Veprimtaria e çetave të armatosura (1906-1908)

Veprimtaria e çetave të armatosura (1906-1908)

Ndonëse kryengritjet popullore me karakter lokal vazhduan, tipari themelor i lëvizjes kombëtare të viteve 1905-1908 ishte fillimi i organizimit të saj në përmasa kombëtare, vendosja e një drejtimi të njëjtë, që realizohej nga komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, si edhe krijimi i çetave të armatosura, të cilat merreshin me përhapjen e ideve të çlirimit kombëtar dhe me përgatitjen e popullit për kryengritjen e përgjithshme. Komiteti Qendror “Për lirinë e Shqipërisë” hartoi edhe Rregulloren e çetave (“Udhë-Rrëfenjësi i Trimave, Komiteti Shqipërisë”), ku, krahas programit politik kombëtar, përcaktoheshin edhe rregullat e organizimit, nga komitetet e pleqësitë të zgjedhura prej tyre, të “trupave të armatosura”, siç quheshin çetat në këtë dokument. Sipas “Udhë-Rrëfenjësit”, çetat do të përhapeshin në malet e Shqipërisë, por do të kishin njësitë e tyre të armatosura e të fshehta edhe në fshatrat e vendit. Do të formohej kështu një ushtri kombëtare, e organizuar me komandat e saj dhe e shtrirë në gjithë vendin, që do të bashkonte në radhët e saj vullnetarisht gjithë “trimat shqiptarë”, myslimanë e të krishterë.
Vendimi për të krijuar çetat e para si njësi lufte e të propagandës kombëtare u mor nga Komiteti i Manastirit në janar të vitit 1906. Komiteti, për mungesë të mjeteve financiare, nuk arriti të armatoste qysh në fillim, siç e kishte parashikuar, 500 luftëtarë në radhët e çetave. Megjithatë formoi një varg çetash, që vepronin në vise të ndryshme të vendit, sidomos në Shqipërinë e Jugut e të Mesme. Çeta e parë u krijua në prillin e vitit 1906 në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë dhe e komanduar nga Bajram Topulli. Veprimet e saj u shtrinë edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë, Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit të Janinës. Në Kolonjë u formuan gjithashtu çetat e komanduara nga Fehim Zavalani e Sali Butka.

Çeta të tjera të armatosura, që përgjithësisht ishin të vogla vepronin në pranverën e në verën e vitit 1906 në rrethet e Beratit, të Devollit, të Leskovikut e të Përmetit. Nga një letër e Bajram Topullit kuptohet se në maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes së udhëhequr prej tij ishte i gjerë, shtrihej në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende të tjera.
E shqetësuar nga veprimtaria propagandistike e çetave, qeveria turke mobilizoi për ndjekjen e tyre ushtarët rezervistë. Përpjekja e parë serioze ndërmjet çetave shqiptare dhe ushtrisë turke u bë në maj të vitit 1906 afër Leskovikut.

Çetat shqiptare luftonin gjithashtu kundër bandave të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin dhe aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Përkundrejt këtyre veprimeve dhe veçanërisht për t’u hakmarrë për masakrimin e atdhetarit Papa Kristo Negovani e bashkëfshatarëve të tij, çeta e Çerçiz Topullit në shtator 1906 vrau mitropolitin grek të Korçës, Fotin, si një nga nxitësit e akteve të dhunshme të bandave greke në sanxhakun e Korçës.

Edhe në sanxhakët e në kazatë e vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si në atë të Kumanovës, në fshatrat rreth Shkupit, në rrethet e Ohrit, të Manastirit, të Dibrës etj., gjatë viteve 1905-1906 ishin ngritur çeta të armatosura shqiptare, të cilat, ndonëse nuk ishin të gjitha të organizuara nga komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, ndiqnin po ato qëllime atdhetare, mbronin bashkëkombësit e tyre nga dhuna e bandave serbe e bullgare, që vepronin në këto vise.
Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit, Porta e Lartë theksonte se Komiteti Shqiptar, i formuar në pjesën perëndimore të Shqipërisë, ka shkuar shumë përpara në veprimtarinë e tij dhe kërkonte që të merreshin informata për të. Në korrik 1906 ajo ndërmori masa të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve të Komitetit të Manastirit. Midis të arrestuarve pati edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak të Manastirit dhe nëpunës të aparatit shtetëror, që ishin bashkuar me Komitetin. Me urdhër të sulltanit, në fundin e korrikut u arrestua dhe u dërgua i lidhur në Stamboll Nafiz Beu nga Ohri, kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati shkuar fshehurazi për qëllimet e Komitetit në Manastir, në Korçë, në Shkup e në Tetovë. Në janar të vitit 1907 u shpallën në gazetën zyrtare të vilajetit të Manastirit emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin e të arrestoheshin sa më parë, ndër të cilët ishin Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili, Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj.
Këto ndjekje të autoriteteve turke e vështirësuan veprimtarinë e Komitetit të Manastirit si organ qendror, i detyruan udhëheqësit e tij ta shpërngulnin qendrën e vet në Bukuresht dhe të linin në Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me Bukureshtin. Në nëntor 1906 vëllezërit Bajram e Çerçiz Topulli u detyruan të largoheshin nga atdheu për në Sofje e Bukuresht. Në Bullgari (Rusçuk) u vendos pas arratisjes edhe Idriz efendi Gjakova.
Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre. Në fundin e vitit 1906 u formuan katër çeta të tjera, si ajo e komanduar nga Fejzo Dëshnica (me 8 luftëtarë), që kaloi në rrethin e Dibrës, ajo e Riza Beut (me 17 veta), që vepronte në Kolonjë, e Apostol Kuçkovës (me 7 veta), që u hodh në rrethet e Prespës dhe e Sait Efendiut (me 5 luftëtarë), në afërsi të Korçës.

Në Sofje dhe në Bukuresht, ku qëndruan nga nëntori i vitit 1906 deri në pranverën e vitit 1907, Bajo e Çerçiz Topulli, së bashku me Nikolla Lakon, të përkrahur nga shoqëritë atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi (në Sofje), nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako, vëllezërit Zografi (në Bukuresht) dhe dr. Ibrahim Temoja (në Kostancë) mbajtën një varg mbledhjesh dhe morën masat për sigurimin e ndihmave financiare për luftën e armatosur të çetave në Shqipëri. Në prill 1907 Bajram Topulli po për këtë qëllim shkoi në Paris, ndërsa në korrik të atij viti në ShBA, ku me ndihmën e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma për Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”. Shoqëritë atdhetare të Bostonit dhe të Nju-Jorkut organizuan edhe mitingje proteste kundër terrorit osman dhe dhunës së bandave të andartëve grekë në Shqipëri. Mjete financiare për Komitetin u grumbulluan edhe në koloninë shqiptare të Kajros dhe të Egjiptit në përgjithësi.
Formimi i çetave dhe fillimi i luftës së organizuar u përkrah e u propagandua në mënyrë të veçantë nga organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” (Sofje), “Kombi” (Boston), “Shpnesa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj. Për shkak të lidhjeve të redaktorit të saj, Shahin Kolonja, me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”, gazeta “Drita” (Sofje) u kthye në organ të këtij Komiteti. Në dhjetor të vitit 1906 u botua në këtë gazetë artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, të dalim maleve, të luftojmë deri në vdekje, dhe të bëjmë që të dëgjohet zëri i kryengritjes që nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”.

Megjithatë, jo të gjithë atdhetarët shqiptarë mbajtën të njëjtin qëndrim ndaj luftës së armatosur të çetave. Kështu, në revistën “Albania” (Bruksel-Londër, 1897-1909), drejtuar nga Faik Konica, që ishte ndër organet kryesore të shtypit shqiptar, u botuan disa shkrime (“Mendime të fundit të motit”, nr.11, 1902, “Bajo Topulli dhe politika e asasinatëve”, nr.8, 1906), në të cilët kryengritja shqiptare quhej “e kotë dhe e dëmshme”, kërkohej që lëvizja kombëtare të kufizohej në caqet e një lëvizjeje kulturore dhe dënoheshin sidomos atentate të tilla, siç qe vrasja e mitropolitit grek Foti. Por shkrime të këtij lloji, në të cilat kundërshtohej lufta e armatosur e çetave dhe propagandohej si “udha më e shkurtër dhe më e mbarë për çlirimin e Shqipërisë” “përhapja në popull e shkrimit dhe e këndimit shqip, e dijeve dhe diturisë”, u botuan edhe në organet e tjera të shtypit shqiptar, duke përfshirë edhe gazetën “Drita” të Sofjes.
Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur të përkrahte veprimet që do të cenonin status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve të saj konsullorë se “situata në Shqipëri ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të përgjithshme”, por për ta përgatitur atë komitetet “Për lirinë e Shqipërisë” do të vazhdonin të organizonin çeta të armatosura, të cilat, megjithatë, nuk do të ndërmerrnin akte terroriste dhe do të merreshin me përhapjen e ideve kombëtare te shqiptarët.

Në mars të atij viti atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno (që kishte ardhur nga Bukureshti) dhe Idriz Gjakova, që në atë kohë ndodhej në Bullgari. Çetës iu vu si detyrë, para së gjithash, të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Në prill të vitit 1907 çeta u nis nga Italia (Brindizi) dhe zbarkoi në bregdetin shqiptar, afër Vlorës. Ajo zhvilloi një veprimtari të gjerë propagandistike në Shqipërinë e Jugut, sidomos në krahinat e Gjirokastrës e të Korçës, për t’i ngritur shqiptarët në luftë për çlirimin e vendit, shpërndante flamuj të Shqipërisë, fotografi të Skënderbeut dhe libra e abetare shqipe, të sjella nga kolonitë e Bukureshtit e të Sofjes.
Më 1907, krahas me luftën e çetave, vijuan lëvizjet popullore në qytete e fshatra të ndryshme të vendit kundër barrës së rëndë të taksave dhe administratës osmane në përgjithësi. Në janar ato përfshinë sanxhakun e Pazarit të Ri dhe atë të Prishtinës, ku dhjetëra fshatra u ngritën e kërkuan nga qeveria të hiqte taksat e nëpunësit turq, kajmakamët, komandantët e xhandarmërisë etj. Me gjithë përpjekjet e autoriteteve osmane për të shtypur lëvizjen, duke përdorur njëkohësisht edhe përndjekjet edhe bisedimet me krerët e shqiptarëve, ajo dora-dorës u përhap në gjithë vilajetin e Kosovës dhe në pranverë kishte përfshirë edhe krahina të tilla si Llapin, Drenicën, Mitrovicën, Preshevën etj.

Udhëheqësit e lëvizjes u orvatën t’i jepnin asaj një karakter të organizuar, duke vendosur një besë të përgjithshme. Këtij qëllimi i shërbeu tubimi që u mbajt në fillim të shkurtit 1907 në Junik, ku morën pjesë krerët e Drenicës, të kazasë së Vuçiternës, ata të Rekës e të Malësisë. Meqë qeveria vazhdoi të këmbëngulte për të mbledhur taksat dhe për të zbatuar masat e reja dhe nuk pranoi një varg kërkesash të shqiptarëve, krerët e popullsisë së Pejës, të Prizrenit, të Gjakovës, të Prishtinës e të Gjilanit bënë përpjekje për të thirrur, në fillim të shkurtit, në mënyrë të fshehtë, një kuvend në katundin Luka të Gjakovës, në të cilin do të vendosej një besë ose lidhje e përgjithshme. Dokumentet konsullore franceze dëshmojnë se në shkurt të vitit 1907 ishte shpallur tanimë një Besëlidhje e përgjithshme për tërë Shqipërinë, e cila do të përcaktonte masat për të organizuar qëndresën kundër qeverisë osmane dhe ndërhyrjeve të shteteve të huaja në Turqinë Evropiane. Në prill u mbajt në Preshevë një tubim i gjerë i shqiptarëve, ku morën pjesë 2 000 veta, që kërkuan nga qeveria të pezulloheshin taksat e reformat e parashikuara dhe të krijoheshin gjykatat shqiptare vendase.
Këto orvatje për organizimin e qëndresës së armatosur popullore në Kosovë, ishin të lidhura me rritjen e propagandës së ideve kombëtare, në të cilën, krahas veprimtarëve të tjerë, kishte dhënë ndihmesën e tij edhe Ismail Qemali.

Ngjarje të rëndësishme ndodhën në maj të vitit 1907 në Elbasan, ku popullsia, e pakënaqur nga administrata osmane, dëboi mytesarifin dhe komandantin e xhandarmërisë. Të njëjtën gjë bënë me kajmakamin turk edhe banorët e Peqinit. Qeveria, e shqetësuar nga lajmi se kryengritësit kërkonin pavarësinë, dërgoi në Elbasan katër batalione e forca të artilerisë, të komanduara nga Shemsi Pasha, që shtypën lëvizjen kryengritëse në këtë sanxhak. Shemsi Pasha kishte marrë urdhër të zhdukte edhe shfaqjen më të vogël të idesë së pavarësisë së Shqipërisë.
Në vjeshtën e vitit 1907, pas disa tubimeve që u mbajtën në kazatë e vilajetit të Kosovës, në atë të Prizrenit, të Pejës, të Prishtinës, të Lumës e në qendra të tjera, u formua një shoqëri e re, me emrin “Besa”, që gëzonte përkrahjen e atdhetarëve të kësaj treve e sidomos të intelektualëve, të mësuesve, të nxënësve, të nëpunësve etj. Ajo kishte si detyrë të bashkonte shqiptarët e të tri besimeve në luftë për të mbrojtur të drejtat kombëtare të shqiptarëve kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, terrorit të bandave të tyre të armatosura dhe dhunës së sunduesve osmanë. Shoqëria “Besa” u bënte thirrje gjithë shqiptarëve të bashkoheshin me çetat e armatosura, “me apostujt e lirisë në të gjitha malet dhe fushat e Shqipërisë, për ta tërhequr popullin në rrugën e vërtetë të lirisë”.
Ashtu si komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, edhe Shoqëria “Besa” grishte shqiptarët që të përgatiteshin për kryengritjen e armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në pranverën e vitit 1908 dhe do të ishte, siç thuhej në thirrjen e saj, “një luftë e vërtetë dhe e hapur, për lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë të dashur”.
Në shtator 1907 gazeta “Drita” botoi thirrjen “Çonju”, të atdhetarit të shquar Hilë Mosit, drejtuar shqiptarëve, të pasur e të varfër, burra e gra, të rinj e pleq, mësuesve, nxënësve, priftërinjve e hoxhallarëve, në të cilën i grishte të punonin e të përgatiteshin për kryengritjen që do të shpërthente në pranverën e vitit 1908 dhe që do të sillte lirinë e Shqipërisë. Nga luftëtarët e çetave, nga “apostujt e lirisë” që qëndronin në male, kërkohej që të “përhapnin mendimin kombëtar në të gjitha anët” e Shqipërisë. Në shkrimin tjetër “Gegë ku e latë?”, botuar po në këtë gazetë në janar të vitit 1908, Hilë Mosi u bënte thirrje gegëve, myslimanë, katolikë e ortodoksë, që të bashkoheshin me toskët, “që kishin dalë maleve për lirinë e atdheut” dhe “të rroknin martinat kundër armikut”.

Më 1 janar 1908 “Shpnesa e Shqypnisë” publikoi thirrjen “Klithje” të atdhetarit dibran Josif Bagëri, i vendosur atëherë në Bullgari, ku kërkohej të mblidhej një kongres mbarëshqiptar, i cili të formonte një Komitet të përgjithshëm, që do të përbënte bazën për një qeveri shqiptare, dhe të organizonte kryengritjen e përgjithshme në vend. Më 1 shkurt 1908 po në gazetën “Drita” u botua shkrimi “Letër nga malet e Shqipërisë”, hartuar nga Çerçiz Topulli si komandant dhe Mihal Gramenoja si sekretar i çetës, ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo atdhetari të ndihmonte Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” “në qëllimin e tij të shenjtë ndaj atdheut”.
Në pranverën e vitit 1908 veprimtaria e çetave, pas një rënieje të përkohshme që pati gjatë dimrit, mori hov përsëri. Çetat vepronin me sukses në rrethet e Gjirokastrës, të Korçës dhe të Kosturit. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, një pjesë e çetës me Çerçiz Topullin në krye, në fillim të marsit të vitit 1908 vrau në Gjirokastër komandantin e xhandarmërisë së vendit, që ishte bërë i njohur për veprimet terroriste dhe për përndjekjet kundër atdhetarëve e popullsisë në Berat, kohët e fundit edhe në Gjirokastër. Pas disa ditësh, më 18 mars, forcat turke, të dërguara nga valiu i Janinës për të ndjekur çetën, e rrethuan këtë në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës. Aty u zhvillua një përpjekje e pabarabartë dhe e ashpër. Luftëtarët patriotë, gjatë një dite të tërë, u bënë ballë sulmeve të pareshtura të forcave të shumta turke dhe mundën të çanin rrethimin; në këtë betejë mbeti i vrarë vetëm një luftëtar, Hajredin Tremishti. Të nesërmen prefekti i Gjirokastrës, në njoftimin që i bënte valiut të Janinës, pranonte humbjet në njerëz që forcat osmane kishin pasur në përpjekjen e Mashkullorës. Lufta e Mashkullorës, e cila u përjetësua edhe në këngët popullore, pati jehonë të gjerë në Shqipëri, ndërsa Hajredin Tremishti u quajt nga shtypi atdhetar shqiptar “dëshmor i kombit”.

Shtypi shqiptar, sidomos gazetat “Drita”, “Kombi”, “Shpnesa e Shqypnisë” etj., në gjysmën e parë të vitit 1908 u bënin thirrje të rinjve shqiptarë që mobilizoheshin në ushtrinë osmane për t’u dërguar në vende të tjera, që “të braktisnin ushtrinë dhe të bashkoheshin me kryengritësit shqiptarë për të luftuar kundër tiranisë së egër osmane”. Çetat i shtuan radhët me luftëtarë të tjerë, midis të cilëve kishte shumë të rinj që dezertonin nga radhët e ushtrisë turke, si dhe mjaft vullnetarë të ardhur nga kolonitë shqiptare të mërgimit etj.

Çetat e lidhura me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” vazhduan të përshkonin krahina të ndryshme të Shqipërisë së Jugut. Në maj të vitit 1908 një nga këto çeta, e përbërë prej 63 vetash, hyri në Sarandë, sulmoi godinat e administratës shtetërore lokale dhe qëndroi atje për 6 orë. Për të ndjekur çetën, autoritetet osmane dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca të tjera të xhandarmërisë, që bënë arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë. Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe shtypi i huaj evropian.

Në qershor çetat u përleshën me ushtritë turke në Libohovë, në Progonat e në Dhrovian. Më 20 qershor çeta e Çerçiz Topullit, e përbërë nga 150 veta, hyri në rrethin e Pogonit, ku gjatë 8 orëve luftoi me forcat e xhandarmërisë. Në fillim të korrikut çetat zhvilluan luftime në malet e Vodicës. Pas atentateve që çetat bënë kundër mytesarifit (prefektit) dhe kryetarit të gjykatës së Gjirokastrës, këta u detyruan të jepnin dorëheqjen.

Shtypi shqiptar shkruante në ditët e para të korrikut se një batalion ushtarësh të rinj, të mobilizuar në Elbasan për t’u dërguar në Jemen, “lidhën besën që të dalin maleve e më mirë të vriten të tanë këtu, se të vdesin në Jemen”, si edhe për dezertimin e bashkimin me çetat shqiptare të një batalioni rekrutësh në Manastir dhe të një tjetri në Janinë. Shtypi njoftonte gjithashtu se “Toskëria e sidomos ana e Beratit, Myzeqeja dhe Korça ishin mbushur me kryengritës shqiptarë”.
Zgjerimi në Shqipërinë e Jugut i luftës së armatosur të çetave, të organizuar nga komitetet “Për lirinë e Shqipërisë”, si dhe lëvizja kundër ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha e zgjedhës osmane në vilajetin e Kosovës, treguan se në vigjiljen e Revolucionit xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.
*
* *
Në vitet 1905-1907 filloi të merrte pjesë në jetën politike të vendit edhe një kategori tjetër shoqërore, punëtorët. Edhe pse nuk munguan të shfaqnin pakënaqësinë ndaj pagës së ulët dhe gjendjes së keqe ekonomike, punëtorët u angazhuan më shumë në lëvizjen e përgjithshme kombëtare kundër dhunës së aparatit shtetëror dhe robërisë osmane.

Në qendra të tilla, siç ishte Shkodra, u formuan shoqëritë e para punëtore. Në mars të vitit 1905 u themelua në Shkodër “Shoqëria punëtore për ndihmën reciproke”, ku, përveç punëtorëve, bënin pjesë edhe zejtarë e intelektualë. Megjithëse vepronte ilegalisht, ajo shumë shpejt u detyrua ta ndërpriste veprimtarinë e vet për shkak të ndjekjeve të aparatit shtetëror osman.

Në vitet 1904-1905 u bënë grevat e para të punëtorëve. Në mars 1904 punëtorët e ngarkim-shkarkimit në Durrës shpallën grevë kundër shoqërisë sipërmarrëse vendase, duke kërkuar ngritjen e mëditjes për punën e kryer natën edhe kur deti nuk ishte i qetë. Në maj 1905 punëtorët këpucarë në Shkodër u paraqitën pronarëve të punishteve një varg kërkesash për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe për ngritjen e pagës. Meqë këto kërkesa u hodhën poshtë, më shumë se 60 punëtorë e shegertë të punishteve të këpucëve shpallën grevë dhe u grumbulluan jashtë qytetit, ku u mbajtën fjalime për të drejtat e punëtorëve. Greva u shtyp nga autoritetet osmane, që arrestuan nismëtarët e saj duke i akuzuar si “komplotistë” kundër qeverisë. Po në pranverën e vitit 1904, disa ditë pas fillimit të grevës së këpucarëve, shpallën grevë punëtorët e punishteve të duhanit, ata të fabrikës së cigareve, si edhe punëtorët rrobaqepës që kërkuan ngritjen e pagës së punës. Greva përfundoi me plotësimin e kërkesave të punëtorëve nga drejtuesit e punishteve.

Më 1905 për herë të parë u kremtua në Shkodër 1 Maji, festa ndërkombëtare e punëtorëve. Atë ditë një grup punëtorësh të ngarkim-shkarkimit, zejtarësh, kallfësh dhe arsimtarësh organizuan një piknik jashtë qytetit.
Më 1906, me nismën e një grupi punëtorësh, zejtarësh e tregtarësh të vegjël, u krijuan në Shkodër kooperativa pune, si edhe një kooperativë konsumi, që mbaheshin me kontributin e pjesëmarrësve të tyre, ndërsa më 1 prill 1907, po në këtë qytet, u themelua “Shoqëria ndihmëtare” që kishte për qëllim të ndihmonte të varfrit dhe të sëmurët. Duke qenë më e gjerë dhe më e organizuar se të parat, ajo u bë e njohur në qytet. Për të ndihmuar në zgjimin e punëtorëve, Shoqëria ngriti edhe një shkollë nate ku, krahas mësimeve të gjuhës shqipe e ideve atdhetare, merreshin njohuri edhe për të drejtat e punëtorëve.

Një muaj pas krijimit të “Shoqërisë ndihmëtare” dhe nën udhëheqjen e saj në Shkodër u kremtua gjerësisht dita e 1 Majit (1907), në të cilën morën pjesë punëtorë, shegertë etj. Ata manifestuan nëpër rrugë, duke kënduar këngë atdhetare e duke hedhur parulla për “lirinë e përparimin e përgjithshëm, për vëllazërimin e bashkimin e popullit” etj. Në kushtet e Shqipërisë së robëruar, festimet e 1 Majit shërbenin më shumë për zgjimin kombëtar të shqiptarëve në luftën për çlirimin e atdheut. Kremtimet e 1 Majit të vitit 1907 u bënë nën parullën “Rroftë Shqipëria!”.
Por shoqëritë punëtore qysh në lindjen e tyre u përndoqën nga administrata osmane. Në shtator të vitit 1907 xhandarmëria bastisi lokalet e “Shoqërisë ndihmëtare”, arrestoi udhëheqësit e saj dhe sekuestroi dokumentet e orenditë. Në këto kushte “Shoqëria ndihmëtare” u shpërnda pas pesë muajve të ekzistencës së saj.

 Historia shqiptare
 Rilindja Kombëtare

 

[cite]