Spiridhoni

(greqisht: Σπυρίδων) Spiridhoni ka lindur në vitin 270 në Trimithundë të Qipros. Ai ishte një bari i thjeshtë. Qe njeri i drejtë, i devotshëm dhe i pastër moralisht. Spiridhoni ishte i martuar me një grua shpresëtare, me të cilën lindi disa fëmijë. E shoqja i vdiq herët dhe me rritjen dhe edukimin e fëmijëve u mor vetë Spiridhoni. Nga kërkesat dhe dëshirat e bashkatdhetarëve të vet u dorëzua meshtar dhe si i tillë ai vazhdoi të gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithëve. Kur mbeti i lirë froni episkopal i Trimithundës, sinodi i shenjtë e zgjodhi atë. Në Sinodin I Ekumenik të Nikeas (325) Shën Spiridhoni me anën e një mrekullie shpërbëri një tjegull në komponentët përbërës të saj: baltë, ujë dhe zjarr. Këtë mrekulli e bëri për t’u paraqitur heretikëve arianistë dogmën e Trinisë së Shenjtë (një substancë në tre hipostaza). Shën Spiridhoni ka kryer shumë mrekulli. Ai shëronte të demonizuarit dhe të sëmurët. Një prej tyre ka qenë edhe perandori Konstand (337- 361). Spiridhoni ndërroi jetë në moshë të kaluar. Lipsanet e tij të shenjta gjenden në Korfuz.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Shën Spiridhoni, Ngjallja, dhjetor 1993, faqe 6.

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]