Shtresë mbi shtresë

Kur shohim lloje të ndryshme shtresash fundërresore në një vend të vetëm, për shembull në një shkëmb në det, duhet të kemi parasysh që çdo shtresë paraqet kushtet e ndryshme të mjedisit ku kanë ndodhur fundërrimet. Në një vend ku delta e një lumi është kthyer në fund deti, pra nuk është më deltë, do të vërejmë këto shtresa: argjilë në fund, pastaj gëlqerorë, mandej argjilë dhe së fundi zall e rërë. Këto shndërrime mund të shpjegohen me ngritjet dhe uljet e nivelit të detit. Shumë funde detesh të thella, të mbushura me argjilë dhe gurë gëlqerorë, janë ngritur derisa janë kthyer në kontinente dhe bile në vargmale. Këto lëvizje zakonisht sjellin si pasojë pjerrësimin, zgjerimin, ndrydhjen, rrudhosjen ose thyerjen e shtresave. Herë pas here magma që ngjitet nga thellësia e tokës mund të kalojë përmes shtresave në drejtimin vertikal ose mund të futet nga një shtresë në tjetrën, duke formuar kështu damarë vertikalë ose damarë shtresorë.

Presioni dhe nxehtësia mund t’u shndërrojë shkëmbinjve si pamjen ashtu edhe vetë natyrën e tyre. Për shembull, argjilat shndërrohen në rrasa dhe rrasat në një lloj shkëmbinjsh të ndritshëm e të hollë që quhen «mikarreshpe». Në këtë mënyrë shkëmbinjtë kanë kaluar me shpejtësi nëpër një proces të quajtur metamorfizëm. Shkëmbinjtë fundërresorë, si edhe të tjerët, i nënshtrohen erozionit. Ata, duke qenë më të butë se shkëmbinjtë shpërthimorë, janë të prirur që të shkatërrohen të parët. Me kohë ata rrënohen dhe prej tyre mbeten vetëm copëra, nga të cilat formohen shkëmbinj të rinj. Sidoqoftë, asnjëherë nuk mund të thuhet me saktësi se sa herë kanë kaluar kokrrizat e shkëmbit fundërresor në faza të ndryshme që nga kohët e lashta.

Korja e Tokës është e mbuluar nga shkëmbinj fundërresorë dhe shpërthimorë. Ndofta të gjitha kontinentet kanë qenë të mbuluara në periudha të ndryshme nga shtresa fundërresore. Megjithatë, ka vende ku shkëmbinjtë fundërresorë nuk hasen; ata mund të jenë gërryer nga erozioni, të jenë mbuluar nga shtresa lave ose dheu ose të kenë pësuar shndërrime nëpërmjet procesit të metamorfizmit. Në të gjitha kontinentet shtresat fundërresore paraqiten të ndryshme. Formacionet sipërfaqësore ndryshojnë nga vendi në vend dhe mund të jenë formuar në periudha të ndryshme. Nën sipërfaqe zakonisht ka shtresa të tjera, nganjëherë të përkulura, të përdredhura, të rrudhura, që paraqesin kështu një problem të vështirë për gjeologët.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]