Qëndrimi i shteteve ballkanike dhe i Fuqive të Mëdha ndaj kërkesave të shqiptarëve
Përfundimi i kryengritjes dhe bisedimet e shqiptarëve me komisionin qeveritar shkaktuan shqetësime të mëdha te qeveritë ballkanike. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë deklaroi ato ditë se, me pranimin e kërkesave të kryengritësve shqiptarë nga qeveria osmane, rrezikoheshin synimet e Beogradit në Ballkanin Perëndimor. Edhe Athina, duke pretenduar se zhvillimet e reja politike në Shqipëri rrezikonin interesat e Greqisë, të Malit të Zi, të Serbisë e të Bullgarisë, propozoi të “fillohej një aksion i përbashkët për t’i thyer shqiptarët”.
Beogradi paralajmëroi qeverinë turke që, në rast se do të plotësoheshin kërkesat shqiptare, nuk do të mund të shmangeshin tronditjet e reja, që do të ishin shumë të rrezikshme, në radhë të parë për Turqinë.
Beogradi e Sofja kërkuan me këmbëngulje nga Rusia dhe nga Anglia që të ndërhynin në mënyrë energjike kundër njohjes së autonomisë së shqiptarëve.Edhe Fuqitë e Mëdha i bënë të ditur qeverisë turke që, në rast se shqiptarëve do t’u jepeshin zyrtarisht koncesionet që kërkonin, kjo jo vetëm do të sillte acarimin e marrëdhënieve me ta, por Stambolli do të përballej dhe me shtetet ballkanike, të cilat, duke pasur përkrahjen e Rusisë, po përgatisnin luftën e armatosur kundër Perandorisë Osmane. Ambasadori rus Girs i bëri të ditur Stambollit, se qeveria e tij do t’i kundërvihej çdo kombinimi politik që synonte krijimin e vilajetit të ri shqiptar. Ai theksoi gjithashtu se çdo lloj reforme që do të zbatohej nga qeveria osmane në Ballkan, domethënë çdo lëshim ndaj shqiptarëve, do të shtrihej edhe në viset e banuara nga të krishterët dhe nga popujt e tjerë joturq.
Ambasadori francez në Stamboll i tërhoqi vërejtjen ministrit të Jashtëm të Turqisë për pasojat e rënda që do të sillte caktimi i kufijve të Shqipërisë. Në këtë rast, theksonte ai, Serbia e Bullgaria do të kundërshtonin në mënyrën më energjike që brenda vilajetit të ri shqiptar të përfshihej qoftë edhe pjesa më e vogël e viseve të banuara nga serbë e bullgarë.
Qëndrimi i Vjenës ishte i ndryshëm nga ai i Fuqive të tjera të Mëdha. Ajo i quajti të arsyeshme 14 kërkesat e shqiptarëve, ndërsa konti Berhtold u përpoq që ato të përkraheshin edhe nga Fuqitë e Mëdha. Por Vjena nuk kuptonte me këto njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Më 13 gusht kur kryengritësit shqiptarë kishin hyrë në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmerrnin një hap kolektiv në Stamboll për të kërkuar zbatimin e politikës së decentralizimit, e cila t’i përshtatej gjendjes etnike reale në Turqi. Ballplaci propozoi gjithashtu që të këshilloheshin qeveritë ballkanike nga Fuqitë e Mëdha për të mbajtur një qëndrim paqësor.
Këto përçapje diplomatike të Vjenës synonin ta detyronin Stambollin t’i pranonte kërkesat shqiptare dhe njëherazi të parandalonte ndërhyrjen e shteteve ballkanike.
Por propozimi i Vjenës i 13 gushtit nuk gjeti përkrahje nga partnerët e saj evropianë. Kundër propozimit të Berhtoldit u shprehën edhe qeveritë e shteteve ballkanike. Ato deklaruan se zbatimi i politikës së decentralizimit do të çonte në krijimin e Shqipërisë autonome dhe se ato “shqetësoheshin” në këtë rast për fatin e bashkatdhetarëve të tyre në Turqi.
Nën trysninë e Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ballkanike Porta e Lartë u përpoq që gjatë redaktimit të marrëveshjes me udhëheqjen e kryengritjes shqiptare të mos përmendeshin fjalët Shqipëri dhe shqiptarë. Ndërkaq Porta e Lartë synonte të qetësonte shtetet ballkanike duke u bërë të ditur se privilegjet që do t’u jepeshin shqiptarëve mund të shtriheshin edhe mbi popujt joshqiptarë të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit e të Janinës.
Ministri i Jashtëm turk u deklaroi kolegëve të vet ballkanas se Porta dëshironte të kënaqte njëlloj të gjithë popujt dhe ishte kategorikisht kundër dhënies së koncesioneve vetëm një populli, duke diskriminuar të tjerët.
Në fillim të muajit shtator Ministria e Jashtme e Turqisë udhëzonte përfaqësuesit e saj diplomatikë që t’u shmangeshin bisedave rreth propozimit të Berhtoldit dhe të deklaronin në mënyrë të prerë se Porta e quante problemin shqiptar çështje të saj të brendshme. Duke parë se Fuqitë e tjera të Mëdha i kundërshtuan propozimet e Vjenës, Stambolli deklaroi se nuk do t’i merrte ato në shqyrtim. Në këtë mënyrë dështoi edhe ky aksion diplomatik i Ballplacit, që do të ndihmonte sado pak në hapjen e rrugës për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare