TOKA PËSON SHNDËRRIME

Kur shikojmë një mal ose një shkretëtirë, një luginë ose detin, na krijohet përshtypja se ato kanë qenë gjithmonë ashtu siç i shohim sot. Njeriu mund të presë një pyll ose të rrafshojë një bregore të vogël, por a është e mundur të ngrihet një mal ose të ngushtohen kufijtë e një oqeani? Megjithatë, në të vërtetë Toka pëson një shndërrim të pandërprerë. Ky proces vazhdon prej miliarda vjetësh dhe do të vazhdojë edhe për shumë miliarda vjet të tjerë. Disa ndryshime që ndodhin në planetin tonë janë të papritura dhe mahnitëse. Kur një vullkan shpërthen me tym e flakë, kur një lumë del nga shtrati, ose kur një tërmet shkund tokën, ne sigurisht që i vëmë re këto dukuri. Por shumica e ndryshimeve që ndodhin në Tokë janë të ngadalshme. Duhen pesë ose dhjetë milionë vjet për t’u formuar një shkretëtirë, njëqind mijë vjet që të krijohet një luginë e vogël, dhjetë milionë vjet për formimin e një vargmali. Po Toka ka kohë boll për t’i bërë këto gjëra.

Le të mendojmë pak për ndryshimet që po ndodhin në këtë çast. Të gjitha malet, kudo në botë, në këtë çast vazhdojnë të shkatërrohen. Akujt, forca e rëndesës,ujërat që rrjedhin nëpër shpatet e tyre — të gjitha këto marrin pjesë në shkatërrimin e tyre të ngadalshëm. Do të vijë një ditë që malet më të larta të botës nuk do të ekzistojnë më. Në disa zona fundi i detit pëson ngritje. Pas shumë kohësh aty do të formohet tokë. Ngritja mund të mos jetë më e madhe se dy-tre centimetra në vit, po Toka ka kohë me bollëk!

Ka vende ku deti përparon vazhdimisht dhe pushton brigjet. Do të vijë një ditë që në ato vende ku sot ngrihen qytete madhështore, do të notojnë peshqit. Jo më shumë se 10.000 vjet më parë fusha të mëdha akulli mbulonin pjesën më të madhe të Evropës Veriore dhe të Amerikës Veriore. Akujt, pasi u shkrinë, u tërhoqën deri në zonat arktike. Po klima mund të zbutet akoma më shumë dhe, pasi të kalojnë edhe nja 10.000 vjet të tjerë, Gadishulli Skandinav mund të ketë një klimë të ngrohtë, si ajo që kanë sot vendet e Mesdheut.

Edhe pse sot mund të mahnitemi me pamjen e jashtëzakonshme të Kanionit të Madh të Kolorados, duhet të mendojmë se dikur ka pasur dhe në të ardhmen do të ketë pamje edhe më të habitshme. Në disa vende të botës lumenjtë kanë filluar punën me kohë për të gërryer kanione të tjera, të reja. Gjatë kohës që kodrat shkatërrohen, mbeturinat e tyre — rëra, argjila, gurët, — merren dhe çohen nga ujërat nëpër lugina, ku dalëngadalë, shtresë pas shtrese, grumbullohet ky material që dikur formonte shkëmbinjtë. Po të mendojmë se shpejtësia e grumbullimit të këtyre materialeve është gjysmë metri në një mijë vjet, këto fundërrime dalëngadalë, duke u shndërruar sërish në shkëmbinj të fortë, në disa vende do të arrijnë të formojnë një trashësi prej një kilometri.

Në shtresat e zbuluara të shkëmbinjve të fundërruar gjejmë fosile, mbeturina ose gjurmë të kafshëve ose të bimëve që kanë jetuar në kohët parahistorike. Edhe mbeturinat e kafshë ve dhe të bimëve të kohëve të sotme bien poshtë, në baltë e në llucë; ato do të shndërrohen në fosile gjatë një miliard vjetëve të ardhshëm. Detet e brendshme të kohës së sotme — Deti Kaspik, Deti i Zi, Liqenet e Mëdha në Amerikë e dete të tjera — kanë mijëra vjet që shtrihen në pellgjet e veta. Po tërë kjo kohë nuk paraqet më shumë se një sekondë në orën gjeologjike. Pasi të kalojnë edhe disa sekonda të tjera të tilla, këto dete mund të zhduken plotësisht. Në thellësitë e Tokës, aty ku mbretëron një nxehtësi tepër e madhe dhe një presion 1 jashtëzakonshëm, veprojnë disa forca të tjera, Shkëmbinjtë gëlqerorë shndërrohen në mermer, argjila në mikë, ndërsa grumbujt e bimëve të vdekura shndërrohen në qymyr. Thellësitë e errëta të nëntokës janë një punishte vigane, ku dita e punës zgjat një milion vjet.

Vende-vende korja e Tokës ngrihet, fryhet, dhe çahet; nga thellësitë ngjiten lart, përmes të çarave, lëndë në gjendje të zjarrtë. Disa prej tyre dalin nga grykat e vullkaneve, ca të tjera çajnë rrugë përmes shtresave të shkëmbinjve nënujorë. Si të parat ashtu edhe të dytat përhapen mbi koren e Tokës, duke formuar toka të reja.
Ndërkohë që Toka vazhdon të vërtitet rrotull Diellit, boshti i saj e ndryshon dalëngadalë pozicionin e vet. Në të kaluarën Poli i Veriut dhe Poli i Jugut ndodheshin mijëra kilometra lar£ vendeve ku ndodhen sot. Pas njëqind mijë vjetëve vendi ku ndodhet sot qyteti ynë, mund të gjendet nën një shtresë akulli një kilometër të trashë, ose të mbulohet i tëri nga një moçal tropikal. Pas një milion vjetëve ai mund të shndërrohet në fund deti, pesëqind metra përfund kreshtave të dallgëve. Pas pesëdhjetë milionë vjetësh, ai mund të jetë shndërruar në një vargmal të mbuluar me borë. Në këtë mënyrë shndërrohet Toka.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]