Trualli historik i ilirëve
Sipas burimeve historike, nocioni ilir – Iliri, ka pasur gjatë historisë së vet një kuptim disi të ndryshëm gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat jugore të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve më të vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë, siç i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër u shtri gradualisht prej grekëve edhe në vise të tjera të njohura më vonë prej tyre, popullsitë e të cilave, pavarësisht nga veçoritë e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin elemente të një trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë), emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë, i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë. Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim do të përfshinte territore akoma më të gjera në veriperëndim të Ballkanit. Sipas tij ilirët shtriheshin përgjatë Adriatikut duke filluar që nga liburnët në veri e deri tek kufijtë e Kaonisë në jug. Përhapjen më të madhe dhe përfundimtare të emrit dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë, i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante: “grekërit quanin ilirë ata që banonin mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Istër. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe në rrëzë të Alpeve”.
Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër.
Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh, midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe popullsish dardane, paione, të cilat do të përmenden edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli. Të gjitha këto lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës historike të tyre ndodhën, siç mund të provohet dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes së madhe panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon të vërshojë në drejtim të jugut që në fund të shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse fatet e tyre historike, në trojet e reja ku ato u vendosën, janë thuajse krejt të ndara nga bota e mirëfilltë ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara nuk do të përfshihen në shqyrtimin e mëtejshëm të historisë ilire.
Historia shqiptare
Përgatitur nga prof. dr. Muzafer Korkuti