Tokat private (mylk) dhe të institucioneve fetare në sundimin Osman
Një kategori të dytë të pronave tokësore nën sundimin osman e përbënin tokat në pronësi private. Zakonisht fshatarët kishin pranë banesave të tyre nga një sipërfaqe të vogël toke, mbi të cilën gëzonin pronësinë e plotë private dhe që nuk e kalonte një dynym. Ato ishin kryesisht kopshte, vreshta, ullishta etj. Prona private ishin edhe ndërtesat (kasollet, plevicat e shtëpitë) dhe mullinjtë. Këto prona mylk mund të shiteshin dhe të dhuroheshin nga pronarët e tyre pa kufizimet që ekzistonin për tokat shtetërore. Vetëm në rast se fshatari e humbiste tokën e bashtinës ose largohej nga timari pa lejen e spahiut, atëherë ky kishte të drejtë të vinte dorë mbi pronat e tij mylk.
Në kategorinë e pronave private mbi tokën, vendin kryesor e zinin zotërimet e dhëna përgjithmonë dhe të pakushtëzuara me detyrimin ushtarak. Nga fondi i tokave shtetërore, me anë të një akti të veçantë pronësimi (mylkname), sulltanët u dhuronin komandantëve të shquar të ushtrisë ose funksionarëve të lartë të administratës, për merita të veçanta ndaj shtetit osman, fshatra ose krahina të tëra në formë mylku, të quajtura edhe mylqe tokësore. Pronarët e këtyre zotërimeve gëzonin mbi to të gjitha të drejtat e një prone të plotë. Ata mund t’i shisnin, t’ua linin trashëgim pasardhësve të tyre, t’i dhuronin ose t’i kthenin në prona institucionesh fetare myslimane.
Pronarëve të mylqeve tokësore u ishte dhënë e drejta të vilnin nga rajatë jo vetëm detyrimet që nxirrte zakonisht çdo spahi, por edhe një pjesë të atyre që kalonin në dobi të arkës shtetërore. Veçse me gjithë këto të drejta, sulltani kishte gjithmonë pushtet t’ua merrte këto mylqe kur ta shihte të arsyeshme.
Mylket tokësore u shfaqën në trojet shqiptare qysh nga fundi i shek. XIV, kur sulltan Murati I i dhuroi një mylk të madh një komandanti të shquar në pushtimin e Rumelisë, Evrenoz Beut. Në kufijtë e këtij mylku përfshihej edhe krahina e Bilishtit. Ato u shtuan në fund të shek. XV dhe gjatë shek. XVI. Kështu, p.sh., më 1484 sulltan Bajaziti II i dhuroi si mylk ish-sanxhakbeut të Janinës dhe dhëndrrit të sulltan Mirahor Iljas beut, fshatrat Peshkopje (aty ku u shtri më vonë qyteti i Korçës), Panarit, Treskë, Leshnjë, Boboshticë dhe Vithkuq të krahinës së Korçës. Pronat mylk më të mëdha në Shqipëri iu dhanë nga sulltan Sulejman Ligjvënësi Mustafa Pashës (1523), njërit nga pinjollët e myslimanizuar të familjes së Dukagjinëve. Ato përfshinin 33 fshatrat e nahijeve fqinje të Zadrimës dhe të Ragamit. Krahas mylqeve tokësore ndeshen edhe disa forma të tjera të pronësisë private. Një nga këto ishte mylku i dhënë kundrejt dërgimit të luftëtarëve (eshkinxhinj). Në rast se ato nuk kryenin detyrimin merrej prodhimi i një viti. Një formë tjetër ishte çifligu mylk, i ngarkuar me shërbimin ushtarak. Tri çifligje të tilla ndeshen në fillim të shek. XVII në fshatrat Dushnik të Beratit, në Zhezharë e në Rizovë të Shpatit. Pronat mylk në trojet shqiptare zinin një sipërfaqe shumë të vogël të tokës së punueshme në krahasim me sipërfaqen e tokës së shpallur shtetërore dhe të ndarë në zotërime ushtarake e administrative si në vendet e tjera të perandorisë. Në shek. XVI thuajse u ndërpre praktika e dhurimit të mylqeve tokësore, kurse ato ekzistuese u shndërruan në shumicën e tyre në vakëfe.
Në truallin shqiptar gjendeshin edhe toka në pronësi të institucioneve fetare myslimane (vakëfe). Këto ishin prona të kategorisë private, sepse përbëheshin nga toka të dhuruara prej sulltanëve në formë mylku dhe nga toka mylk të dhuruara nga besimtarët. Në vakëfe u kthyen siç u tha më sipër, edhe shumica e mylqeve tokësore që gëzonin feudalët e mëdhenj.
Tokat në pronësi të institucioneve fetare myslimane ishin të paprekshme edhe nga vetë sulltani. Për këtë arsye, shumica e pronarëve të mylqeve tokësore nuk ngurruan t’i kthenin pronat e tyre të kësaj kategorie në prona institucionesh fetare myslimane sipas rregullave të institucionit të vakëfit, duke caktuar sipas vullnetit të tyre administratorin (myteveliun) dhe mënyrën e ndarjes së të ardhurave të kësaj prone. Duke përfituar nga këto rregulla, pronarët e këtyre mylqeve, pasi linin një pjesë të të ardhurave në dobi të ndonjë institucioni fetar, siguruan për vete dhe për trashëgimtarët e tyre brez pas brezi pjesën tjetër të të ardhurave, si dhe të drejtën e administrimit të pronave të veta. Në këtë mënyrë, ata iu shmangën rrezikut të konfiskimit nga ana e sulltanit.
Tokat e vakëfuara nuk mund të shiteshin, të dhuroheshin ose të ktheheshin në prona individuale. Tokat e para vakëfe në Shqipëri ndeshen nga fillimi i shek. XVI. Më 1505 Mirahor Iljas beu tokat e tij në fshatrat Peshkopje, Vithkuq, Leshnjë, Boboshticë etj., të kazasë së Korçës, i ktheu në toka vakëf. Në kohën e sundimit të sulltan Sulejman Ligjvënësit u kthyen në vakëf edhe mylqet tokësore të Zadrimës dhe të Ragamit. Procesi i vakëfimit vazhdoi edhe në shekujt e mëvonshëm.
Më 1641 Arkitekt (mimar) Kasemi ktheu në vakëf çifligje, kullota dimërore, banja, çezma, mullinj në sanxhakët e Vlorës e të Elbasanit, përveç objekteve në krahina të tjera të perandorisë. Sheqere Pare, një nga gratë e oborrit perandorak, i ktheu në vakëf fshatrat Voskopojë e Podgorie të krahinës së Korçës, që i ishin dhuruar si pronë private (1647). Po në këtë kohë vakëfit të Arkitekt Kasemit iu shtuan tri çifligjet mylk në fshatrat Dushnik të Beratit dhe në Zhezharë e Rizovë të kazasë së Shpatit.
Sipas kodeve osmane vakëfet përbëheshin vetëm prej pronash private, por në shek. XVII-XVIII janë vakëfuar edhe toka shtetërore. Në vitin 1678, Aishja, banore e fshatit Syzezë të Mallakastrës, la vakëf një pjesë të pasurisë së saj të përbërë prej një shtëpie përdhese, një kopshti, një vreshte, një hambari dhe një are në madhësinë që punohej me një pendë qe, 15 kokë bagëti dhe gjysma e një kullote. Këto vakëfe vetëm formën kishin të përbashkët me vakëfet e ngritura në bazë të sheriatit, prandaj Koçi Beu, nga Mborja e Korçës, i quan vakëfe të paligjshme.
Historia shqiptare
Sundimi Osman