Konet vullkanike
Disa magma që përmbajnë sasi të mëdha gazi formojnë vullkane që, gjatë shpërthimit, nxjerrin pjesën më të madhe të materialit të tyre, si hi, skorie, lapile dhe bomba. Hiri, nga era, mund të çohet shumë larg, por materialet e tjera bien rishtas në krater ose në afërsi të tij. Në qoftë se vullkani nxjerr lavë shumë të dendur, kjo rrjedh me vështirësi dhe grumbullohet rreth kraterit. Në këtë mënyrë formohet një kon vullkanik që përfundon me shkallë shumë të pjerrëta. Një shembull i përsosur i këtij tipi është vullkani i Vezuvit.
Magma që ngjitet në grykë ushtron presion në konin vullkanik. Ajo është e rëndë dhe gazet, që synojnë të çlirohen, ushtrojnë një presion të madh ndaj mureve të brendshme të konit, një presion kaq të madh, saqë nganjëherë muret çahen dhe nga të çarat del gaz dhe lavë. Si rezultat i kësaj, presioni në kon zvogëlohet. Por ashtu siç ndodh edhe me një shishe me ujë me sodë, nga ulja e presionit çlirohen sasi të mëdha gazi, herë-herë aq të vrullshme dhe të furishme, saqë i thërrmojnë faqet e konit. Prandaj konet vullkanike shpesh janë të rrezikshme. Por ka edhe përjashtime: për shembull, Etna ka rreth dyqind të çara, që veprojnë si valvola sigurimi. Rreth e rrotull saj janë formuar kone të vogla, të quajtura kone parazite, të cilat e thithin magmën që ngjitet nga gryka kryesore. Ndërmjet vullkaneve të tjera mund të përmendim Kotopaksin, në Kili, që është vullkani më i lartë në botë: 5. 960 metra. Në Meksikë ndodhet një vullkan me emrin Popokatepet, si dhe Parikutini i famshëm, i vetmi vullkan që e kanë studiuar shkencëtarët që në lindje të tij, meqë është shumë i ri.