Litosfera
Shtresa më sipërfaqësore e planetit tonë është korja e tij shkëmbore litosfera. Kudo që të ndodhemi, në pyll, në shkretëtirë, në shtëpinë ku banojmë, në kënetë apo në oqean, nën këmbët tona shtrihet kjo kore shkëmbore, e përbërë prej gurësh, prej dheu e prej uji. Shkëmbinj janë gurët e fortë që shikojmë herë-herë nëpër shpatet e maleve, gjatë hapjes së rrugëve dhe nëpër shpella. Shkëmbinjtë nuk janë gjithmonë kompaktë, po shpesh përshkohen nga çarje të shumta; ata paraqiten në formë shtresash, në blloqe, fletë-fletë, në trajtë kolonash ose kupolash. Ata mund të jenë të ngjyrosur me ngjyra nga më të ndryshmet.
Masat e shkëmbinjve, shpesh paraqiten të palosura, të ndërprera ose të shtrembëruara. Shtresat e mëdha shkëmbore janë palosur dhe, duke u ngritur lart, kanë formuar malet. Disa të tjera, duke u ulur poshtë, kanë formuar ultësirat. Për të parë më mirë shkëmbinjtë dhe ndërtimin e tyre, një ndihmë të madhe japin disa lugina dhe grykat e hapura nga lumenjtë gjatë mijëra apo miliona vjetëve.
Shkëmbinjtë janë bashkime mineralesh të ndryshme. Kryesisht ata përbëhen prej silikatesh, po shpesh përmbajnë edhe karbonate, fosfate, klorure, sulfate etj. Kështu, për shembull, rëra përbëhet kryesisht prej kokrrizash kuarci, ndërsa kuarci nga ana e tij përbëhet prej siliciumi dhe oksigjeni. Më i përhapuri nga karbonatet është, pa dyshim, karbonati i kalciumit, që përbëhet nga kalciumi, oksigjeni dhe karboni.