Rritja e qyteteve dhe e prodhimit zejtar

Rritja e qyteteve dhe e prodhimit zejtar

Vendosja e sundimit osman u bë pas luftërave pushtuese, që kishin sjellë pakësimin e numrit të qyteteve. Disa, si Drishti, Deja, Shurdhahu, që ekzistonin si qendra prodhimi e shkëmbimi në gjysmën e parë të shek. XV, ishin shkatërruar e zhdukur krejtësisht, kurse Kruja, Shkodra, Lezha, Durrësi, Berati, të shpopulluar e të dëmtuar rëndë, kishin mbetur në madhësi fshatrash. Edhe qytetet e pushtuara më përpara, si Gjirokastra, Vlora, Prizreni, Peja, etj., ende nuk ishin rimëkëmbur. P.sh., Kruja e Gjirokastra, dikur qendra të rëndësishme administrative dhe ekonomike, nuk kishin më shumë se 150 shtëpi secila në fillim të shek. XVI. Në këtë kohë Berati nuk kishte arritur as në 600 shtëpi. Qytetet nuk kishin mundësi ekonomike të brendshme ose të jashtme për një rimëkëmbje të shpejtë. Vetëm qyteti i Vlorës, që numëronte mbi 1 200 shtëpi, duke përfshirë 427 familje çifute, të ardhura nga Spanja e Portugalia, mundi të luante një farë roli në tregtinë e jashtme.
Me të vendosur sundimin e tyre, osmanët e ndryshuan fizionominë e organizimit të jetës qytetare. Qytetet kryesore shqiptare ata i bënë qendra të ushtrisë e të administratës dhe i shndërruan në vatra të përhapjes së fesë dhe të kulturës islamike. Vlora, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Vuçiterna, Peja, Shkupi, Manastiri, Ohri, Janina e Delvina, pavarësisht nga madhësia që kishin, u caktuan si qendra sanxhakësh. Përveç garnizoneve në to, u vendosën funksionarë të ndryshëm e në radhë të parë sanxhakbejlerët, kadilerët, subashët (funksionarë ushtarakë – administratorë të një vilajeti ose qyteti), dizdarët (komandantë kështjelle) etj. Qytetet të quajtura shehër u përfshinë në organizimin feudal, por me një status të veçantë, të dalluar nga ai i timareve në fshat. Prandaj banorët e tyre nuk u futën në kategorinë e rajave, por u quajtën shehërli, d.m.th. qytetarë.
Pushimi i veprimeve luftarake, krijimi i qendrave ushtarake e administrative, që u shoqërua me rritjen e kërkesës për mallra dhe me nevojën e shtimit të prodhimit, bëri të mundshme që nëpër qytetet të tërhiqej një numër më i madh krahësh pune nga radhët e fshatarësisë, veçanërisht prej atyre që iknin nga timaret për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë nën spahinjtë. Nga ana tjetër, tepricat, që u krijuan, si pasojë e përpjekjeve të fshatarësisë për të përmirësuar gjendjen e vet ekonomike, dhe detyrimet në natyrë, që grumbulloheshin nga spahinjtë, u derdhën gjithnjë e më shumë nëpër qytete. Kështu, popullsia e tyre filloi të shtohej dhe qarkullimi e prodhimi i mallrave të rritej. Banorët e rinj filluan të vendoseshin sidomos jashtë kështjellave. Lagjet e reja, të formuara prej tyre, u quajtën varoshe.
Hapa të rëndësishëm përpara drejt rritjes ekonomike dhe shtimit të popullsisë së qyteteve u bënë nga gjysma e dytë e shek. XVI. Tashmë ata i kishin kapërcyer pasojat negative të luftës dhe deri në një farë mase edhe veprimin frenues të faktorëve të rinj, që lindën me vendosjen e regjimit ushtarak osman dhe që ngadalësonin ritmet e zhvillimit. Por rigjallërimi i tyre u krye me ritme shumë të ngadalta dhe u arrit vetëm pas një periudhe të gjatë prej një shekulli. Në fund të shek. XVI numri i banorëve të qyteteve ishte rritur. Kështu, Prizreni arriti në 557 shtëpi, Prishtina 506 shtëpi, Trepça 447 shtëpi, Novobërda 366 shtëpi, Vuçiterna 286, Janieva 288 shtëpi.

Qyteti më i zhvilluar nga pikëpamja ekonomike në fund të shek. XVI ishte Berati, i cili kishte mbi 1 000 shtëpi dhe më shumë zejtarë e tregtarë se qytetet e tjera (638 zejtarë e 13 tregtarë). Sipas një udhëtari, duke qenë i vendosur në një vend pjellor dhe i lidhur me rrugë tregtare me Vlorën, Berati “ishte një qytet shumë i pasur me sende të ndryshme për nevoja të njeriut”. Qyteti tjetër i madh ishte Vlora. Në këtë skelë vinin prodhime të ndryshme nga vendet e Evropës, si pëlhura pambuku e mëndafshi, cohë leshi e kadifeje, stolira, prodhime lëkure etj., të cilat shpërndaheshin pastaj në qytetet e tjera. Nga Vlora eksportohej drithë, kripë dhe zift. Elbasani, i vendosur në mes të rrugëve tregtare që lidhnin Shqipërinë me krahinat e brendshme të Gadishullit Ballkanik, mori një zhvillim mjaft të shpejtë. Në fund të shek. XVI ai kishte rreth 900 shtëpi.

Në veri, qyteti i Shkodrës u bë shpejt qendra kryesore ekonomike e veriut me rreth 300 shtëpi. Shkodra kishte një pazar, ku përveç produkteve bujqësore tregtoheshin me shumicë mallra të tjera të konsumit të gjerë. Ai lidhej me Shirgjin, me Prizrenin e me qytete të tjera. Lezha, si skelë natyrore e Shkodrës, u bë qendër e rëndësishme e tregtisë tranzite në Shqipërinë e Veriut, veçanërisht për tregtinë e drithit. Duke grumbulluar, thuajse gjithë mallrat e krahinave veriore e verilindore që shkonin më pas në skelat e tjera të Adriatikut, Lezha pati nga tregtia të ardhura më të mëdha nga ato të Vlorës. Kjo skelë luajti një rol të madh për gjallërimin ekonomik të qytetit të Shkodrës.
Edhe Prizreni, që lidhej me rrugë tregtare me Shkodrën, mori një zhvillim të madh. Më 1538 ai kishte 117 dyqane dhe hane, kurse në fund të shek. XVI numëroheshin 246 zejtarë. Prizreni kishte tiparet e një qendre administrative me popullsi të madhe, ndofta nga më të mëdhatë në krahinën e Kosovës.

Në fundin e shek. XVI, qytetet, si Kruja, Gjirokastra, Delvina, Podgorica, Peja, Vuçiterna etj., megjithëse numri i banorëve të tyre u dyfishua, nuk arritën të kishin më shumë se 200-350 shtëpi. Durrësi e humbi rëndësinë ekonomike të mëparshme dhe kryente funksionin e një kështjelle bregdetare, kurse funksionin e qytetit filloi ta luante Kavaja.
Ndonëse asnjë prej qyteteve shqiptare nuk u shkëput krejtësisht nga prodhimi bujqësor, baza ekonomike e tyre në shek. XVI ishte në radhë të parë zejtaria. Zejtaritë që morën hov të shpejtë ishin ato që lidheshin më tepër me përpunimin e produkteve bujqësore-blegtorale, siç ishin regjia e lëkurëve dhe përpunimi i leshit. Krahas tyre u rritën edhe zejtaritë e tjera, prodhimi i të cilave plotësonte nevojat e fshatarëve, qytetarëve dhe të ushtarëve. Por mbizotërimi i ekonomisë natyrore në fshat nuk lejoi zhvillimin e gjerë të këtyre zejtarive. Në dokumente bëhet fjalë për rreth 55 zeje të ndryshme në qytete e sidomos lëkurëregjës, këpucarë, shpataxhinj, kafshëmbathës, rrobaqepës, takijepunues, berberë, qëndistarë, leshpunues, samarxhinj, kasapë etj. Nuk mungonin edhe argjendarët, gëzoftarët etj., që prodhonin artikuj luksi.

Ndryshoi edhe pamja e jashtme e qyteteve. Në përgjithësi ato përbëheshin nga dy pjesë kryesore: nga kështjellat e rrethuara me mure të larta, ku, përveç garnizoneve ushtarake dhe administratës qeveritare osmane, ishin vendosur edhe banorë të sferave ekonomike dhe nga lagjet e jashtme (varoshet) të banuara nga zejtarët, bujqit etj. Brenda kështjellave ndodheshin kryesisht ndërtesat qeveritare. Por, meqenëse muret rrethuese nuk lejonin shtrirjen e banesave, rrugët brenda kështjellave bëheshin gjithnjë e më të ngushta dhe çatitë e shtëpive shpeshherë mbulonin edhe rrugët publike. Tregu ndodhej gjithmonë jashtë mureve të kështjellës, në varoshet. Në afërsi të këtyre u ndërtuan dyqane dhe magazina sipas llojeve të zejeve, që përbënin embrionet e para të rrugëve zejtare-tregtare të ardhshme.
Gjatë shek. XVII, fshatarët, zejtarët dhe bujqit shtuan numrin e banorëve të qyteteve. Në të njëjtën kohë qyteti tërhiqte nga fshati edhe një numër spahinjsh. Në radhët e këtyre spahinjve kishte edhe të tillë, të cilët, duke mos pasur asnjë nxitje e interes të shkonin më në luftë, filluan të merreshin me veprimtari ekonomike.

Të dhënat e bashkëkohësve për numrin e banorëve të qyteteve shqiptare në shek. XVII, tregojnë qartë se qytetet e Shqipërisë, ndonjëri me ritëm më të shpejtë e ndonjë më të ngadaltë, u rritën pa ndërprerje, madje u krijuan edhe qytete të reja. Kështu, Elbasani kishte 28 lagje me rreth 4 000 shtëpi, Prizreni 3 620 shtëpi, Berati ishte me 30 lagje me 2 000 shtëpi, Shkodra me 15 lagje me 2 000 shtëpi, Prishtina, Vuçiterna dhe Gjirokastra me 2 000 shtëpi, Vlora me 1 300 shtëpi. Nga gjendja e fshatit ishin kthyer në qytete Pogradeci me 430 shtëpi, Tepelena me 300 shtëpi etj.

Ndërsa gjatë shek. XVI banorët e qyteteve ishin vendosur kryesisht në brendi të mureve të kështjellave ose në afërsi të tyre, në shek. XVII banorët e rinj vendoseshin sidomos në lagjet e jashtme. Shtëpi të thjeshta e përdhese, të ndërtuara me gurë dhe dërrasa e shpesh edhe me qerpiç, tregonin gjendjen e ulët ekonomike dhe kulturore të shumicës së banorëve të qyteteve tona. Por nuk mungonin shtëpi dykatëshe të rrethuara me kopshte, që u përkisnin funksionarëve myslimanë e shtresave të pasura, si edhe godina publike e fetare të mëdha e të hijshme, sidomos faltore myslimane – xhami e teqe.
Që nga gjysma e dytë e shek. XVII, qendrat e qyteteve kryesore ishin pajisur me kulla të larta, në të cilat ishin vendosur nga një orë e madhe me kambanë. Në dy shekujt e mëvonshëm u pajisën me kulla të tilla (kulla sahati) edhe qytetet më të vogla, si Kavaja, Korça, Tirana etj.

Ashtu si në një varg qytetesh ballkanike, edhe në qytetet shqiptare shumica e banorëve kishin përqafuar në shek. XVII besimin mysliman. Në Prizren, në gjysmën e parë të shek. XVII, kishin mbetur vetëm njëzet e dy shtëpi të krishtera. Elbasani, Berati, Vlora etj., kishin në gjirin e tyre vetëm pakica banorësh të krishterë. Në Shkodër e Ulqin nuk lejoheshin të vendoseshin banorë të rinj, të besimit kristian, prandaj këto qytete u shndërruan në qytete kryesisht myslimane. Mirëpo ndryshe nga tokat e Shqipërisë Veriore, Verilindore dhe të Mesme, në tokat e Shqipërisë Jugore dhe pikërisht në kazanë e Korçës, që lidhej me sanxhakun e Manastirit, shumica e banorëve të qytetit të Korçës e ruajti besimin e krishterë. Në Voskopojë e Vithkuq banorët ishin krejtësisht të krishterë. Ritmin e islamizimit të qyteteve tona e shpejtonin edhe shpërnguljet e banorëve të islamizuar nga fshatrat të cilët, me sa duket, e kishin më lehtë të pranoheshin në qytete. Por midis qytetarëve myslimanë në shek. XVII kishte një përqindje të mirë kristianësh të fshehur (kriptokristianët), të cilët, megjithëse kishin ndërruar besimin, në të vërtetë vazhdonin të ndiqnin fshehurazi fenë e vjetër. Madje pjesëtarët e tjerë të familjes, e veçanërisht gratë, ende nuk ishin islamizuar.

Me gjithë këto dallime, lidhjet ekonomike e shoqërore dhe besimi i sipërfaqshëm në fenë e re u bënë disa nga faktorët që nuk lejuan në përgjithësi veçimin e izolimin sipas feve të ndryshme të banorëve të qyteteve dhe të lidhjeve të tyre me fshatin e prejardhjes.
Megjithatë, për shkak të shkallës ende të ulët të zhvillimit ekonomik, ritmi i rritjes së qyteteve tona eci me hap relativisht të ngadalshëm. Një pjesë e forcave njerëzore, që shkëputeshin nga fshati, nuk mundi të vendosej në qytete, por mori rrugën e mërgimit.
Zhvillimi i prodhimit dhe i qarkullimit e bënë të domosdoshëm bashkimin e prodhuesve të vegjël qytetarë në organizata të veçanta sipas profesioneve, me rregulla të detyrueshme për të gjithë ushtruesit e zejeve dhe të tregtisë. Edhe shteti osman ishte i interesuar për disiplinimin e prodhuesve të vegjël në organizata zejtare, por me kusht që ky organizim të bëhej sipas sistemit osman të esnafeve. Me anën e këtij sistemi, pushteti qendror i fuste këto forca dhe prodhimin e tyre nën kontrollin e vet, nxirrte prej tyre mjaft të ardhura dhe i organizonte zejtarët në reparte pune apo ushtarake. Propagandistë të sistemit të esnafeve u bënë misionarë të posaçëm sektesh të ndryshme fetare islamike, ndër të cilët, më aktivët u treguan shehlerët spahinj që erdhën nga Anadolli.

Gjurmët më të hershme të organizimit esnafor i takojnë gjysmës së dytë të shek. XVI. Më 1580 në Elbasan ndeshen esnafet e tabakëve, terzinjve, leshpunuesve, takijexhinjve, shpataxhinjve, gëzoftarëve. Këto s’ishin gjë tjetër veçse ringjallja e korporatave të mëparshme në kushtet e sundimit osman, por të veshura me një vello fetare islame. Në shek. XVII-XVIII, sistemi esnafor u bë forma mbizotëruese e organizimit të jetës ekonomike-shoqërore të zejtarëve në mbarë vendin. Në Elbasan e në Shkodër 80 llojet e zejeve ishin përfshirë në 30 esnafe, në Berat kishte 22 esnafe, në Tiranë 17 esnafe, në Voskopojë 14 e në Korçë 20 etj.
Inkuadrimi i zejtarëve në organizatat esnafore u siguronte atyre jo vetëm lirinë e veprimit, por edhe atë të vetadministrimit, si edhe mbrojtjen me ligj nga shteti osman.
Si forma të organizimit të zejtarisë, esnafet ishin bashkime zejtarësh të një zeje ose të disa zejeve të afërta. Ato ishin të ndara sipas besimeve fetare, ndërsa udhëheqja e tyre apo llonxha ishte përqendruar në duart e përfaqësuesve të shtresës sunduese osmane. Edhe në krye të esnafeve të krishtera zakonisht qëndronin njerëzit e kësaj shtrese.

Të përbëra nga përfaqësues të kastës osmane dhe nga mjeshtër të pasur, anëtarët e llonxhës konsideroheshin të paprekshëm, sepse mbroheshin nga pushteti i sulltanit, që u kishte dhënë autonomi të plotë në çështjet e zejtarisë. Sipas pozitës shoqërore të secilit, këta anëtarë kryenin në esnafet e mëdha myslimane detyrat e qehajait (kryetarit të esnafit), ustabashit (kryemjeshtrit) që merrej me teknikën e prodhimit, myteveliut (kujdestarit) që administronte pasurinë, jigitbashit (kryetrimit) që kryente detyrat ushtarake etj. Drejtimin shpirtëror me esnafet myslimane e kishin klerikët. Në esnafin e vjetër dhe të rëndësishëm të tabakëve këtë drejtim e kryente shej, ahi, babaj, i cili kishte si mision kryesor predikimin fetar.

Vendimet e ndryshme të udhëheqjeve të esnafeve pasqyroheshin me shkrim nëpër regjistra të posaçëm, të cilët quheshin qytykë ose kodikë. Më të vjetrit që njihen deri tani si në Shqipëri, ashtu edhe në Gadishullin Ballkanik, janë kodiku i argjendarëve të Elbasanit (1622) dhe kodiku i gëzoftarëve të po këtij qyteti (1699). Në formën e vendimeve aty shkruheshin edhe rregullat për funksionimin e brendshëm të organizatës, që ktheheshin në ligje të detyrueshme për të gjithë anëtarët dhe njiheshin si të tilla edhe nga organet e pushtetit e nga ato gjyqësore. Kodikët përbëjnë në fakt statutet e esnafeve. Disa esnafe të rëndësishme arritën të kishin edhe statute të posaçme, të rregullta e të plota, siç ishte rasti i esnafit të tabakëve të Elbasanit, i cili qysh nga viti 1657 kishte statutin e vet të plotë që njihet si më i vjetri në Gadishullin Ballkanik. Edhe esnafi i bakejve të Voskopojës pati në vitin 1779 një statut të tillë të plotë. Krahas rregulloreve, esnafet kishin edhe ligjet e pashkruara (sulle), të mbështetura në traditën zakonore. Dallohen ato të 137 esnafeve të Pejës me emrin Sullet e Tabhanës.
Udhëheqja e esnafit shqyrtonte rregullisht gjendjen e pasurisë së përbashkët, e cila përbëhej nga shumat që mjeshtrat derdhnin në arkën e esnafit në formë taksash ose kuotash, nga taksat që derdhnin çirakët e kallfët me rastin e gradimit të tyre, nga gjobat, dhuratat etj. Por në këtë arkë hynin sidomos kamatat e shumave që u jepeshin në formë huaje, mjeshtrave të esnafit ose qytetarëve apo fshatarëve nevojtarë, me 20 për qind interes. Në këtë mënyrë arkat e esnafeve ishin kthyer në banka të vogla, të cilat jepnin ndihmesë për zhvillimin ekonomik dhe nxirrnin fitime të mëdha nga prodhuesit e vegjël. Një pjesë e produkteve përdorej si mjet për t’u siguruar të ardhura udhëheqësve të esnafit, shtetit dhe institucioneve fetare.

Të rinjtë mund të mësonin një zeje e të bëheshin mjeshtër, nëse punonin si çirak, pa pagesë, për një kohë trevjeçare, gjithsej 1 001 ditë. Në dokumentet e kohës çiraku cilësohej me emrat shegert, hyzmeqar, fiçor, djalë, adept etj. Pastaj çiraku shpallej kallfë. Mirëpo këtë shkallë në zeje ai nuk e fitonte pa derdhur në arkën e esnafit një taksë jo të vogël. Me t’u shpallur kallfë, ai fitonte të drejtën e pagesës (5-10 akçe në ditë). Kallfës së zakonshme nuk i duheshin më shumë se katër-pesë vjet kohë për të ngjeshur brezin e mjeshtrit. Por në shumë raste ata punonin edhe disa vite të tjera te mjeshtrat e tyre ose tek të tjerë, gjersa të mësonin “sekretet” e zanatit.
Një pengesë tjetër ishte taksa mjaft e rëndë që kandidati për mjeshtër duhej t’i paguante arkës së esnafit. Kështu, më 1622 nga 24 kallfë të argjendarëve të Elbasanit, 20 nuk ishin në gjendje ta paguanin atë. Afati i shlyerjes mund të zgjatej deri në një vit. Për kallfët e varfër një taksë e tillë bëhej shkak që ata të mos arrinin të merrnin titullin, aq të dëshiruar të mjeshtrit.

Një herë në vit, në një ditë të caktuar festash fetare, organizohej ceremonia e dhënies së brezit (testireve) ose të drejtës së mjeshtërisë. Brezi shoqërohej me pagimin e 150-500 akçeve. Pas ngjeshjes së brezit, mjeshtri i ri ndeshte në pengesa të reja; së pari, atij i dilte problemi i kapitalit për të hapur punishte më vete, pastaj për të gjetur ndonjë dyqan të lirë, sepse e drejta për të zënë një dyqan i përkiste më parë djalit e vëllait të mjeshtrit, që e kishte pasur e pastaj mjeshtrit të ri. Këto pengesa i detyronin një varg mjeshtrash të rinj të punonin me mëditje, të merrnin borxhe nga arka e esnafit ose nga mjeshtri dhe të mos ngrinin kokë edhe sikur të çelnin punishten e tyre. Krejt ndryshe ishte kjo rrugë për djemtë ose dhëndurët e mjeshtrave. Fryma e kastës u hapte këtyre rrugën që ua mbyllte të tjerëve.
Punonjësi çirak, kallfë apo mjeshtër mëditës detyrohej të punonte nga lindja e diellit gjer në perëndim të tij në ditët e gjata dhe në ditët e shkurtra para lindjes e pas perëndimit të diellit, domethënë rreth 13 orë kundrejt një pagese prej 5-10 akçesh në ditë, që vlente sa për t’u mbajtur gjallë. Punonjësi i pakënaqur ndëshkohej deri në rrahje në mes te pazarit, po të ngrinte zërin për çështje pagese e orari.

Esnafet në Shqipëri kryenin disa funksione të rëndësishme me karakter ekonomik, politik, ushtarak dhe fetar-arsimor. Esnafet interesoheshin për problemet e prodhimit dhe të qarkullimit të mallrave. Me dispozita të veçanta caktohej numri i punishteve në kuadrin e një zeje, shpërndarja e lëndës së parë, ndarja e punës midis degëve të ndryshme të prodhimit etj. Për të ruajtur cilësinë esnafet ishin të rrepta kundër atyre që shkelnin normat e standardet në fuqi. Vend të rëndësishëm zinte lufta kundër konkurrencës së lirë. Brenda qarkut të një mjeshtërie, ajo realizohej me rregullimin e prodhimit, duke filluar nga sigurimi i lëndës së parë deri te shitja e produkteve të gatshme. Esnafi blinte lëndën e parë, të cilën ua shpërndante në mënyrë të përpjesëtuar anëtarëve të vet. Anëtarëve u ndalohej shitja pa kriter e mallrave, tregtia ambulante, prodhimi jashtë nevojave të tregut, vendosja e çmimeve sipas dëshirës etj. Mjeshtrit duhet të ruanin me fanatizëm teknologjinë e prodhimit dhe çmimet e produkteve zejtare. Për disiplinimin e marrëdhënieve të përditshme ekonomike, esnafi rregullonte çështjet e njësive të matjes, të peshës, tarifat e transportit etj. Njësia më e madhe e peshës ishte barra ose ngarkesa e kalit. Në shek. XVI një barrë ishte e barabartë me 8 kille Stambolli ose me 4 kille Elbasani. Një kille Stambolli peshonte 20 okë, kurse ajo e Elbasanit 30 okë. Një okë ishte baraz me 400 derhem dhe një derhem baraz me 3,2 gr.
Esnafet kishin edhe funksione shoqërore. Duke edukuar të rinjtë me edukatën morale, me bindjen e përuljen ndaj më të mëdhenjve, të moshuarve e më të pasurve, për edukimin e një disipline të rreptë, ato zhvillonin një luftë të fortë kundër veseve, imoralitetit, vjedhjes, pirjes së alkoolit etj. Masat ndaj punonjësve nisnin me këshilla e vërejtje, vazhdonin me gjoba dhe përfundonin me largimin nga esnafi e nga qyteti.

Esnafet kryenin edhe veprime ndihme e solidariteti, duke i dhënë p.sh. nga arka e tyre lëmoshë familjes së ndonjë anëtari të vdekur, e cila mbetej keq nga ana ekonomike. Por esnafi nuk ngurronte të shiste shtëpinë dhe veglat e punës së të vdekurit, po qe se ai nuk e kishte larë borxhin. Edhe në rastet kur me emrin e esnafit ose të ndonjë vakëflënësi, ndërtohej ndonjë rrugë, çezmë apo diçka tjetër me karakter publik, shpenzimet për këto ndërtime përballoheshin nga fajdetë e grumbulluara prej shumave të dhëna hua te zejtarët ose tregtarët nevojtarë.

Esnafet kishin edhe funksione ushtarake e fetare në përputhje me rendin feudal ushtarak osman. Anëtarët e organizatave esnafore myslimane, që ishin të aftë për luftë, merrnin pjesë drejtpërdrejt në luftërat e perandorisë, qoftë si reparte me armë në dorë, qoftë si reparte pune. Anëtarët e tjerë, duke përfshirë edhe ata të esnafeve të krishtera, paguanin e pajisnin luftëtarët që i dërgonin në ushtrinë perandorake. Në përgjithësi këta luftëtarë zejtarë shërbenin për mbrojtjen e kështjellave të bregdetit shqiptar, meqenëse në shek. XVII-XVIII këto u përfshinë në zonat e kërcënuara nga ushtritë e flotat e huaja. Kështu, në vitin 1689 sulltani urdhëroi mobilizimin e esnafeve në luftën kundër Austrisë, duke kërkuar që të dërgonin ushtarë dhe sasi të mëdha rezervash ushqimore. Esnafet e Shkodrës kishin për detyrë të mbronin kështjellat e Ulqinit e të Tivarit, ato të Elbasanit, kështjellat e Durrësit e të Bashtovës, ato të Beratit, kështjellat e Vlorës e të Kaninës. Përveç mbrojtjes së kështjellave në kuadrin e funksionit ushtarak, esnafet kishin edhe detyrën e mbrojtjes së rendit publik në tregjet e qyteteve që rrezikoheshin nga vjedhjet, djegiet e nga grabitjet. Zakonisht këtë detyrë e zbatonin repartet e armatosura të të rinjve të pamartuar (beqarëve), që banonin në konakë të veçantë.

Lidhjet e forta të çdo esnafi me fenë shfaqeshin duke pasur çdo esnaf një profet ose shenjtor mbrojtës. Për nder të këtij, një herë në vit zejtarët ndalnin punën, përkujtonin anëtarët e vdekur dhe pastaj u jepnin testir çirakëve apo kallfëve. Në këto të kremte organizoheshin panaire lokale, nga të cilat institucionet fetare shtonin të ardhurat. Disa panaire të tilla, sikurse ai i manastirit të Ardenicës në Myzeqe, i manastirit të Shën Gjon Vladimirit në afërsi të qytetit të Elbasanit dhe ai i manastirit të Shën Naumit buzë liqenit të Ohrit etj., merrnin karakter ndërkrahinor meqenëse në to vinin zejtarë e tregtarë nga një varg qytetesh. Esnafet u jepnin përkrahje materiale, financiare e morale qoftë institucioneve fetare myslimane, qoftë atyre të krishtera. Ato i furnizonin me dyllë, me të holla për orendimin e zbukurimin e objekteve fetare, ndihmonin për ndërtimin e kishave e të xhamive. Në Voskopojë pjesa më e madhe e kishave ishte ndërtuar me shpenzime të esnafeve. Mitropolia e Korçës (1725) në pjesën më të madhe u ndërtua me ndihmat e esnafeve të këtij qyteti. Në Berat, Gjirokastër e në Delvinë kishte mesxhide me emrin e esnafeve që i kishin ndërtuar. Esnafet kremtonin të premtet, të dielat, pashkët, krishtlindjet, ujët e bekuar, Ramazanin, Bajramin, Mevludin, ditën e Ashures, Nevruzin dhe Shëngjergjin. Veprimtaria esnafore përfshinte edhe ngritjen kulturore e arsimore të anëtarëve të tyre. Ato ndihmuan në ngritjen e disa shkollave. Kështu, në vitin 1763 të krishterët e Elbasanit dhanë 122 000 akçe për ngritjen e një shkolle. Ndërtesa e Akademisë së Voskopojës u ngrit me ndihmën financiare të esnafëve të qytetit. Në vitin 1756 banorët e Gjirokastrës dhuruan 317 000 akçe për rindërtimin e një shkolle.

Në shek. XVIII qytetet shqiptare patën një zhvillim edhe më të madh. Në krye të qyteteve doli Shkodra me 40 000 banorë. Udhëtarët e kanë vlerësuar si një qytet të madh zejtar-tregtar. Tashmë ishte rritur roli i saj si qendër tregtie tranziti. Pazari ishte mbushur me njerëz të ardhur nga të gjitha anët e Turqisë evropiane. Prizreni kishte 15 000 banorë, Peja, Gjakova, Ulqini kishin nga 10 000 banorë, Elbasani kishte 15 000-20 000 banorë, Gjirokastra 12 000-15 000 veta. Nga niveli i një fshati Voskopoja arriti në 5 700 banorë.
Prodhimi i vogël i mallrave në shek. XVIII, gjithnjë e më shumë udhëhiqej tashmë kryesisht nga kërkesat e tregut, – nga nevojat e të gjitha shtresave shoqërore qytetare, nga ato të fshatarësisë përreth si dhe nga kërkesat, sado të pakta, të tregtisë së jashtme. Prandaj tregjet e qyteteve kishin marrë fytyrën e tregjeve lokale, që kishin një rreze veprimi më të gjerë se kufijtë e qytetit.

Në shek. XVII-XVIII, me përjashtim të disa qyteteve që u bënë qendra të tregtisë tranzite, qytetet shqiptare u rritën me një ritëm në përgjithësi të ngadalshëm. Mbizotërimi i ekonomisë natyrore në fshat dhe fuqia blerëse e kufizuar e banorëve të qyteteve, u bënë shkaku themelor që nuk lejoi zhvillimin e shpejtë të prodhimit zejtar. Megjithatë, vihet re një ndarje e punës shoqërore. Në përputhje me zgjerimin e nevojave të konsumatorëve, disa zeje të veçanta u shkëputën nga zejet mëmë. Kështu, ndërsa në shek. XVII në qytetet shqiptare kishte rreth 55 lloje zejesh, në shek. XVIII këto arritën në rreth 80. Disa prej tyre ishin fespunues, lëkurëregjës, punues papuçesh, mëndafshpunues, përpunues lëkurësh, rrobaqepës, berberë, nallbanë, biçakçinj, argjendarë, farkëtarë, bukëpjekës, kafexhinj, muratorë, qiripunues, bojaxhinj, shajakpunues, bozaxhinj etj. Nga zejet më të zhvilluara ishin degët e përpunimit të lëkurës, e prodhimit të pëlhurave, e metaleve, e ushqimeve dhe e ndërtimeve. Punimi i lëkurës zinte vendin e parë. Dega e zejeve të përpunimit të lëkurës, sidomos të regjjes dhe të ngjyrosjes, përveç kërkesave më të shumta të tregut të brendshëm dhe të ushtrisë, plotësonte edhe kërkesat e tregut të jashtëm. tabakët e Shkodrës, Prizrenit, Elbasanit etj., dalloheshin për mjeshtërinë e regjjes, të përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës. Zejtarët shqiptarë punonin lëkurë të çdo lloji, me ngjyra të kuqe, të verdha, punonin meshinin e hollë të bardhë, saftjanin e butë, kajserin. Prodhimi i lëkurëve “kordovane” tërhiqte një numër tregtarësh të huaj. Saraçët punonin artikuj të ndryshëm, si shala, rripa, pajisje të ndryshme për popullsinë dhe ushtrinë. Gëzoftarët punonin qyrke të bukura me lëkurë kafshësh të buta e të egra.

Shtimi i nevojave të popullsisë e të ushtrisë për prodhimet metalike, si edhe ekzistenca e minierave të hekurit, plumbit, arit e argjendit në Kosovë ndihmuan në zhvillimin e metalurgjisë. Zejtarët prodhonin mjete dhe vegla të ndryshme pune, orendi shtëpiake prej hekuri, gozhdë, potkonj e sidomos armë. Në Kosovë prej kohësh ishte krijuar një kategori zanatçinjsh (mademxhinj) që merreshin me përpunimin dhe rafinimin e disa metaleve, veçanërisht të argjendit, të hekurit, të arit, të plumbit e të bakrit. Zejet për prodhimin e armëve morën një zhvillim në shek. XVIII në Prizren, Tetovë, Shkodër e në Elbasan.

Edhe zejet artistike, sikurse rrobaqepësia e qëndistaria e kostumeve të bukura e të pasura shqiptare, argjendaria e zbukurimi i armëve, drugdhendja etj., u zhvilluan si pasojë e kërkesave të aristokracisë feudale dhe të shtresës së pasur të tregtarëve e të zejtarëve, si edhe të popullit të thjeshtë. Por meqenëse këto prodhime, veçanërisht ato me vlerë madhe, shkonin për një pakicë banorësh, dhe si rrjedhim patën një qarkullim të kufizuar, zejet artistike mbetën në përgjithësi të kufizuara brenda secilit rreth. Një kufizim i tillë ndodhte edhe për shkak se në çdo qytet prodhohej sipas shijeve e zakoneve të veçanta të qytetit dhe të krahinave përreth.

Në degën e zejeve të thurjes zuri vendin e parë prodhimi i shajakut, i njohur jashtë vendit tonë, me emrin shajaku shqiptar (arnaut kebesi). Rritja e konkurrencës së prodhimeve tekstile e të tregut të jashtëm, që nga viti në vit depërtuan edhe në qytetet shqiptare, bëri që edhe zejtarët e shajakut të mbeteshin në numër të kufizuar. Zejtarët shqiptarë zhvillonin veprimtarinë edhe jashtë tokave shqiptare. Në shek. XVIII në Selanik gjendeshin rreth 4 000 zejtarë shqiptarë. Ndërtuesit shqiptarë, sikurse ata të ujësjellësve, çezmave, shatërvanëve e kalldrëmeve, ushtruan veprimtarinë e tyre në Stamboll e në qytetet e tjera të mëdha të perandorisë, ku mjeshtrit shqiptarë dalloheshin për cilësinë e lartë të punimeve të tyre.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]