Zalli, rëra dhe argjila

Ndër shkëmbinjtë fundërresorë dallohen shkëmbinjtë konglomeratë, që janë formuar në radhë të parë nga zalli dhe nga guralecë, të lidhur së bashku nga disa minerale si, për shembull, nga silici, që shërben si ngurtësues. Disa konglomeratë janë të brishtë, shumica e tyre përmbajnë kuarc të bardhë, që është një mineral i zakonshëm edhe në shkëmbinjtë prej graniti. Normalisht, shkëmbinjtë konglomeratë formohen në shtretërit e lumenjve, rrëzë rrafshnaltave ose gjatë bregdeteve.

Gurët ranorë janë shkëmbinj fundërresorë që e kanë prejardhjen nga kokrrizat e rërës; ato përbëjnë rreth 20 për qind të shkëmbinjve fundërresorë. Tipi i quajtur «gur i qartë» përdoret mjaft edhe sot për ndërtime. Pothuajse të gjitha grimcat e tij të rërës janë mjaft të mëdha, aq sa mund të shihen edhe me sy të lirë. E bardha, gështenja, e trëndafilta dhe e kuqja janë ngjyrat karakteristike të gurëve ranorë. Gurët ranorë përbëhen në pjesën më të madhe nga kokrriza kuarci, nga copëra shkëmbinjsh shpërthimorë, ose nga gurë të tjerë ranorë dhe gjenden të grumbulluar në shkretëtira, në fundet e lumenjve ose në bregdete.

Gurët ranorë, të përbërë nga kokrriza shumë të mëdha, formohen atje ku uji, që rrjedh me shpejtësi, e ngadalëson rrjedhjen e tij. Kjo ndodh, për shembull, në pikat ku lumi futet në një luginë ose atje ku derdhet në një liqen ose në det. Ndërsa grimcat më të vogla fundërrojnë më larg. Disa gurë ranorë formohen nga rëra, që është grumbulluar me kalimin e kohës dhe ka formuar duna. Këto duna, të mbuluara nga materiale të mbartura nga era, shndërrohen në fillim në shkëmb dhe pastaj zbulohen nga erozioni. Argjilat, që quhen edhe gurë balte, në shumicën e rasteve janë shkëmbinj fundërresorë të zakonshëm. Janë të përbërë nga grimca shumë të holla argjile dhe përmbajnë shpesh lëndë bimore. Grimcat e argjilës, më të vogla se kokrrizat e gurëve ranorë, fundërrojnë atje ku ujërat ndalen: në fundet e liqeneve, në gjiret e vogla dhe në detet e cekëta.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]