Rëndësia e kryengritjes
Ndryshe nga kryengritjet e mëparshme të armatosura, ajo e vitit 1912 u shtri në mbarë Shqipërinë, bashkoi gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje dhe përkatësie shoqërore. Në rrafsh të jashtëm kryengritja u zhvillua në rrethana jo të favorshme për shqiptarët. Fuqitë e Mëdha vazhdonin t’i përmbaheshin ende politikës së tyre tradicionale të ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan. Përveç kësaj, ata mendonin se njohja e autonomisë së Shqipërisë do të krijonte të çara në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kryengritja shqiptare dhe kërkesat e saj kombëtare u kundërshtuan në mënyrë të veçantë nga shtetet ballkanike, të cilat e shihnin mundësinë e shpalljes së një shteti autonom ose të pavarur shqiptar si një pengesë për synimet e tyre ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor.
Kryengritja u zhvillua gjithashtu në kushtet kur Perandoria Osmane po kalonte një krizë të rëndë që po e çonte atë drejt fundit, kur ajo ishte në luftë me Italinë (për Tripolin) dhe kur brenda saj kishte shpërthyer konflikti politik midis xhonturqve dhe opozitës liberale. Këto ishin rrethana lehtësuese për shpërthimin e kryengritjes dhe për suksesin e saj.
Megjithëse kryengritja arriti suksese të mëdha, nuk u arrit të mënjanoheshin mosmarrëveshjet në udhëheqjen e saj. Disa nga krerët shqiptarë filluan të anojnë drejt kërkesave më të moderuara, që nuk ndihmonin zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në këto qëndrime ndikuan edhe veprimet përçarëse të përkrahësve të xhonturqve dhe të agjenturës serbe te disa prej krerëve shqiptarë. Por edhe më fuqishëm ndikoi në këto lëkundje rreziku gjithnjë e më i madh i shpërthimit të një Lufte Ballkanike që po afrohej me shpejtësi.
Në këto rrethana edhe udhëheqësit më të vendosur, si Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., u detyruan të tërhiqeshin nga programi autonomist i Junikut. Kjo gjendje në gjirin e udhëheqjes së kryengritjes dhe sidomos afrimi i Luftës Ballkanike, fillimi i veprimeve të veçanta luftarake të Malit të Zi, i shtyti ata të parashtronin një program më të kufizuar, 14 pikat e Hasan Prishtinës.
Megjithatë, Hasan Prishtina, që ishte ithtar i programit radikal të lëvizjes, shpresonte se pikat e përfshira në marrëveshjen e arritur me qeverinë osmane më 18 gusht do të shënonin “hape të mëdha ka indipendenca e jonë”.
Nikollë Ivanaj shkruante në ato ditë: “Të gjithë janë besnikë të idealit të pavarësisë, por arsyetimi ju thotë se për momentin e tashëm duhet të moderojnë kërkesat në mënyrë që të bëhen të realizueshme”.
Pranimi nga shqiptarët i marrëveshjes shqiptaro-turke të 18 gushtit 1912 ishte në thelb një kompromis i pashmangshëm, një lëshim i detyruar, i imponuar kryesisht nga rrethanat ndërkombëtare. Megjithatë, në qoftë se qeveria turke do ta zbatonte tërësisht atë, kjo marrëveshje do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Kryengritja pati edhe dobësi të karakterit organizativ. Çlirimi i qyteteve, që ishte një sukses i madh i saj dhe mund të çonte në çlirimin e gjithë Shqipërisë, nuk u shoqërua, përveç disa rasteve, me likuidimin e administratës osmane dhe me vendosjen e një administrate të re shqiptare. Disa masa, si lirimi i të burgosurve a dëbimi i funksionarëve të veçuar, qenë të pamjaftueshme për t’ia arritur këtij qëllimi. Këtë detyrë të vendosjes së pushtetit të shqiptarëve në vend të atij osman, që do të ishte një garanci për zbatimin e marrëveshjes së pranuar nga Porta e Lartë, udhëheqja e kryengritjes nuk e shtroi fare për zgjidhje.
Kryengritja e vitit 1912 ishte e përgjithshme, u shtri në mbarë vendin, në Kosovë, në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut, ku prej kohësh vepronin çetat e armatosura. Megjithatë, forca e veprimeve të saj luftarake nuk ishte kudo e njëjtë. Ajo qe më e fuqishme në vilajetin e Kosovës, krahasuar me territoret e tri vilajeteve të tjera (të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës). Përveç kësaj, nuk pati një bashkërendim në kohë të veprimeve luftarake, të cilat në viset e tjera, sidomos në Jug, filluan më vonë se në Kosovë.
Në ecurinë e kryengritjes së përgjithshme ushtruan ndikim negativ lëkundjet e përfaqësuesve të veçantë të parisë çifligare e bajraktare që u shfaqën sidomos në qëndrimin ndaj kërkesave kombëtare. Disa prej të tyre u treguan të gatshëm të shkëputeshin nga sundimi i huaj osman, ndërsa disa të tjerë u vunë në shërbim të qarqeve sunduese fqinje, u bënë përçues të politikës së tyre në udhëheqjen e kryengritjes dhe u përpoqën ta pengonin luftën e armatosur popullore.
Pavarësisht nga këto dobësi, Kryengritja e vitit 1912 shënoi hapa të rëndësishëm në sendërtimin e programit themelor politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo nxori në shesh dobësinë e Perandorisë Osmane, e tronditi atë dhe afroi fundin e saj. Në këto rrethana aleatët ballkanikë nuk e patën të vështirë t’i jepnin asaj goditjen e fundit. Kryengritja shqiptare dhe sukseset e saj ushtarake e politike ndikuan gjithashtu në përshpejtimin e shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike. Por ajo tregoi gjithashtu se shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha nuk do ta kishin të lehtë tani të mënjanonin çështjen shqiptare nga të gjitha kombinacionet që do të shestoheshin pas kësaj lufte në tryezat e gjelbërta të diplomacisë.
Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 përbëjnë një faqe të re, një shkallë më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nga qëllimet që shtruan, nga cilësia e organizimit, nga forca luftarake dhe veçanërisht nga rrjedhojat e tyre, këto kryengritje zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare, të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e më pas të pavarur shqiptar. Kështu do të përmbusheshin aspiratat kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, do t’i bëhej ballë rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare dhe do t’i hapej rrugë përparimit ekonomiko-shoqëror e kulturor të vendit.
Kryengritjet e viteve 1910-1912 përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u mbyll me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Gjithë ecuria e tyre dëshmon për zhvillimin e ndërgjegjes politike kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, pa dallime krahinore. Kjo ndërgjegje politike nuk u shfaq njëlloj në periudha të ndryshme dhe në treva të caktuara, të cilat patën veçoritë e tyre, të diktuara nga rrethanat e kohës. Dëshmi e qartë e një ndërgjegjeje kombëtare e shtrirë në gjithë rrafshin territorial të Shqipërisë janë ngjarjet e Kryengritjes së vitit 1911. E zhvilluar në një zonë malore jo fort të gjerë, siç qe Malësia e Madhe, kjo kryengritje qysh në fillimet e saj doli me kërkesa kombëtare dhe në emër të të gjithë shqiptarëve e të kombit shqiptar. Memorandumi i Greçës i qershorit të vitit 1911, që ishte një dokument programatik kombëtar me kërkesën e autonomisë territoriale të Shqipërisë, doli pikërisht nga Kuvendi i Greçës, i udhëheqësve dhe i përfaqësuesve të kësaj kryengritjeje shqiptare.
Edhe Shefqet Turgut pasha, në intervistën që i pati dhënë gazetës “Progrès de Salonique”, deklaronte se Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 ishte një kryengritje “thjesht shqiptare mbi baza kombëtare”. Vlerësim të njëjtë u kanë bërë kryengritjeve të viteve 1910-1912 edhe përfaqësuesit konsullorë të shteteve fqinje, që kanë njohur karakterin e tyre të ndërgjegjshëm kombëtar.
Ashtu si Kryengritja e vitit 1911, edhe ajo e vitit 1912, që njihet si kryengritja e përgjithshme shqiptare, doli me një program kombëtar të përparuar, i parashtruar në të pesë pikat e Kuvendit të Junikut, pavarësisht se marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit 1912 shënoi një tërheqje jo të vogël në krahasim me të. Kjo tërheqje duhet të shpjegohet me zhvillimet politike e ushtarake në gadishull, në radhë të parë me rrezikun që sillte për vendin afrimi i shpërthimit të Luftës Ballkanike.
Programet e miratuara në kuvendet e kryengritësve në vitet 1910-1912 dhe nga organizatat atdhetare brenda e jashtë vendit, nuk duhen parë vetëm si rrjedhim i raportit të forcave ndërmjet krahut radikal dhe atij të moderuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ato qenë formuluar edhe nën ndikimin e gjendjes që ishte krijuar në Ballkan pas përfundimit të bisedimeve për vendosjen e Aleancës Ballkanike dhe me afrimin e Luftës së Parë Ballkanike. Tërheqja e forcave kryengritëse shqiptare nga fronti kundërosman ishte pasojë e vlerësimit të drejtë të kësaj gjendjeje të re dhe i detyrave të tjera të ngutshme që qëndronin përpara Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në kohën kur shovinistët serbë bënin presion që forcat kryengritëse shqiptare të marshonin drejt Selanikut e madje edhe drejt Stambollit, për t’i hapur rrugën armatës serbe në marshimin e saj drejt brigjeve të Adriatikut, kryengritësit shqiptarë e panë të arsyeshme të bënin marrëveshje me qeverinë osmane.
Lëvizja shqiptare e viteve 1910-1912 luajti një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin e jashtëm, në zhvillimin e ngjarjeve politike në Turqinë Evropiane, në mënyrë të veçantë në dobësimin e pozitave të Perandorisë Osmane në këtë zonë. Aleatët ballkanikë shpejtuan ta shfrytëzonin këtë faktor për interesat e tyre pushtues. Në vend që ta mbështesnin lëvizjen shqiptare të vitit 1912, ata shpejtuan të përfitonin prej saj, madje pa përfillur fare interesat kombëtarë të shqiptarëve.
Qarqet politike të shteteve fqinje ballkanike, synonin të pengonin me çdo mënyrë formimin e një shteti kombëtar qoftë dhe autonom shqiptar e përgjithësisht lëvizjen çlirimtare të popujve të shtypur ballkanikë dhe t’i zgjidhnin problemet e Ballkanit nëpërmjet një lufte grabitqare, pushtuese, siç qe ajo ballkanike. Beogradi, Athina e Cetina dëshironin që lufta e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane të përfundonte me cfilitjen e të dyja palëve.
Pavarësisht se lufta, që populli shqiptar zhvilloi në vitet 1910-1912 nuk arriti të sinkronizohej me qëndresën e popujve të tjerë të robëruar të Perandorisë Osmane dhe me luftën e shteteve ballkanike, nuk mund të mohohet kurrsesi roli i këtyre kryengritjeve në shembjen e sundimit osman në Ballkan. Ato ndihmuan në dobësimin e Perandorisë në rrafsh ushtarak, nxorën në pah dobësinë e paaftësinë e saj për t’i bërë ballë një sulmi të mundshëm të shteteve ballkanike në një të ardhme të afërt.
Kryengritjet e viteve 1910-1912 nuk ishin “çrregullime”, “trazira” e “turbullira”, që degjenerojnë në “anarki të plotë”, siç pohon historiografia ballkanike. Përkundrazi, ato ishin kryengritje çlirimtare, që e vendosën popullin shqiptar në fillim të shek. XX në ballë të lëvizjeve për çlirimin kombëtar në gdishullin e Ballkanit. Përgjithësisht lufta që populli shqiptar zhvilloi gjatë viteve 1910-1912 kundër pushtuesve osmanë radhitet përkrah qëndresës së popujve të tjerë të shtypur të Perandorisë, siç ishin maqedonët e grekët, si dhe arabët.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 përshpejtuan përfundimin e Aleancës Ballkanike dhe për rrjedhim edhe afrimin e luftës të aleatëve ballkanas kundër Perandorisë Osmane, e cila shënoi fundin e sundimit të saj në Ballkan. Edhe nga kjo pikëpamje ato zënë një vend të rëndësishëm në procesin përfundimtar të çlirimit të popujve të Ballkanit nga zgjedha osmane. Megjithatë, aleatët ballkanas u shqetësuan nga sukseset e kryengritësve shqiptarë në fushën e betejave dhe sidomos nga marrëveshjet shqiptaro-turke, edhe pse këto nuk merrnin plotësisht parasysh kërkesat kombëtare të shqiptarëve, sepse i shikonin ato dhe mundësinë e formimit të një shteti autonom shqiptar si një pengesë serioze në arritjen e synimeve të tyre aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Afrimi i Luftës Ballkanike krijoi për shqiptarët një gjendje kontradiktore, tepër paradoksale. Nga njëra anë, po afrohej fundi i sundimit osman në Ballkan, aq i dëshiruar nga populli ynë dhe për të cilin ai kishte dhënë një ndihmesë të çmuar, nga ana tjetër, shqiptarëve po u mbyllej rruga për t’u çliruar përfundimisht, sepse po u përgatiteshin vargonj të rinj robërie, më të rëndë e më të rrezikshëm.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike shqiptarët dhe lëvizja e tyre kombëtare u gjendën, ashtu si më 1878-1881, midis dy zjarresh: midis sundimtarëve shumëshekullorë osmanë dhe aleatëve ballkanikë, që filluan të kënaqnin lakmitë shoviniste të shpallura me kohë në programet e tyre nacionale, siç qenë “Naçertania”, “Megali Ideja” etj.
Lufta Ballkanike deformoi procesin e natyrshëm të çlirimit përfundimtar të popujve të shtypur të Ballkanit nga zgjedha osmane, proces i cili kishte marrë hov të madh me kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912. Lufta për t’i dhënë fund sundimit osman në Ballkan nuk u udhëhoq nga interesat kombëtarë të këtyre popujve, por nga ata nacionalistë, të ngushtë të shteteve ballkanike. Ky shformim i karakterit çlirimtar të kësaj lufte, do të kishte pasoja të rënda, në radhë të parë për popullin shqiptar, kundër të cilit qenë drejtuar kryesisht lakmitë shoviniste dhe aneksioniste të këtyre shteteve, por edhe për popujt e tjerë të shtypur të Perandorisë Osmane.
Rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare nuk mund të mos ndikonte në strategjinë dhe në taktikën e luftës së shqiptarëve për çlirimin kombëtar. Kërkesë mbizotëruese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbeti edhe në këtë kohë, deri tri-katër javë para se të shpallej pavarësia, ajo e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë dhe jo pavarësia e plotë e vendit dhe shkëputja e tij nga Perandoria Osmane, siç ndodhi më 28 Nëntor 1912.
Realizimi i autonomisë mendohej si rruga më e mirë për t’i bërë ballë rrezikut imediat të copëtimit tashmë tërësor të trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve. Por kjo kërkesë nuk e mbyllte perspektivën e arritjes së pavarësisë kombëtare, përkundrazi, në ato rrethana vetëm kështu mund t’i hapej rruga dhe të shpejtohej sigurimi i saj. Si e tillë ajo ishte një kërkesë realiste dhe njëherazi kalimtare drejt pavarësisë.
Kjo strategji mbeti në fuqi edhe gjatë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912, të cilat qëndrojnë në themelet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe të Aktit të tij historik të Shpalljes së Pavarësisë, pavarësisht se midis tyre qëndron Lufta Ballkanike e viteve 1912-1913. Ato përbëjnë faktorin vendimtar në rrugën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Është i njohur roli i faktorëve ndërkombëtarë, sidomos në njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë, megjithatë ajo ishte në radhë të parë rrjedhim logjik i luftërave të popullit shqiptar kundër sundimtarëve osmanë dhe veçanërisht i kryengritjeve të viteve 1910-1912, të cilat bënë që çështja shqiptare të shtrohej për zgjidhje, jo vetëm përkundrejt pushtuesve osmanë, por edhe përballë lakmive pushtuese të shteteve ballkanike, që shpërthyen luftën më 1912.
Historia shqiptare
Rilindja Kombëtare