Sofroni i Jerusalemit

Sofroni i Jerusalemit

(greqisht: Σωφρόνιος) Sofroni i Jerusalemit (580-637) ka lindur në vitin 580 në Damask të Sirisë. Të atin e quanin Plintha dhe të ëmën Miru. Kishte shumë aftësi mendore dhe arriti të merrte një arsim të lakmueshëm, ndaj dhe u quajt Sofisti “i Urtë”. Kur ishte në moshë të re bëri një vizitë në Vendet e Shenjta dhe atje hyri në manastirin e Oshënar Theodhosit, ku u lidh me murgun e urtë Joan Mosku. Bashkë me të udhëtoi në Egjipt, ku u njoh me Shën Joan Përdëllyesin. Atje e zuri një sëmundje e pashërueshme e syve, por u shërua nga anargjendët e shenjtë Kir dhe Joan me anë të mrekullisë, të cilën ai vetë e përshkroi në një fjalim për nder të tyre. Së bashku me Moskun vizituan Malin Sina, Qipron dhe Romën. Në Romë Mosku vdiq dhe oshënari e solli lipsanin e tij ne Jerusalemin e pushtuar nga persët, ku e varrosi në manastirin e Oshënarit Theodhos. Më vonë shkoi në Aleksandri dhe Kostandinopojë, duke u munduar të luftojë herezinë e monofizitëve, por nuk pati rezultat dhe u rikthye në Jerusalem. Në 16 dhjetor të vitit 634 u zgjodh Patrik i Jerusalemit, duke zëvendësuar Modestin. Përveç heretizmit të mëparshëm tashmë u paraqitej edhe një rrezik tjetër i madh, arabët. Në një sinod, Hierarku dënoi herezinë dhe njëkohësisht u mundua të organizonte mbrojtjen e Qytetit të Shenjtë, por me gjithë rezistencën e madhe, në fund u detyrua të dorëzojë qytetin te Kalifi, me kushte të favorshme. Hierarku fjeti në vitin 637. Shkrimet: 1) Dogmatike. Kundër Monotelitizmit, 2) Fjalime panagjirike rreth Gjenezës, Ungjillëzimit, Ipapandisë etj. 3) Jetë shenjtorësh Sofroni mendohet të ketë shkruar jetën e Oshënares Maria nga Egjipti.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]