Vitamina
(Term – Mjedisor)
Vitamina
(anglisht: Vitamin)
✦ Lëndë organike komplekse natyrore ose sintetike, që janë të domosdoshme për veprimtarinë jetësore të njeriut e të kafshëve dhe që merret në sasi të vogla bashkë me ushqimin ose e përpunuar në mënyrë kimike. Kanë rëndësi shumë të madhe për shkëmbimin e lëndëve në organizëm, sepse luajnë rolin e katalizatorëve të reaksioneve biokimike. Përdorimi për një kohë të gjatë i ushqimeve që nuk përmbajnë vitamina, shkakton sëmundje që quhen avitaminoza (skorbut, rakit, beri-beri etj.). Disa vitamina si ato të kompleksit B janë bashkëtharme ose përbërës thelbësorë të bashkëtharmeve. Në përgjithësi vitaminat nuk mund të sintetizohen nga organizmat shtazore, por vetëm nga bimët dhe mikroorganizmat, prandaj lind nevoja e marrjes së tyre me ushqimin e përditshëm. Vitaminat emërtohen me shkronjat e alfabetit latin ose emërtimin kimik. Paraardhësit e tyre quhen provitamina. Ato klasifikohen në vitamina të tretshme në ujë (kompleksi B, vitamina C etj.) dhe vitamina të tretshme në yndyra (A, D, E, K). Më të pasura me vitamina të llojeve të ndryshme janë majatë, perimet (spinaqi, sallata e gjelbër, lakra etj.), frutat e disa bimëve, qumështi, vaji i peshkut etj. Produktet e freskëta ushqimore janë më të pasura në vitamina se ato të konservuarat.