Të fshehtat e lumenjve

Njëlloj si malet dhe luginat, edhe lumenjtë njeriu i ka parë me një naivitet shumë të madh deri në kohët e sotme. Atij i dukej se edhe lumenjtë janë krijuar njëkohësisht me të gjitha gjërat e tjera dhe se ishin të vjetër sa vetë planeti ynë. Të paktë ishin ata lumenj që, ma sa mund të mbante mend njeriu, ishin krijuar në një mënyrë të mistershme, ose ishin zhdukur në një mënyrë po aq të pakuptueshme…Për njerëzit e lashtësisë dhe për të diturit e mesjetës lumi nuk ishte gjë tjetër veçse ujë që rrjedh nëpër tokë, duke përshkuar një luginë që shërbente si kanal.
Studiuesit pyesnin veten se nga vinte uji i tyre, por ama askush nuk i kishte shkuar ndonjë lumi deri në burimin e tij. Ndonëse Aristoteli kishte pohuar se bora ose shiu i ushqenin lumenjtë me ujë nëpër vendet malore, deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë, mendimi më i përhapur për prejardhjen e lumenjve ka qenë ai i studiuesit gjerman Kirsher; sipas tij uji e ka prejardhjen nga malet, prej nga ai rrjedh nëpër luginat derisa zbret në fushë, pastaj mbërrin në det, kullon nëpër fundin e tij dhe në njëfarë mënyre gjen një rrugë të nëndheshme për t’u kthyer në malet, prej ku nis sërish udhëtimin. Në atë kohë, gërmimi i puseve filloi t’u mësonte njerëzve diçka për ujërat nëntokësore, rreth të cilave thureshin legjenda dhe tregime të pabesueshme, nga të cilat nuk mund të formojë një mendim të saktë për prejardhjen e lumenjve.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]