Marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit 1912
Pas udhëzimeve që mori nga Stambolli, Komisioni qeveritar rifilloi bisedimet rreth kërkesave të parashtruara nga kryengritësit në 14 pikat e Hasan Prishtinës. Më 18 gusht qeveria turke deklaroi se i pranonte ato, përveç kthimit të armëve të luftës dhe hedhjes në gjyq të pjesëtarëve të kabineteve xhonturke të Haki dhe Said Pashës, duke theksuar se miratimi i këtyre dy kërkesave ishte në kompetencën e parlamentit.
Udhëheqja e kryengritjes në Kosovë deklaroi se e pranonte këtë marrëveshje dhe shpalli ndërprerjen e kryengritjes. Në rrethanat e krijuara nuk mund të bëhej fjalë për të vazhduar marshimin e kryengritësve drejt Selanikut. Pas kësaj forcat kryengritëse lanë Shkupin. Hasan Prishtina njoftoi gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë së Mesme dhe të asaj të Jugut që të ndërprisnin veprimet e armatosura kundër trupave qeveritare. Ai njoftonte në këtë rast se kërkesat e kryengritësve u pranuan për të gjithë Shqipërinë. Në këto rrethana kryengritja u ndërpre.
Thirrja që Hasan Prishtina u bëri kryengritësve për t’u larguar nga Shkupi dhe për të shkuar në vendet e tyre, do të ndihmonte në organizimin e mbrojtjes së atdheut nga agresorët ballkanas, të cilët po përgatiteshin të sulmonin tokat shqiptare.
Pasi kishte përfunduar marrëveshja me qeverinë turke, mbërriti në Shkup një përfaqësi e vilajetit të Shkodrës, e përbërë nga Abdi Toptani, Marka Gjoni, Mano bej Lezha dhe Mustafa Asim Kruja me 100 luftëtarë.
Ndërkohë kryengritësit kishin filluar të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Elbasan, në Korçë e në qytete të tjera, të pritur kudo si fitimtarë, me manifestime popullore dhe me këngë patriotike. Në fjalimet e mbajtura me këtë rast vihej theksi në barbarizmat e xhonturqve, në trimërinë e shqiptarëve, posaçërisht të atyre të Kosovës, dhe përmendej sidomos zotësia e udhëheqësve si Hasan Prishtina etj. Ata që e morën fjalën në këto mitingje paralajmëruan qeverinë se shqiptarët ishin gati të ngriheshin përsëri me armë në dorë në qoftë se ajo nuk do të zbatonte marrëveshjen e arritur. Në të vërtetë, në variantin e marrëveshjes që qeveria turke botoi zyrtarisht më 23 gusht 1912, kërkesat e shqiptarëve, të miratuara edhe prej saj, ishin formuluar në mënyrë të errët e të papërcaktuar. Kjo tregon se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend t’i zbatonte ato.
Në këtë redaktim që i bënë marrëveshjes shqiptaro-turke, autoritetet osmane i reduktuan dhe i deformuan të 14 pikat e Hasan Prishtinës. Ato ndryshuan, në përshtatje me interesat e qeverisë së Stambollit sidomos përmbajtjen e pikave 2, 5, 11.
Sipas versionit zyrtar turk të 23 gushtit marrëveshja përmbante këto masa: përgatitja e një ligji të posaçëm për lokalitetet, në të cilat sistemi gjyqësor nuk ishte i përshtatshëm; kryerja e shërbimit ushtarak vetëm në Rumeli, përveç rasteve të luftës dhe të rrethanave të jashtëzakonshme; kthimi i armëve të konfiskuara më parë; zgjedhja e nëpunësve me përvojë që të njihnin gjuhën e zakonet e vendit; shndërrimi në lice i shkollave të mesme (idadie) në Kosovë, në Manastir e në Janinë; ngritjen e shkollave të reja, liceve dhe atyre bujqësore, duke futur në programin e tyre mësimin në gjuhën e vendit në ato prefektura, popullsia e të cilave ishte mbi tridhjetë mijë frymë; mundësia për t’i shtuar buxhetit të ministrisë së Vakëfeve kreditë e nevojshme për mbajtjen e medreseve dhe për të krijuar medrese të tjera në vendet ku do të gjykohej e nevojshme; liria për të hapur shkolla private; mësimi i gjuhës lokale në shkollat fillore e të mesme; zgjerimi e zhvillimi i punëve botore, i tregtisë dhe i bujqësisë, si dhe i hekurudhave e i rrugëve; organizimi i komunave (nahijeve); mbrojtja e dokeve dhe e zakoneve myslimane; çuarja para gjyqit të lartë të drejtësisë e qeverisë së Haki Pashës dhe e Said Pashës; falja e të gjithë atyre që kishin marrë pjesë në ngjarjet e fundit; zhdëmtimi për shtëpitë e shkatërruara.
Siç shihet, në këtë redaktim të marrëveshjes askund nuk përmendeshin emrat Shqipëri dhe shqiptarë. Përveç kësaj, qeveria turke nuk jepte asnjë garanci për zbatimin e kërkesave të kryengritësve. Edhe kësaj here Porta e Lartë, si edhe më parë, ndoqi një politikë dyfytyrëshe. Ajo u dha këtë formë pikave të marrëveshjes me qëllim që të kishte mundësi t’i interpretonte ato arbitrarisht, sipas interesave të vet.
Në marrëveshjen e arritur nuk u pranua as kërkesa që në letërnjoftimet dhe në pasaportat të vihej, krahas cilësimeve fetare mysliman, latin a rum, edhe cilësimi etnik shqiptar. Pranimi i saj do të çonte në njohjen e kombësisë shqiptare.
Përgjithësisht, marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit ishte gjysmake dhe e pasigurt.
Qeveria deklaroi gjithashtu se kërkesat e pranuara u njiheshin vetëm vilajeteve të Kosovës, të Manasirit e të Janinës. Kjo do të thoshte që ato nuk do të shtriheshin në vilajetin e katërt shqiptar, në atë të Shkodrës. Edhe pse pikat e kësaj marrëveshjeje nuk ishin të njëjta me 12 pikat që iu njohën më 1911 malësorëve të Mbishkodrës, Porta mendonte se kërkesat e asaj province (të vilajetit të Shkodrës) qenë plotësuar me marrëveshjen e Podgoricës.
Edhe pse në 14 pikat e pranuara nga qeveria osmane nuk parashihej njohja e autonomisë, shqiptarët filluan t’u jepnin një kuptim më të gjerë koncesioneve të fituara dhe bënë përpjekje për realizimin e vetëqeverisjes. Në vise të ndryshme, si në Mitrovicë, në Vuçiternë, në Prizren e në vende të tjera, u bënë përpjekje për vendosjen e administratës shqiptare. Popullsia dëbonte nëpunësit turq dhe në vend të tyre emëronte shqiptarë. U krijuan këshilla lokalë, të cilët mbanin rregullin e qetësinë dhe pengonin keqbërësit të plaçkitnin dhe të dhunonin banorët. Në ta merrnin pjesë njerëzit më me autoritet në popull dhe të dalluar në luftën kundër regjimit xhonturk. Autoritetet osmane nuk qenë në gjendje të pengonin veprimtarinë e këshillave që kishin dalë nga kryengritja. Në dokumentet konsullore të kohës theksohej se autoriteti i qeverisë kishte rënë, ndërsa autoriteti i organeve të reja të pushtetit vendor po rritej. Edhe shtypi i huaj pranonte se këshillat kishin vendosur rregullin e qetësinë në vend.
Isa Boletini sapo u kthye në Mitrovicë, pas përfundimit të marrëveshjes shqiptaro-turke, ngriti atje këshillin administrativ dhe në njoftimin telegrafik, që i bëri valiut të Kosovës në Shkup, i kumtoi: “Tash e tutje për çdo gjë populli do të vetëvendosë në mënyrë të pavarur nga pushteti osman”.
Por ky proces i realizimit të vetëvendosjes u ndërpre për shkak të fillimit më 9 tetor të Luftës Ballkanike dhe të dyndjes së ushtrive serbe e malazeze në trevat shqiptare. Lufta Ballkanike krijoi për Shqipërinë një gjendje nga më të rrezikshmet në historinë e saj, çoi në pushtimin ushtarak të territoreve të vendit nga agresorët ballkanas serbë, malazezë dhe grekë, duke i hapur kështu rrugën copëtimit dhe aneksimit të tyre.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare