Male, vullkane dhe tërmete
Thyerjet e mëdha të shtresave shkëmbore në anët e zonave alpine pa dyshim e lejojnë magmën të ngjitet drejt sipërfaqes dhe të formojë kështu vullkane, ose të rrjedhë horizontalisht. Në kohët gjeologjike të vonshme tërmetet në këtë zonë kanë qenë të shpeshta, ashtu siç kanë qenë edhe gjatë brigjeve perëndimore qoftë të Amerikës Veriore, qoftë të Amerikës Jugore. Disa pjesë të Himalajave janë formacione më të reja. Ngritja e tyre më e ndjeshme ka ndodhur në të vërtetë gjatë këtyre miliona vjetëve të fundit dhe shkarja është akoma në veprim; prandaj nuk vërehen shtresa shkëmbore shumë të rrudhura dhe shtresat e thyera në shumë vende kanë rrëshqitur mbi shtresat më të afërta, duke mbyllur kështu të çarat e shkaktuara nga thyerjet.
Mbase për këtë arsye magma e ka gjetur me vështirësi të madhe çarjen që i duhej për tu ngjitur drejt sipërfaqes dhe, si rrjedhim, vullkani nuk është zhvilluar. Dukuritë e çarjes së kores së Tokës janë shumë të zhvilluara në Indi.