Malet e perëndimit
Vargu i Maleve Shkëmbore ka një histori shumë më të ndërlikuar se ajo e maleve Apalashe. Ky vargmal madhështor përbëhet në të vërtetë nga një sërë vargmalesh që shtrihen në një zonë shumë të gjerë, e cila shkon që nga Arktiku deri në Kaliforni dhe që nga ajo zonë që sot formon brigjet e oqeanit Paqësor e deri në shtetin Utah dhe në shtetin e Arizonës. Rreth pesëqind ose gjashtëqind milionë vjet më parë ekzistonte ky gjeosinklinal, që formonte një hinkë të madhe të mbushur me ujin e detit. Në zonën perëndimore në atë kohë lartoheshin vargmale të veçuara, të cilat shtriheshin përmes territoreve ku sot ndodhen shtetet Oregon, Uashington dhe Kolumbia Britanike.
Nëpër këto vargmale nxirrnin krye vullkane të shumta që gjatë miliona vjetëve ishin në veprim dhe villnin sasi lave të pallogaritshme. Dalëngadalë veprimtaria e vullkaneve u pakësua, por ndërkohë ishin ngritur ca ishuj të vegjël, që kishin formuar vargmale të vërteta. Hinka e madhe e dikurshme, për shkak të gjithë këtyre dukurive, u nda në një numër hinkash të vogla. Depozitimi i fundërrimeve në hinkën që ndodhej më në perëndim, njëqindepesëdhjetë milionë vjet më parë, i dha shkas ngritjes së maleve bregdetare të Kolumbisë Britanike dhe të vargut të maleve të Kalifornisë. Masivi i sotëm i Sierra Nevadës rrodhi nga këto male të Kalifornisë, të cilat, me kalimin e kohës, pësuan një gërryerje të gjatë. Materiali fundërresor i zonave më të ngritura, si pasojë e gërryerjeve dhe e mbartjes së mbeturinave, i mbushi dalëngadalë hinkat lindore dhe në disa vende formoi shtresa me trashësi pesëmbëdhjetë kilometra. Rreth njëqind milionë vjet më parë filloi lëvizja tkurrëse e kësaj zone që çoi në formimin e një gremine tjetër akoma më në lindje. Kjo greminë e pafundme, që shtrihej nga zonat arktike e deri në Gjirin e Meksikës, filloi pak nga pak të mbushej me mbeturina materialesh vullkanike që arritën të formojnë shtresa me trashësi gjashtë kilometra. Malet Shkëmbore ia detyrojnë formimin e tyre tkurrjeve të shtresave dhe lëvizjeve-shtytëse që veprojnë në këto zona prej miliona vjetësh. Këto lëvizje të zhvendosjes së shtresave dhe të sistemimit të tyre vazhdojnë mbase që prej pesëdhjetë milionë vjetësh. Ndërkohë, në Kaliforni ishte formuar një greminë e re që, me kalimin e shekujve, u mbush me fundërrime. Edhe këtu lindën lëvizje rrudhëse si rezultat i shtytjeve dhe zhvendosjeve tektonike, që zgjatën miliona vjet dhe krijuan vargmalet bregdetare të, sotme të Kalifornisë. Duke pasur parasysh formimin relativisht të ri të këtij kompleksi malor, edhe sot, nëpërmjet sistemit të rrudhosjeve dhe fundosjeve të kësaj zone, vërtetohen lëvizje zhvendosëse të rastit. Disa vargmale të Amerikës Veriore kanë pësuar shndërrime të thella si rezultat i aktiviteteve vullkanike. Nën ultësirat bazaltike të Kolumbias gjenden formacione malore të mëdha, të rrafshuara nën një det lave. Të gjitha vargmalet, veçanërisht ato shumë të lashta, i janë nënshtruar për qindra e qindra shekuj veprimit gërryes të akullit e të ujit, si edhe veprimeve të fuqishme të lumenjve të akullt. Aty-këtu erozioni ka zbuluar në male shtresa nga më të thellat: masa të mëdha graniti që mbase do të jenë krijuar, si rezultat i veprimit të nxehtësisë dhe presionit, nga shkëmbinjtë e parë fundërresorë, kur ka filluar formimi aktiv i maleve. Por jo të gjitha zonat u janë nënshtruar provave të njëjta çrregulluese të shkaktuara nga agjentët endogjenë dhe ekzogjenë; mbi shpatet e larta të mbuluara me borë dhe me bimësi shkëmbinjtë tregojnë nganjëherë shenja të një të kaluare më të qetë. Prania e fosileve të trilobitëve, të krustaceve, të sfungjerëve, të zambakëve të ujit dhe të shumë kafshëve të tjera (disa prej të cilave sot janë zhdukur), që kanë jetuar nëpër dete miliona vjet më parë, tregon sesi me kalimin e shekujve shtresat e shkëmbit fundërresor ku ndodhen ato kafshë u janë nënshtruar shndërrimeve dhe lëvizjeve të mëdha.