Shtjella e kohës

Në kohën e Babilonisë së lashtë, katër mijë vjet më parë, priftërinjtë mendonin se Toka ishte krijuar nga një pështjellim që kishte ndodhur dy miliardë vjet më parë. Gjatë një kohe kaq të madhe mund të kishin ndodhur shumë gjëra. Po shkencëtarët e kohëve të reja, duke lexuar historinë e lashtë, do të mendonin që Toka është shumë më e re, mbase dhjetëmijëvjeçare, ose pesëdhjetëmijëvjeçare. Ai që ne e quajmë qytetërim nuk ka më shumë se gjashtë mijë vjet që ka filluar! Por a do të ishte e mundur që brenda pesëdhjetë mijë vjetëve të sheshoheshin vargmale të tëra, të formoheshin shkëmbinj me kilometra të lartë, ose të gërryheshin gryka të thella malore mijëra metra të gjata?

Këtu qëndronin dyshimet. Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë e vërteta filloi dalëngadalë të çante rrugë. E fshehta e Tokës është Koha. Të gjitha provat që kishin arritur të grumbullonin gjeologët, tregonin që proceset gjeologjike futnin në valle miliona vjet. Dikush llogariti sasinë e kripës së oqeaneve. Dihej që kjo kripë njëherë e një kohë gjendej në tokë dhe gjatë shekujve ishte çuar në dete me anë të lumenjve. Sa kohë kishte vazhduar ky proces? Edhe në këtë rast, me sa duket, kemi të bëjmë me miliona vjet.

Gjeologët ngjiten nëpër male, matin shtresat e ngjeshura shkëmbore dhe llogaritin pjesët e gërryera të këtyre maleve. Duke vepruar kështu, hap pas hapi, ata llogaritnin gërryerjen mesatare dhe kohën që është dashur për t’u krijuar ky reliev që shohim sot; edhe në këtë rast duhet të kenë kaluar dhjetëra milionë vjet. Sa kohë do të jetë dashur, pyesin gjeologët, për formimin e shtresave shkëmbore nga copërat e shkëmbinjve dhe nga mbeturinat e tjera të kores së Tokës? Mesatarja e formimit ndryshon së tepërmi nga njëri vend në tjetrin. Sidoqoftë, le të marrim mesataren e formimit të gurit gëlqeror në Grykën e Madhe të Kolorados: tridhjetë centimetra çdo tre mijë vjet. Shtresat e zbuluara të gurit gëlqeror janë shumë-shumë 450 metra të trasha.
Teoria e evolucionit flet gjithashtu për një kohë jashtëzakonisht të madhe të jetesës së Tokës. Sipas Çarlz/Darvinit dhe pasuesve të tij, organizmat e gjallë janë zhvilluar duke u nisur nga krijesa të thjeshta, njëqelizore e duke arritur deri në një qenie kaq të ndërlikuar dhe të mahnitshme siç është njeriu. Por evolucioni ndodh jashtëzakonisht ngadalë, kaq ngadalë, saqë gjatë gjithë historisë njerëzore ndryshimet që vihen re në botën bimore dhe shtazore të Tokës, janë shumë të vogla. Për shndërrimet e shumta në format e gjalla, që dalin në pah nga fosilet e gjetura nëpër shkëmbinj, duhen miliona vjet.

Në fillim të shekullit të njëzetë shumë gjeologë kishin bindjen se mosha e planetit duhet të jetë disa qindra milionë vjet. Por metodat e tyre të vlerësimit kanë qenë të pasakta. Fizika bërthamore zhvilloi një metodë më të saktë, të bazuar në eksperimente me rreze radioaktive. Kjo tregoi se shkëmbi më i vjetër që njihet deri tani, ka më se dy miliardë vjet që është formuar. Në këtë drejtim, përfundime me rëndësi të madhe kanë arritur edhe një kategori tjetër shkencëtarësh-astronomët. Ata përdorin teleskopë të rinj të mëdhenj për të vrojtuar ndryshimet fizike që ndodhin në Diell dhe në yjet e tjera. Kanë llogaritur që hidrogjeni i Diellit ka dhjetë ose pesëmbëdhjetë miliardë vjet që digjet. Prandaj Tokës, për të arritur në fazën e tanishme të zhvillimit — qoftë sikur Të ketë lindur nga një masë e ftohtë, qoftë nga një masë e shkrirë — do t’i jenë dashur katër ose pesë miliardë vjet. Është e vërtetë: e fshehta e Tokës është Koha!

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]