LUMENJTË E AKULLT
Majat më të larta të vargmaleve më të mëdha të botës të Alpeve, Kordiliereve kanadeze dhe Himalajave janë të mbuluara me borë të përjetshme. Në luginat e thella të maleve bora as nuk shkrin dhe as nuk luan nga vendi; ajo grumbullohet vazhdimisht dhe krijon grumbuj qindra metra të lartë. Quhet kufi i borës së përjetshme ajo lartësi sipër së cilës bora nuk shkrin kurrë krejtësisht, por grumbullohet dhe formon pak nga pak «bornajën». Bora e shtresës sipërfaqësore është e shkrifët dhe e lehtë, por ajo e shtresave të poshtme bëhet pak nga pak e ngjeshur, qoftë nga shtypja, qoftë si pasojë e dukurisë së ringrirjes së ujit të krijuar nga shkrirja, që depërton nëpër kristalet e borës dhe ngurtësohet kur ndodhet ndërmjet tyre. Uji, duke hyrë në thellësi, e mënjanon ajrin dhe grimcat e akullit bëhen gjithnjë e më të mëdha, kështu që në thellësi më të mëdha formohet së pari akulli i fryrë dhe pastaj akulli i kaltër, i ngjeshur e i tejdukshëm, që përbën masën e akullnajës. Ky akull është si një shkëmb i vërtetë dhe dallohet nga lloji tjetër i akullit sepse ka pikë shkrirjeje më të lartë. Nën peshën vigane të shtresave disa qindra metra të trasha të borës së ngurtësuar dhe të akullit që ka mbi vete, masa e akullit përkulet në fund, del mbi buzët e të çarave dhe zbret nëpër shpatet e maleve në formë gjuhëze. Kështu formohet akullnaja.
Shumë është diskutuar mbi lëvizjen e akullnajave. Mendohet se shkaku i lëvizjes mund të jetë forca e rëndesës si dhe plasticiteti që fiton akullnaja kur është afër temperaturës së shkrirjes dhe u nënshtrohet presioneve shumë të mëdha. Këtyre u shtohet edhe dukuria e ringrirjes së brendshme, domethënë ndryshimet që shkaktohen nga shkrirja e akullit atje ku presioni është maksimal dhe nga ringrirja e herëpashershme atje ku presioni zvogëlohet. Shpejtësia është e ndryshme për akullnaja të ndryshme si edhe për pjesë të ndryshme të së njëjtës akullnajë, në varësi nga raporti i trashësisë së masës dhe pjerrësisë së shpatit të malit. Shpejtësia është më e madhe në akullnajat më të gjera dhe rritet me rritjen e temperaturës dhe të reshjeve. Akullnajat më të shpejta janë ato polaret, që zhvendosen deri në pesëdhjetë metra në ditë. Në akullnajat alpine shpejtësia ndryshon nga pesëdhjetë deri në dyqind metra në vit.
Akullnaja është shkatërrimtare; puna e saj fillon në luginën ku ka lindur. Buzët e akullnajës futen me forcë në faqet e shkëmbinjve të luginës. Pastaj shkëputen dhe gjatë lëvizjes shkulin copëra shkëmbi. Një veprim i tillë gërryes, që kryhet çdo vit, e shndërron luginën në një gjysmëtas të hapur e të rrumbullakët të quajtur cirk. Duke vërshuar nga cirku, akullnaja ndjek një brazdë ose një luginë përgjatë malit. Gjatë rrugës ajo gërryen shtratin, njëlloj siç bëjnë lumenjtë. Edhe pse shpejtësia e saj mund të jetë pak centimetra ose pak më shumë se një metër në ditë, forca gërryese e akullnajës është shumë më e madhe se ajo e çdo lumi. Shkëmbinjtë e faqeve anësore të shtratit gjatë kalimit të akullnajës çahen, lëmohen ose thërrmohen, copërat shkëmbore, që bien mbi kurrizin e gjerë të akullnajës, hapin dalëngadalë rrugën drejt fundit të shtratit, duke gërryer dhe duke thelluar pastaj vetë shtratin.