BLETA

✤ (Apis mellifera). Kandërr e familjes Apidae që jeton, në familje të përbëra nga një mëmë (ama mbretëresha), dhjetëra mijëra Bletë punëtore e disa qindra meshkuj. Mëma është bleta më e madhe e familjes dhe e vetmja femër me organe riprodhimi të zhvilluara, që pjell vezë. Nga vezët e pllenuara të saj lindin bletë punëtore e mëmat e nga të pa-pllenuarat meshkujt. Mëma jeton 5-6 vjet, por pjellëse e mirë është vetëm në dy vitet e para të jetës. Bleta është e përhapur në të gjithë botën me përjashtim të zonave polare. Populli ynë ka tradita në rritjen e Bletës si dhe në përpunimin e produkteve të saj. Në Shqipëri është vendëse varieteti i racës së Bleta Karniola (Apis mellifica carnia, Pollm.), që rritet kryesisht në Gjirokastër, Shkodër, Lushnjë, Përmet, Krujë etj. Pas Çlirimit u tregua kujdes për vënien e bletarisë në baza shkencore, është shtuar mbi 2.3 herë numri i familjeve të bletës dhe pothuajse ka përfunduar modernizimi i zgjojeve. Janë ngritur bletore (parqe) me një numër të madh familje bletësh. Bleta është shumë e dobishme jep mjaltin që është ushqim me cilësi shumë të larta, duke mbledhur nektarin e bimëve, dhe ndihmon për pjalmimin e disa kulturave bujqësore, duke shtuar rendimentin e tyre. Dylli i bletës, një lëndë e butë me ngjyrë të verdhë, sot përdoret kryesisht për rritjen e vetë B., 3/4 e prodhimit të tij bëhet fletë që vendosen në kornizat e zgjojeve moderne.

Sëmundjet më të përhapura e më të rrezikshme për bletët janë pestat: qelbëzimi i pjellës (gjeneratës). Dallohen 3 lloje: pesta amerikane, evropiane dhe pesta që i fryn larvat si qeskë. Më të përhapura tek ne janë dy të parat. Nga sëmundjet e bletës të rritur rrezikshmëri paraqesin: akarapidoza — sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes, nozematoza — sëmundje e aparatit tretës dhe varroatoza (varroaza) — sëmundje e bletëve të rritura, e larvave dhe nimfave, paraziti që e shkakton është sa një kokë gjilpëre. Bletës e sëmura japin më pak mjaltë, por cilësia e tij nuk ndryshon. Sot ka ekonomi si ajo e Poliçanit në rrethin e Gjirokastrës, e Grizhës në Shkodër e Petranit në Përmet që marrin 20-25 kg mjaltë për zgjua. Studimet dhe eksperimentimet për bletët bëhen në sektorin e bletarisë, të ngritur më 1974 pranë Stacionit të mëndafshit (1971).

(Q. N.)

EMRI LATINISHT
Apis mellifera
(anglisht: Western Honey Bee)

Emërtime të tjera:
⦁ mjalca
⦁ mjaltëza
⦁ berceku (mashkulli)
⦁ bërbani (mashkulli)
⦁ bonja (femra)
⦁ farja (matka)
⦁ parëza

Kategoria
insekte

Vendi i observimit
Vlorë – Shqipëri

 

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Bleta
Kafshët
✤ Fotografia: © Aleksandër Golemaj – Koleksioni

[cite]