Rrënojat e një bote të zhdukur

Rrënojat e një bote të zhdukur

Ne jetojmë midis rrënojave të botëve të tjera. Korja e planetit është një mbeturinë e peizazheve antike, tokësore ose detare, të maleve, fushave dhe oqeaneve. Ajo është varreza e gjithë organizmave të gjallë të së kaluarës dhe përfaqëson gjithë ç’mbeti nga viset ku banonin këta organizma.

Disa zona të veçanta, si Kanioni i Madh i Kolorados ose panorama të tjera shkëmbore shumë të çuditshme, është e lehtë t’i quash «gërmadha». Përkundrazi, më të vështira për t’i quajtur kështu janë kodrinat e vjetra dhe të rrumbullakosura, shpatet e bukura, fushat pjellore ose dunat ranore të plazheve, por megjithatë, edhe ato janë «gërmadha» të botës së dikurshme. Këto botë janë aq të largëta, sa nuk merret me mend. Për shekuj me radhë zonat e Tokës u janë nënshtruar gjithfarë ndryshimeve, si pasojë e forcave brendavepruese dhe jashtëvepruese: ndërmjet tyre përmendim veprimet gërryese të rrymave të ujit që kanë shkaktuar shndërrime diku më të shpejta e diku më të ngadalta, në varësi të natyrës së shkëmbinjve që përbënin relievin ose të forcave të jashtme; në të vërtetë gërryerja vihet re më shumë në shkëmbinjtë e butë dhe në klimat e lagështa dhe më pak në shkëmbinjtë e ngjeshur dhe në klimat e thata. Gjeologët mendojnë se lumit të Kolorados i janë dashur rreth dy milionë vjet për të gërryer Kanionin e Madh. Kjo kohë paraqet dyfishin e tërë kohës së ekzistencës së njeriut në Tokë dhe është disa qindra herë më e madhe se koha e historisë së njohur e të shkruar të njerëzimit. Malet e Masivit Qendror të Evropës janë formuar 250 deri 300 milionë vjet më parë. Ato janë rreth pesëdhjetë mijë herë më të lashta se piramidat.

Dinozaurët kanë jetuar rreth 100 milionë vjet më parë, që është një kohë dhjetë mijë herë më e madhe se koha që ka kaluar që prej mbarimit të epokës së fundit të akullnajave. Amfiteatrot e mëdha të morenave janë formuar për shkak të veprimtarisë së akullnajave në ato kohë të largëta. Rrafshnalta bavareze paraqet një varg tarracash në nivele të ndryshme, që u përgjigjen një numri të njëjtë akullzimesh përkatëse. Përfytyroni një shkëmb gëlqeror që formohet mbi fundin e detit me një shpejtësi mesatare prej një metri në tri mijë vjet. Gjatë njëzet shekujve arrin të formohet vetëm një shtresë me trashësi 65 centimetra. Ja, pra, sesi, duke folur për shkëmbinjtë, filluam të flasim ,me gjuhën e gjeologëve, me periudha gjeologjike.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]