Si lind vullkani

Aty-këtu, veçanërisht në zonat malore, magma çan rrugë nëpër të plasurat e kores dhe arrin më në fund në sipërfaqe, ku mund të vërshojë dhe të përhapet në tokë në formë lave. Në qoftë se vërshimi i magmës sipër vazhdon për një kohë mjaft të gjatë, mund të formohet ai që ne e quajmë vullkan. Një vullkan përbëhet kryesisht nga një kanal ose nga një oxhak vullkanik, brenda të cilit ngjitet lava, dhe nga kodrinat ose mali me formë konike i formuar nga materiale vullkanike të grumbulluara rreth e rrotull grykës së kanalit, ose kraterit.

Magma që vërshon sipër ka një temperaturë shumë të lartë, mbi 1.000 gradë. Është e pasur me gaze dhe mund të shkrijë shkëmbinj dhe metale. Mund të shkëputë dhe të zvarritë larg oxhakut masa të tëra shkëmbinjsh. Kur ndesh në ujë të nëndheshëm, e shndërron atë në avull dhe e merr me vete. Duke u ngjitur, magma i nënshtrohet një shtypjeje gjithnjë e më të vogël nga ana e materialeve; përveç kësaj, ajo ftohet pak. Zvogëlimi i shtypjes dhe ftohja nxitin shndërrimin e lëndëve që përbëjnë magmën. Disa lëndë kalojnë me shpejtësi nga gjendja e lëngët në atë të gaztë. Por gazet zënë vëllim më të madh se lëngjet, kështu që, kur magma arrin në sipërfaqe dhe del nga krateri, ato zgjerohen, duke bërë që magma të shkumbëzojë, të valojë dhe të shpërthejë. Në qoftë se ftohja është e madhe, masa shkumbëzuese synon të ngurtësohet dhe të ngjitet lart me ngadalë. Kjo mund të shkaktojë një rritje të presionit në oxhakun vullkanik dhe krijon kushte për shpërthim, për shkak të gazeve që digjen në brendësi.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]