Rrymat e sipërfaqes dhe të thellësisë

Rrymat e sipërfaqes dhe të thellësisë

Rrymat bregdetare, aleatet besnike të dallgëve në luftën kundër kontinenteve, shkaktohen kryesisht nga veprimi i këtyre të fundit, krahas veprimit të erës dhe të baticave e zbaticave. Mënyra në të cilën veprojnë këta faktorë varet nga forma e vijës bregdetare dhe nga thellësia e ujit. Veprimi i tyre është shumë i rëndësishëm: disa brigje e ndryshojnë pamjen vazhdimisht për shkak të veprimit të këtyre rrymave. Rrymat që rrjedhin gjatë brigjeve të deteve grumbullojnë materialet e shkërmoqura, i mbartin për disa kohë dhe pastaj i lënë të fundërrojnë, duke formuar bankina rëre, basifonde e madje edhe ishuj. Përgjatë brigjeve të detit në të gjithë botën, çdo vit nga trojet e bregdetit shkëputen miliona tonelata rërë e argjilë dhe depozitohen pastaj disa kilometra më tutje. Me kohë, nga veprimi i erës dhe i rrymave brigjet e parregullta synojnë të bëhen të drejta. Toka që futet në det goditet dhe gërryhet vazhdimisht; në të njëjtën kohë, gjiret e vogla synojnë të rimbushen dalëngadalë me rërat e sjella nga baticat dhe nga rrymat, kur këto të fundit e lënë rërën mbasi humbasin shpejtësinë.

Edhe rrymat e mëdha oqeanike marrin pjesë në shkatërrimin e kores tokësore. Këto rryma shkaktohen kryesisht nga ndryshimi i dendësisë së ujit, nga lëvizja rrotulluese e Tokës dhe nga faktorë të ndryshëm atmosferikë. Uji i sipërfaqes, që ftohet në gjerësitë e larta gjeografike, zbret me ngadalë drejt fundit të oqeanit dhe merr rrugën drejt ekuatorit. Si kundërpërgjigje, uji i ngrohtë i sipërfaqes në zonat ekuatoriale vërshon drejt poleve. Rrymat detare krijojnë shtjella rrethore (me drejtim të kundërt në anët e ndryshme të ekuatorit), të cilat ndikohen edhe nga forma e pellgut oqeanik dhe, siç thamë më sipër, edhe nga rrotullimi i Tokës. Këto rryma janë përgjithësisht të ngadalshme: kanë një shpejtësi prej 7-8 kilometrash në orë, ose dhe më pak. Por edhe me këtë shpejtësi ato janë në gjendje të shkëputin sasi jashtëzakonisht të mëdha rëre dhe fundërresash të tjera.

Oqeanografët kanë zbuluar në oqeanin Atlantik rryma nëndetare që lëvizin me shpejtësi prej 100 kilometrash në orë. Kur uji i ftohtë i deteve polare vërshon për mijëra kilometra drejt gjerësive më të vogla, formohen rryma me fuqi vigane. Rryma të tilla kanë gërryer në vargmalet kontinentale dhe nënujore gremina e gryka dhe kanë krijuar disa nga luginat më të thella me funde shkëmbore. “

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]