Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi i jetës qytetare në shekujt e parë të erës sonë në provincat ilire ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimin që morën degët e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia dhe bashkë me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që pati në dy shekujt e parë të perandorisë provinca e Maqedonisë, ku qenë përfshirë edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën gjendjen që kishin pasur në kohën kur qenë të pavarura. Ndryshe prej tyre, në krahinat e brendshme e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj., vendosja e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua nga një zhvillim ekonomik më i lartë se ai që kishin pasur më parë.Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri ato degë të zejtarive, prodhimet e të cilave ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat e një rrethi të gjerë konsumatorësh, në radhë të parë të vendasve. Në këtë kategori hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake, enët prej balte, qelqi dhe stolitë. Zhvillimi i metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme u pasua me futjen në përdorim të një sërë veglash të reja pune, të cilat e shtuan edhe më tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi, sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve, të cilat i zotëronin skllavopronarë të njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave prej balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga firmat e njohura FORTIS e FELIX të Italisë së Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për tregun vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në shek. II të e. sonë bëhet i zakonshëm edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë, me kallëpe të sjella nga Italia. Në qytetet e mëdha ku zejtaria ka qenë më e zhvilluar zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në shoqata (collegia). Disa mbishkrime të zbuluara përmendin kolegjet e zejtarëve që punonin hekurin, gurin e drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë të njohura për prodhimin e tullave e të tjegullave, të armëve, të tekstileve etj.
Një nga degët e ekonomisë që mori një zhvillim të madh në krahinat ilire në shek. I-III të erës sonë dhe për të cilën pushtuesit treguan një zell të madh ka qenë shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e të hekurit të Dalmatisë, të Dardanisë e të viseve të pirustëve u bënë prona të shtetit romak dhe patën një rëndësi të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin e minierave perandorake ose e bënte vetë shteti ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël romakë. Në minierat punonin, në kushte të këqija, skllevërit dhe banorët e lirë vendës. Minierat e provincave ilire filluan të shfrytëzoheshin në mënyrë intensive në shek. II e.sonë. Flori, historian i shek. I-II të e.sonë, tregon se pas kryengritjes së viteve 6-9 romakët i shtrënguan dalmatët “të gërmojnë tokën dhe të nxjerrin prej saj arin”. Më vonë minatorët dalmatë e pirustët u dërguan me forcë për të punuar në minierat e provincës së Dakisë.
Një rol jo të vogël në jetën e krahinave ilire ka luajtur edhe tregtia. Më e zhvilluar ishte tregtia që bënin qytetet si qendra të prodhimit zejtar me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme, në të cilën merrnin pjesë gjerësisht shtresat e gjera të popullsisë vendëse. Një zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe ajo që bëhej në Gadishullin Italik e në provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores, të cilët u dukën në viset ilire që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë. Nga tregtia përfituan ato krahina që ishin në afërsi të qendrave të mëdha tregtare ose të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacionit. Qendra të rëndësishme tregtare të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj., në skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të ndryshme që drejtoheshin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Sipas një burimi të shkruar, nga krahinat dardane eksportohej djathë, kurse Dalmatia, përveç djathit, eksportonte lëndë druri të përshtatshme për ndërtime dhe hekur.
Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të provincave ilire të kësaj kohe kanë qenë lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe rregullimin e rrugëve të vjetra. Një rrugë e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e ndërtuar fill pas formimit të provincës së Maqedonisë (mesi i shek. II p.e.sonë), mbi rrugën më të vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur nga Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik arrinte në Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme), pasi kishte përshkuar një pjesë të mirë të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit, rruga Egnacia ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht 830 km. Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurt midis Italisë së Jugut, Greqisë Veriore, Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një rrugë e rëndësishme transballkanike ka qenë edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i Adriatikut, kalonte nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej me rrugën që vinte nga Veriu (Danubi), nga Singiduni e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë të tjera të dorës së parë kalonin gjatë bregdetit për në veri dhe për në jug. Të dhëna më të plota për këto rrugë gjenden në itineraret (lista rrugësh e harta grafike, të hartuara që në fillim të shek. III e.sonë), që janë një burim i çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen edhe emrat e vendbanimeve dhe situata gjeografike. Mjetet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët e punës romakët i nxirrnin nga popullsia vendase. Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme me bujtina (mansio).