Sulmet parciale komplekse
(Term neurologjik – Mjekësia)
Ky lloj i sulmeve më parë është quajtur epilepsia psikomotorike ose epilepsia e lobit temporal. Shfaqet si pasojë e lezionit në sistemin limbik, zakonisht në lobin temporal, nganjëherë në lobin frontal. Shkaktari më i shpeshtë i sulmeve parciale komplekse është një lezion perinatal me origjinë hipoksike (skleroza mesiale temporale ose skleroza hipokampale). Ndër shkaktarët tjerë bëjnë pjesë: anomalitë kongjenitale të zhvillimit ( çrregullimet e migrimit të neuroblasteve), traumat dhe tumorët e trurit. Sulmet parciale komplekse paraqiten me manifestime senzorike, të sjelljes, psikomotorike, autonomike me vetëdije të çrregulluar. Çrregullimet senzorike ose krizat uncinatus shfaqen me dismorfopsi, pra pacienti i sheh gjërat shumë të mëdha (makropsi) ose shumë të vogla (mikropsi).p.sh. „Liza në botën e çudirave. Pacienti mund të ketë ndjenja gustatore dhe olfaktore të pakëndshme. Tek manifestimet e sjelljes dhe psikomotorike vijnë në shprehje gjendje diskognitive me ndjenja të tepruara të familjaritetit si „déja-vu“ ose me të kundërten si „jamais-vu“. Disa fragmente apo skena të vjetra, nganjëherë edhe përjetime traumatike, mund ti shfaqen pacientit shume kjartë para syve ose mund të ketë shkëputje të menjëhershme të memorjes. Frika dhe anksioziteti jane përjetimet më të shpeshta, ndërsa rrallë pacienti përshkruan ndjenja të nervozës dhe zemërimit. Komponentet motorike të sulmit, nëse shfaqen, janë në formë të automatizmave si pickimi i buzëve, gëlltitja, përtypja, pështymja dhe lëvizja e duarve. Pacienti mund të sillet në një përgjumësi („dreamy state“ ) dhe të bëjë sjellje të çuditshme si : zhveshje në publik ose të flasë gjëra pa kuptim. Nëse pacienti para humbjës së vetëdijes ishte duke ecur, ngrënë, lexuar ose vozitur, kjo mund të vazhdojë, por nëse e pyesim pacientin, ai nuk do të përgjigjet fare ose do të thotë diçka që nuk përket me pyetjen në mënyrë stereotipike.
Portali — Neurologjia
Portali — Mjekësia