Visarion Xhuvani

Visarion Xhuvani

shqiptar ortodoks Visarion Xhuvani (1887-1965) ka lindur më një maj 1887 në Lagjen Kala të Elbasanit. Studimet e mesme i kreu në Shkollën Kishtare të Athinës. Në vitet 1911-1914 ndoqi studimet e larta për Teologji në Universitetin e Athinës. Më pas vijoi me studimet pasuniversitare, në përfundim të të cilave mori titullin “Doktor” dhe në vitin 1918 u emërua Lektor në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës. Po këtë vit u dorëzua në gradën priftërore nga Mitropoliti Jakov dhe pas një viti filloi punën misionare në Sofje të Bullgarisë. Më 1919 është misionar në Rumani për të organizuar komuntetin shqiptar. Gjatë predikimeve të tij, kleriku Visarion u përpoq që të ngjallte ndjenjën e patriotizmit dhe të autoqefalisë. Në 29 nëntor të vitit 1919 Visarioni mori ofiqin e Arkimandritit. Tashmë ishte kandidat i mundshëm për gradën episkopale. Në shtator 1922 ka marrë pjesë aktive në Kongresin e parë panortodoks të Beratit, në të cilin u propozua kandidat për episkop. Më tre maj të vitit 1925 Arkimandrit Visarioni, duke marrë bekimin e patrikut të Serbisë Dhimitrit u dorëzua në gradën episkopale në Hercegnov (Kotor) prej dy episkopëve rusë Ermogenit të Ekaterinosllavit dhe Mihailit të Aleksandrovskit. Imzot Visarioni ka qenë pjesëmarrës kryesor në të gjitha përpjekjet për njohjen e autoqefalisë dhe dora vendimtare për organizimin strukturor hierarkik të kishës shqiptare. Mendimet dhe pikëpamjet e tij për këtë problem i ka botuar më 1926 në dy broshura me titullin: “Çështje politiko-religjoze, Kostandinopojë-Tiranë”. Imzot Visarioni duke u mbështetur në ndihmën e pakursyer që i premtoi qeveria dhe mbreti, si dhe me shpresë se do të gëzonte përkrahjen e Kishave Ortodokse të Serbisë dhe të Rumanisë, mori përsipër të zgjidhte problemin e autoqefalisë të Kishës Ortodokse. Në vitin 1929 kur Imzot Jerotheu u detyrua të largohej nga Shqipëria për t’u vendosur në Malin Athos, ndërsa Imzot Kristofori vendosi që të qëndronte vetëm si murg i thjeshtë, i erdhi radha Imzot Visarion Xhuvanit të merrte drejtimin e kishës. Por që të sanksionohej plotësisht autoqefalia e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nevojitej të krijohej një sinod, i cili do të udhëhiqte kishën. Që të formohej Sinodi i Shenjtë nevojiteshin të paktën katër episkopë, ndërsa në Shqipëri në atë kohë ekzistonte vetëm një episkop që ishte Imzot Visarioni. Për të dorëzuar episkopët e tjerë nevojiteshin të ishin të paktën dy mitropolitë, prandaj u kërkua ndihma e episkopit serb Imzot Viktorit (i cili ishte Vikar i Patrikut Dhimitër në qytetin e Shkodrës). Kështu më 12 shkurt 1929 u bë dorëzimi i episkopëve dhe disa ditë më vonë më 18 shkurt 1929 Imzot Visarioni me mbështetjen e qeverisë shqiptare formoi Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili përbëhej nga Fortlumturia e Tij Visarioni, Kryeepiskop i gjithë Shqipërisë, që kishte në juridiksion Mitropolinë e Korçës, Imzot Agathangjeli Mitropolit i Beratit, Imzot Efthimi Mitropolit ndihmës i Kryepiskopit dhe Imzot Ambrozi Mitropolit i Drinopulit (Gjirokastrës). Patriarkana Ekumenike i shkishëroi episkopët e sinodit të kryesuar nga Imzot Visarioni. Gjithashtu sinodin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë e njohu vetëm sinodi i kishës ruse në emigracion. Fortlumturia e Tij Visarioni i ka dërguar një telegram Patriarkanës Ekumenike me anën e të cilit kërkonte ndjesë, por nuk mori përgjigje. Patriarkana kërkonte me çdo kusht dorëheqjen e tij, derisa në vitin 1936 Kryeepiskop Visarioni dha vetë dorëheqjen nga kryesia e kishës. Në vitin 1942 Visarion Xhuvani u dorëzua Mitropolit i Beratit, Myzesë, Vlorës dhe Kaninës. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1947 kur e arrestuan dhe e burgosën. Gjatë kohës së qëndrimit në burg, besimtarët dhe të afërmit druheshin të shkonin për vizitë te Visarioni, por kishte edhe nga ata që duke marrë parasysh të gjitha pasojat venin dhe i shpinin ushqime, si për shembull Papa Kozmai i Bestrovës dhe besimtari Vangjel Manushi. Kur doli nga burgu në vitin 1962 Visarioni ishte në moshën 75-vjeçare. Njeriu që iu gjend në këto momente kritike ishte Atë Erazmi Jorgo, i cili u kujdes për të duke i dhënë veshjet e veta klerikale. Kështu në vjeshtën e vitit 1962 Visarioni u vendos në Manastirin e Shën Gjonit, ku kaloi vitet e fundit të jetës së tij, derisa dorëzoi shpirtin te Perëndia më 15 dhjetor 1965.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Visarion Xhuvani martir i Kishës Ortodokse, 55, 21 maj 2004, faqe 18
2-Nos Xhuvani, Visarion Xhuvani apostull i atdhetarizmit dhe i ortodoksisë shqiptare, Tiranë 2003.
3-Dhimitër Beduli, Leksione nga Historia e Kishës, Tiranë 1998, faqe 96-99

Besimi — Ortodoks
Persona

[cite]