Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu gjithë perandorinë dhe që ishte arsyeja themelore e krizës së saj, nuk pati kudo përpjesëtime të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku prona private ishte zhvilluar më ngadalë, kjo krizë nuk qe aq katastrofike sa në provincat perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia fitoi një rëndësi të madhe. Në fshatin ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve të shkruara në Ilirik ka pasur fshatarë të pasur që kishin skllevër, të cilët ishin, kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në provincat ilire, për një farë kohe u gjallëruan edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që i shtuan pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por latifondet qenë relativisht të pakta dhe të kufizuara në ultësirat bregdetare.
Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë Romake, në provincat ilire fshatarët e lirë mbetën edhe për një farë kohe një forcë e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së lirë fshatare dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët, të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë dhe për taksat e ndryshme. Në zonat e brendshme malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare, pjesëtarët e të cilave ishin zotërues tokash.
Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një zhvillim të bujqësisë dhe të vendbanimeve fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore prej hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese në inventaret e varreve të kësaj kohe, që u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla. Vendbanimet fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej tyre qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat në kohën e krizës kishin kaluar në duart e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi të shtohet numri i kolonëve, një dukuri që njihej edhe më parë. Kolonët në fillim kanë qenë qiramarrës të lirë dhe vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të rrënuar dhe të mbetur pa tokë.
Kolonë zunë të bëheshin edhe robërit e luftës. Borxhet, që erdhën duke u shtuar i shkatërruan kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë pjesë të pandarë të tokës. Në përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në Ilirik ka qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve. Në kushte të tilla kolonët braktisnin shpesh tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin, me anë të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë ata që fshihnin kolonët e ikur gjobiteshin, kurse kolonët e arratisur duhej të ktheheshin me forcë në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa herë, por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë u lëshua një urdhër i posaçëm për kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve pa tokën, kështu që këta të fundit u shndërruan në një shtresë shoqërore që lidhej me tokën.
Të gjitha masat që mori perandoria në kohën e krizës në fushën e marrëdhënieve agrare kishin të bënin me politikën fiskale të saj. Taksat që paguanin pronarët e tokave caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së tokës që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve që punonin në to. Kolonët mbetën të lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e bujkrobërve të kohës së mesjetës.
Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme pati përfshirë edhe mjaft qytete të provincave ilire, sidomos të atyre jugore, duke ndikuar në rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në atë masë si në pjesën perëndimore të perandorisë. Qytete të rëndësishme, si Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë tjetër që si koloni, municip apo qytet “i lirë” i qenë përshtatur organizimit administrativ, me fillimin e krizës së sistemit antik të prodhimit e me rënien e ekonomisë morën tatëpjetën për t’u zhdukur më vonë bashkë me ato qytete ilire që kishin filluar të binin që në dy shekujt e parë të erës sonë. Disa prej këtyre qendrave të vjetra qytetare nuk mundën të qëndrojnë si të tilla edhe pse u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri që nis të duket në shek. IV e. sonë ka qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të lashta e të reja, të fortifikuara me nismën e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i të cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e perandorisë.
Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të ndryshëm. Së pari, duhet theksuar rënia e pronës së vogël e të mesme bujqësore të lidhura me qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë tiparet e një ekonomie skllavopronare. Gjatë shek. IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan nga perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në duart e pronarëve të mëdhenj. Pronat e mëdha tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira luanin asokohe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të perandorisë. Në këto prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën u morën në latifondet skllevërit e kolonët dhe në fshatrat zejtarët e lirë. Pranë tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë së qyteteve dhe u krijuan tregjet. Qytetet humbën edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke kaluar nën vartësinë e prokuratorëve, të cilët ishin emëruar nga sundimtarët e provincave. Edhe gjendja e shtresës së lartë qytetare ishte keqësuar shumë.
Kuritë që kishin zënë vendin e dekurionëve të mëparshëm, të cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u pakësuan. Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin nga qytetet detyrimet e taksat, por ishin të detyruar të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë një barrë e rëndë; nën shtrëngimin e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e trashëgueshme. Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet e rënda largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat ose duke u futur në ushtri. Në gjysmën e dytë të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje për të rimëkëmbur kuritë qytetare, por pa sukses. Rendi i kurive e kishte jetuar kohën e tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve perandorakë, të cilët u pasuruan në sajë të shpërdorimeve që bënin në kurriz të shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje vazhdoi në ato qytete që përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe qytete, të cilat mbetën si qendërbanime të rëndësishme, sidomos në ultësirën bregdetare. Në një burim të shkruar, kur tregohet për pushtimet e bëra nga Teodoriku në provincën e Epirit të Ri thuhet: “askush nuk do të duronte që ai të mbante qytete kaq të mëdha”. Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i cili jo vetëm ruajti fizionominë e tij, por nga shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit, pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm, ka qenë Dyrrahu. Ai ishte njëkohësisht edhe kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës. Mbetën si qendra qytetare, edhe pse për një farë kohe u degraduan si kështjella me karakter më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të Lisit, të Antipatresë, të Aulonit, të Kaninës, të Adrianopolit, të Justinianopolit, të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse ndodhi me Skampinin.
Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave veriore dhe të brendshme ilire, të cilat kishin reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një ngritje të madhe të atyre degëve të zejtarisë që lidheshin me ushtrinë. Për këtë qëllim u zgjerua punimi i hekurit dhe punishtet për përpunimin e tij. Në provincat ballkanike prodhohej rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti Nais i Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin punishtet e mëdha perandorake për prodhimin e armëve. Nga provincat e Dalmatisë dhe të Dardanisë, sipas një burimi të shkruar të kohës, vazhdonin të tregtoheshin si mallra të kërkuara, hekuri, druri dhe prodhimet blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete, gjendja që u krijua në përgjithësi në qytetet e provincave ilire që kishin përballuar krizën, qe e rëndë. Kjo bëri që perandorët të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin e shtresave të ulëta e të mesme qytetare të përbëra nga zejtarët, tregtarët, pronarët e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat shtetërore. Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut u krijua institucioni për mbrojtjen e shtresave të ulëta qytetare, i cili duhej të kishte pushtet në çështjet policore, juridike dhe financiare. Por këto masa nuk u zbatuan dhe gjendja e vështirë e popullsisë së qyteteve të Ilirikut nuk u përmirësua; nëpunësit perandorakë vazhduan veprimet e tyre grabitëse, sepse më vonë dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën frymë. Ashtu si në pronat bujqësore e në fshatrat, edhe në qytete u lëshuan urdhëresa perandorake që të siguronin pagesën e rregullt të taksave dhe furnizimin e ushtrisë me mallra e prodhime të ndryshme. Në shek. IV të gjithë zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin në kolegje nga të cilat as fëmijët e tyre që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin. Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar, edhe shtresat e ulëta qytetare nuk e duruan këtë gjendje, ndaj ngritën krye, duke u bashkuar edhe me “barbarët” që invadonin gjithnjë e më shpesh Gadishullin Ballkanik.