evrenozi që jetonin në Shkup. I pari i tyre ishte Evrenoz-Beu (Pasha Jigit beu), i cili kishte pushtuar Thesalinë; emrin e tij e përdorën gjatë shekujve si mbiemër djemtë, nipërit e pasardhësit e tjerë të tyre