Neptunistë dhe Plutonistë
Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që është periudha e përparimit të vrullshëm të shkencës. Toka shqyrtohet me një interes shumë më të madh se në të kaluarën. Duke hedhur poshtë besimin se Toka ishte krijuar nga një fuqi e mbinatyrshme, njerëzit filluan të mendonin se. që nga zanafilla e saj, cilado që të ishte ajo, Toka kishte pësuar një numër të madh shndërrimesh. Dhe për të gjetur provat e kësaj së kaluare filluan të shqyrtoheshin me vëmendje kodrat, luginat dhe shkëmbinjtë.
Menjëherë pas vitit 1800 u ndez një polemikë e fortë rreth formimit të shkëmbinjve. Nga njëra anë qëndrojnë neptunistët, të quajtur kështu sipas emrit të planetit Neptun, perëndi e detit, sipas gjykimit të të cilëve shkëmbinjtë janë formuar nga uji, pra e kanë prejardhjen nga fundërrimet detare, lumore ose liqenore. Nga ana tjetër qëndrojnë plutonistët, sipas emrit të Plutonit perëndi e skëterrës dhe e zjarreve të mëdha të nëndheshme, të cilët përkrahnin teorinë që pjesa më e madhe e shkëmbinjve, njëherë e një kohë, ka qenë një masë e shkrirë. Neptunistët, të kryesuar nga mineralogu gjerman Verner, të tregojnë menjëherë shkëmbinjtë ranorë, argjilorë dhe gëlqerorë. A nuk përmbajnë shumica e këtyre shkëmbinjve fosile bimësh dhe kafshësh ujëse? Për këtë arsye ata duhet të jenë formuar nga uji. Shkëmbinjtë prej graniti, bazalti dhe shkëmbinj të tjerë të ngjashëm me ta nuk kanë fosile, por shpesh gjenden të rrethuar nga shkëmbinj të tjerë; kjo është, gjithashtu, një arsye tjetër se ata duhet të jenë formuar në fundet e deteve. Në të vërtetë, sipas Vernerit, Toka në fillim ka qenë një lëmsh i mbuluar krejtësisht nga një oqean balte dhe shkëmbinjtë janë formuar kur uji është larguar, duke lënë në fund llucën.
Bindjet e Vernerit mbështeteshin nga bibla. «Përmbytja e Botës» dukej se shpjegonte jo vetëm formimin e shkëmbinjve nga uji, por edhe rrudhat dhe të çarat, që vërehen shpesh në formacionet shkëmbore. Mendohej se fosilet ishin mbeturina bimësh dhe kafshësh, të cilat kishin ngecur në llucë pas largimit të ujit që shkaktoi «Përmbytjen e Botës». Përkundrazi, plutonistët deklaronin se shumica e shkëmbinjve, veçanërisht ata prej graniti dhe bazalti, ishin krijuar si pasojë e veprimit të vullkaneve. Më 1752, natyralisti francez Zhan Getar kishte tërhequr vëmendjen mbi shkëmbinjtë prej bazalti që ndodheshin në lavën e vjetër në malin e Overnjës, në Francën Jugore. Nikola Demarei i kishte studiuar këto formacione bazalti dhe kishte zbuluar që ishin pjesë përbërëse e lavës së rrjedhur. Shkëmbinj të tjerë si këta, prej bazalti, thoshin plutonistët, janë vërejtur edhe në Gjermani, në Itali, në Irlandë dhe në Skoci, prandaj edhe këto duhet të jenë zona vullkanike. Është fakt i pamohueshëm që herë pas here sipërfaqe të mëdha të Tokës janë djegur nga shpërthimet e vullkaneve.
Debati zgjati me vite. Verneri nuk tërhiqet në asnjë mënyrë, por pasuesit e tij fillojnë dalëngadalë të heshtin. Pasuesi i tij më i zellshëm, Leopold fon Buhu, shkoi dhe shqyrtoi rrjedhën e lavës së Overnjës dhe, mbasi u bind, u bashkua me mendimet e plutonistëve. Përkundrazi, Verneri nuk shkoi kurrë për ta parë. Fon Buhu, njeri me një mprehtësi të rrallë vrojtuese, u bë autoriteti më i madh botëror në problemet e aktiviteteve vullkanike. Ai provoi që vullkanet nuk janë formuar nga karboni, nga sera ose nga lëndë të tjera të djegshme të nëndheshme, por më tepër nga lëndë të shkrira, shumë më të zjarrta se çdo lloj qymyri i zjarrtë, që burojnë nga thellësia e Tokës. Fon Buhu dhe plutonistët e tjerë u zbuluan evropianëve një të vërtetë shqetësuese, një të vërtetë gati të frikshme: Shumica e peizazheve të qeta të Evropës qenkan formuar në të vërtetë nga zjarri. Shumica e maleve që në kohët e lashta kanë vjellë zjarr, ekzistuakan akoma, megjithëse të rrënuara dhe të lëmuara nga koha. Në disa zona, ku nuk viheshin re vullkane të lashta, lava kishte dalë thjesht nga thellësia e Tokës dhe ishte përhapur mbi truallin e saj. Në disa të tjera shkëmbinjtë e shkrirë ishin ftohur dhe ngurtësuar nën tokë dhe kishin dalë në dritë si pasojë e veprimit të gërryerjes. Praktikisht çdo vend, ose pothuajse çdo vend, mund të ketë qenë në një periudhë të caktuar fushë e veprimtarisë së vullkaneve. Dhe kjo, që ka ndodhur dikur, mund të ndodhë përsëri! Me kohë kjo frikë u zhduk. Gjeologët mësuan se mbeturinat vullkanike të përhapura në tërë rruzullin ishin pasojë e dukurive që kishin ndodhur herë pas here gjatë një periudhe shumë të gjatë kohe. Sot asnjë shkencëtar nuk ka frikë se vullkanet do të rifillojnë veprimtarinë të gjitha njëherësh, në të gjithë botën.
Por zbulimi i së kaluarës së zjarrtë të Tokës qe një hap i madh për shkencën e re të gjeologjisë. Ajo shpjegoi të fshehtën e shkëmbinjve, që njëherë e një kohë kanë qenë një masë e shkrirë, dhe ndihmoi për të kuptuar se si formohen mineralet. Dha gjithashtu edhe drejtimin e studimit të forcave që shkaktojnë tërmetet, që krijojnë male, që rrudhosin, përkulin ose copëtojnë shkëmbinjtë. Krijoi, tek e fundit, një element shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e problemit të krijimit të Tokës dhe për të kuptuar ngjarjet që kanë ndodhur në kohët e para.