Ujërat e rrëmbyeshme

Atje ku pjerrësia e shtratit të lumit është më e madhe, uji rrjedh më me shpejtësi. Në qoftë se kjo gjë ndodh mbi shkëmbinj të butë, zakonisht shtrati zgjerohet dhe shpejtësia e ujit synon të zvogëlohet; atje ku shkëmbi është i fortë, shtrati nuk ndryshon kollaj dhe. si rrjedhim rryma është shumë e fortë. Në qoftë se, për shembull, pjerrësia është 15 për qind, uji rrjedh me furi dhe, duke marrë me vete masa të ndryshme materiali, formon pragjet. Në një shtrat lumi jo të rregullt, me ujë që rrjedh me shpejtësi rrotull shkëmbinjve, krijohen shtjella. Uji kryen një lëvizje rrotulluese në kohën që shtyhet nga uji tjetër që rrjedh në vazhdim. Të gjitha materialet që ndodhen afër shtjellës rrotullohen dhe me kohë mund të formojnë «vorbulla», disa prej të cilave kanë një diametër jo të vogël.

Disa lumenj rrjedhin mbi sipërfaqen e tokës për kilometra të tëra dhe pastaj papritmas zhduken dhe rishfaqen nganjëherë disa kilometra më larg dhe në një nivel shumë më të ulët. Lumenj të tillë gjenden me bollëk në zonat gëlqerore. Në të vërtetë, lumi që vjen nga toka të padepërtueshme nga uji, mund të zhduket me të rënë në kontakt me shkëmbin. Danubi afër Badenit zhduket pjesërisht në të çarat gëlqerore jurasike, për t’u shfaqur përsëri pas 129 kilometrash rrjedhjeje të nëndheshme. Në Karso, një shembull tipik përbën lumi Timavo, i cili, pas kilometrit 35 të rrjedhës së tij, kridhet në shpellën e San-Kanxianos për t’u rishfaqur vetëm dy kilometra para se të derdhet në det. Në shkretëtira, ku niveli i ujit është shumë i ulët, ndodh që disa lumenj rrjedhin vetëm për një kohë të shkurtër dhe pastaj zhduken. Kjo gjë ndodh edhe për arsye se uji, para se të arrijë në”një liqen ose në det, pakësohet si rezultat i avullimit ose thithet nga toka ranore, siç ndodh me lumin Tarim në Azi dhe me lumin Uebi Shebeli në Somalinë Jugore.

Lumenjtë malorë janë në përgjithësi të rrëmbyeshëm dhe mund të mbartin copëra të mëdha shkëmbinjsh. Por, pa arritur tamam në fund, në luginë, e humbin menjëherë shpejtësinë dhe nuk vazhdojnë t’i marrin me vete copërat e shkëmbinjve. Në fundin e një gryke malore gjejnë zakonisht grumbuj në formë «erashke»(kone mbeturinash), domethënë depozita trekëndore copërash shkëmbore. Në qendër të «erashkës» gjenden copërat më të mëdha, të parat që janë braktisur nga lumi. Në pjesën e jashtme të saj janë copërat më të vogla, që mund të jenë braktisur të fundit. Kur një lumë që vjen nga një luginë e pjerrët arrin në një luginë kryesore më të thellë, uji kërcen poshtë duke formuar katarakte. Kataraktet janë në përgjithësi të famshme për bukurinë e tyre, ndonëse sot pjesa më e madhe e ujërave të tyre drejtohen në tubat e mëdha të centraleve elektrike, që shfrytëzojnë energjinë e tyre të rënies.

Thuajse të gjitha kataraktet ia detyrojnë ekzistencën e tyre shtresave të shkëmbinjve të fortë që gjenden mbi shkëmbinjtë e dobët. Lumi rrjedh mbi një shtresë të fortë gëlqerore. Nën këtë shtresë ka shkëmbinj më të butë, ndërmjet të cilëve ka argjilë. Një pjesë e ujit, duke kaluar mbi ujëvarë, vjen e përplaset në shkëmbinjtë më të butë, të cilët gërryhen me shpejtësi të madhe. Shtresa gëlqerore fillon kështu të gërryhet dhe krijohet një si e dalë. Herë pas here një pjesë e shtresës gëlqerore të dalë rrëzohet. Kështu vazhdon ky proces dhe, sa më shumë të gërryhet shkëmbi i butë, aq më shumë pjesë të dala nga shkëmbi shemben dhe aq më shumë zmbrapset katarakti. Ujëvarat e Niagarës janë të famshme për sasinë e madhe të ujit të tyre. Në territorin kanadez lumi Shën Lorenc, duke kaluar nëpërmjet liqeneve të Eries dhe Ontarios, bën një kërcim prej një lartësie prej 49 metrash, duke formuar kështu një nga dy ujëvarat e famshme, të cilat zmbrapsen çdo vit 1,5 metra. Ujëvara të tjera madhështore janë dhe ujëvara e Zambezit në Afrikën Juglindore, ujëvara Viktoria dhe ajo e Iguazus në Argjentinë, e cila ka një lartësi prej pesëdhjetë metrash. Në Shafuza të Zvicrës ndodhet ujëvara piktoreske e Rënosë: në Itali, e famshme është ujëvara e Marmorës, e lartë 165 metra.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]