Qëndresa e armatosur kundërosmane e viteve 1905-1907. Ngjarjet e Kurbinit
Me gjithë punën propagandistike dhe organizative, komitetet “Për lirinë e Shqipërisë” nuk arritën të përqendronin në duart e veta udhëheqjen e lëvizjes në tërë vendin. Në mjaft krahina, e sidomos në vilajetin e Kosovës, vijuan lëvizjet spontane popullore kundër zgjedhës osmane. Qysh në mars-prill të vitit 1905 ngriti krye popullsia e Pejës, e Gjakovës, e Lumës dhe e Mitrovicës, që nuk pranoi të paguante taksën mbi bagëtinë dhe kërkoi nga Porta e Lartë “të lironte të internuarit politikë, të dërguar në Azinë e Vogël dhe të mos lejonte të huajt të përziheshin në atdheun e tyre, në Shqipëri”.Në dhjetor të vitit 1905 e në fillim të vitit 1906 qëndresa kundërosmane mori përmasa të reja, përfshiu Prizrenin me rrethina. Në mesin e janarit të vitit 1906 vetëm në Gjakovë qenë grumbulluar 2 000 burra të armatosur. Kryengritësit vijuan të këmbëngulnin për lirimin e shqiptarëve të internuar gjatë lëvizjes së viteve 1903-1905 dhe kundërshtuan reformat që do t’i hapnin rrugën copëtimit të atdheut. Popullsia shpresonte gjithashtu se Prizreni do të bëhej kryeqendër e provincës që pritej të formohej nga territoret thjesht shqiptare të vilajetit të Kosovës të përjashtuara nga reformat. Shpallja nga Porta e Lartë (në fundin e janarit të vitit 1906) e amnistisë për të internuarit politikë, që ishin nga Peja, Gjakova, Prizreni e Luma, e qetësoi përkohësisht gjendjen në Kosovë.
Në pranverën e vitit 1906 lëvizja kryengritëse përfshiu përsëri Kosovën, në fillim Pejën e Gjakovën, për t’u shtrirë më pas në Vuçiternë, në Drenicë, në Llap dhe në Plavë e Guci, ku popullsia kundërshtoi të paguante taksat për bagëtinë, për arsimin dhe për blerjen e armatimeve për ushtrinë osmane. Karakter të ashpër morën ngjarjet në Pejë. Gjatë përleshjeve të përgjakshme, që u zhvilluan në muajin mars në kazanë e Pejës ndërmjet kryengritësve e trupave osmane, pati më shumë se 50 të vrarë dhe 200 të plagosur nga të dyja palët. Në prill kryengritësit mbyllën rrugën midis Prizrenit e Pejës. Ngjarje të njëjta ndodhën në sanxhakun e Prishtinës e veçanërisht në Vuçiternë, ku popullsia e fshatrave të tëra (në mars të vitit 1906) u ngrit kundër taksave të reja. Gjendja në Vuçiternë u qetësua vetëm kur Porta e Lartë, pas ndërhyrjes pranë saj të Isa Boletinit (që në atë kohë ishte kthyer nga internimi), premtoi se do të hiqte dorë nga vjelja e taksave të reja.
Në gusht të vitit 1906 popullsia e Drenicës dhe e fshatrave përreth, që vareshin nga kazaja e Vuçiternës, ngriti krye e protestoi kundër vjeljes së taksave për arsimin publik dhe për blerjen e armatimeve. Drenicarët u kumtuan autoriteteve osmane se ata nuk do t’i shlyente këto detyrime, derisa qeveria nuk pranonte të fuste arsimin në gjuhën shqipe, ndërsa armët i përdorte kundër shqiptarëve. Porta e Lartë për të shtypur lëvizjen në Drenicë dërgoi forca të reja ushtarake, të komanduara nga kolonel Hasan Beu, me të cilin u bashkua më pas edhe Shemsi Pasha, që nuk ngurroi të përdorte topat kundër kryengritësve drenicarë, duke vrarë rreth 50 veta e duke plagosur 60 të tjerë.
Në pranverën e në verën e vitit 1906 pakënaqësia në Shqipëri ishte bërë e përgjithshme. Në vitet 1906-1907 u zhvillua qëndresa e popullsisë së Krujës dhe e fshatrave të Kurbinit kundër zgjedhës fiskale osmane. Duke qenë në gjendje të mjerueshme ekonomike, popullsia e këtyre rretheve nuk pranoi të paguante taksën për bagëtinë, për shërbimin ushtarak (bedel-i askerie), si dhe detyrimin e të dhjetës, që qeveria turke po këmbëngulte t’i vilte qysh në vjeshtën e vitit 1905. Ky vendim u mor në mbledhjen që përfaqësuesit e parisë e të vegjëlisë së popullsisë katolike të Kurbinit mbajtën në gusht të vitit 1906 në katundin Delbinisht, ku morën pjesë edhe dom Nikollë Kaçorri e at Shtjefën Gjeçovi. Me kurbinasit u bashkuan banorët e Kthellës, të Ranzës, të Malësisë së Lezhës, të Lurës, të Bregut të Matit, si edhe popullsia myslimane e Krujës.
Edhe pse lëvizja kishte karakter paqësor, valiu i Shkodrës, Sali Zeki pasha, për ta detyruar me forcë popullsinë katolike e myslimane të paguante taksat, në ditët e para të shtatorit të vitit 1906 dërgoi në Kurbin e në Krujë katër batalione ushtarësh, të pajisur me artileri e të komanduara nga Shefki Beu, kajmekam i Durrësit. Kur trupat osmane po u afroheshin fshatrave të Kurbinit dhe të Krujës, popullsia e tyre, sidomos gratë e fëmijët, për t’u shpëtuar masakrave u tërhoq në male, duke marrë me vete edhe bagëtinë. Kurbinasit u strehuan në Ranzë, në Kthellë, në Malësinë e Lezhës e në Mirditë.
Popullsia e fshatrave katolike ose me shumicën popullsi katolike (të Malit të Bardhë, të Skurajt, të Milotit, të Laçit, të Zhejës), të udhëhequr nga Gjin Pjetri, pa marrë parasysh këshillat e arkipeshkvit të Durrësit, imzot Biankit, që shkoi posaçërisht në Delbinisht për të kërkuar prej tyre të mos përdornin armët, në mesin e shtatorit të vitit 1906, iu kundërvu ushtrisë osmane në Skuraj e në Zhejë, ku u zhvilluan dy përleshje të ashpra që zgjatën disa orë, pas të cilave forcat osmane u detyruan të tërhiqeshin.
Autoritetet osmane, me qëllim që ta shtypnin më lehtë lëvizjen, hynë në fillim në bisedime me parinë myslimane të Krujës. Por në takimin që u mbajt, në marrëveshje me kajmakamin e kësaj kazaje, më 20 shtator 1906 në Tallajbe të Krujës, disa qindra përfaqësues të popullsisë myslimane të këtij qyteti, të Pezës e të Ishmit, u rrethuan dhe u goditën pabesisht nga ushtria osmane, e cila vrau 30 prej tyre, duke përfshirë këtu disa kryepleq të kësaj zone, si edhe gra e fëmijë.
Më 1 tetor 1906 Shefki Beu, me qëllim që të ndante myslimanët nga katolikët, filloi bisedimet me parinë e Krujës. Pas masakrës së 20 shtatorit dhe premtimeve të autoriteteve osmane për të lehtësuar banorët myslimanë nga taksa e bagëtisë, më 23 tetor gjendja në Krujë u qetësua dhe u rivendos autoriteti i administratës turke në qytet.
Ndërkaq lufta vijoi në fshatrat e Kurbinit, ku popullsia katolike nuk pranoi të nënshtrohej. Rreth 700 burra të armatosur qëndronin përballë ushtrisë osmane. Me ta u bashkuan edhe forca të tjera nga Kthella fqinje, si edhe popullsia e krahinave malore përreth, e Milotit, e Rrëshenit, e Pishkashit, e Lurës etj., shumica e së cilës ishte katolike. Me ndërmjetësinë e konsullit austro-hungarez në Shkodër, Kral, prifti i Durrësit Nikollë Kaçori më 17 tetor 1906 siguroi marrëveshjen me valiun e Shkodrës, sipas së cilës vendosej një shumë e kufizuar dhe e caktuar më parë për çdo kategori taksash. Kjo marrëveshje u pranua edhe nga kurbinasit, por u shkel nga autoritetet osmane, që vijuan të kërkonin vjeljen e plotë të taksave.
Më 26 tetor deri më 14 nëntor të vitit 1906 ushtria osmane ndërmori një ekspeditë të re edhe më të ashpër ushtarake, gjatë së cilës dogji e grabiti shtëpitë e Gegajt, të Milotit, të Zhejës, të Laçit e të Gjormit dhe shkretoi arat e tyre. Ushtria sulmoi gjithashtu Malësinë e Lezhës, ku ishin strehuar familjet e kurbinasve.
Kryengritësit i bënë ushtrisë osmane një qëndresë të fuqishme, sidomos në Skuraj ku luftimet zgjatën disa orë, si edhe te Shkalla e Matit. Për të shmangur shpartallimin e plotë, Shefki Beu, pasi la në këto vende disa dhjetëra ushtarë të vrarë, më 14 nëntor u tërhoq në fushën e Matit, duke mbajtur vetëm disa pika të kontrollit të rrugëve. Kurbinasit, edhe pse të kërcënuar nga të ftohtit, uria e vdekja, vazhduan të rezistonin dhe të qëndronin me familjet e tyre në male gjatë gjithë dimrit të 1906-1907-s.
Ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, sidomos ato të përfaqësuesve austro-hungarezë pranë qeverisë së Stambollit, pas lutjeve të përsëritura që popullsia e Kurbinit u bëri atyre në janar e në shkurt të vitit 1907, nuk mbetën pa rezultat. Por edhe Porta e Lartë, duke parë se me masa terrori nuk po e thyente dot qëndresën e popullsisë së Kurbinit dhe se zgjatja e kryengritjes në këtë krahinë po ulte prestigjin e saj dhe po u jepte shkas ndërhyrjeve të shteteve të huaja, vendosi t’u bëjë lëshime kurbinasve. Pas bisedimeve, që zhvilloi në Shkodër me përfaqësuesit e kryengritësve në fundin e prillit, valiu i ri i kësaj province, Mustafa Hilmi Pasha, në ditët e para të majit 1907 u premtoi kryengritësve se sulltani u fal veprimet e tyre të armatosura, heq taksën mbi bagëtinë, ul të gjitha taksat e tjera dhe se qeveria do t’i ndihmonte për rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë ekspeditave ushtarake. Pas kësaj kurbinasit, që u siguruan për plotësimin e kërkesave, u kthyen përsëri në fshatrat e tyre.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare