Përse zhduken liqenet

Liqenet janë krijuar për shkak të ndonjë. aksidenti gjeologjik dhe, po kështu, mund edhe të zhduken si pasojë e një aksidenti. Në rast se klima e një vendi bëhet më e thatë, avullimi do të shtohet, dhe ekuilibri me sasinë e ujit që futet në liqen do të prishet. Mund të ndodhë bile që një liqen të mbushet nga fundërrimi i materialeve që sjellin aty lumenjtë ose nga mbeturinat e bimëve dhe të kafshëve që kanë jetuar në të. Më në fund, mund të ndodhë edhe ndonjë përkulje e ngadalshme e truallit dhe si përfundim gropa e liqenit të zhduket. Rrezikun më të madh për fatin e një liqeni e përbën lumi ku derdhen ujërat e tij. Uji që rrjedh nëpër të e rrëmih shtratin e lumit gjithnjë e më shumë, dhe kështu liqeni humbet sa vjen e më tepër ujë, dhe në një kohë gjithnjë e më të shkurtër. Në fund liqeni mund të shndërrohet në një grykë të gjerë që përshkohet nga një përrua. Disa nga këto procese vazhdojnë të zhvillohen në liqene të ndryshme, disa prej të cilave tashmë janë zhdukur.

Veç kësaj, të gjithë liqenet mbushen dalëngadalë me fundërresa. Kështu, për shembull, liqeni Miçigan mbushet 7 centimetra çdo njëqind vjet; me këtë ritëm mbas 250. 000 vjetësh ai do të jetë mbushur tërësisht. Në rast se klima do të bëhej më e thatë dhe niveli i ujit do të ulej, atëherë ky afat mund të përgjysmohet. Këtë rrezik e kanë të gjitha liqenet. Jetën e liqeneve e kërcënon edhe një rrezik tjetër. Kataraktet e Niagarës, për shembull, tërhiqen një metër e gjysmë çdo vit; brenda 25. 000 vjetëve afërsisht ato do të arrijnë deri në liqenin Erie, i cili do të boshatiset tërësisht. Ka të ngjarë që në të gjitha Liqenet e Mëdha rrjedha e ujit të shpejtohet; kanalet që i lidhin ato me njëri-tjetrin do të thellohen dhe liqenet do të shndërrohen në lugina të përshkuara prej lumenjsh, siç kanë qenë përpara akullzimeve.

Sot ka më shumë liqene që janë në rrugën e zhdukjes nga ç’janë në rrugën e formimit. Që nga era e fundit e akullnajave e deri sot shumë liqene janë zvogëluar së tepërmi. Edhe vetë Liqenet e Mëdha dikur kanë qenë shumë më të mëdha nga ç’janë sot. Gjatë periudhës së shkurtër që ka kaluar që nga shfaqja e njeriut, liqeni Ngami në Afrikë, që një herë e një kohë ishte një det i brendshëm, sot është shndërruar në një moçal. Për vetë natyrën e tyre, të ashtuquajturat Liqene të Kripura, të cilat përfaqësojnë, në fund të fundit, 40% të të gjitha liqeneve të botës, janë në fazën e zhdukjes së shpejtë. Ndër liqenet që janë në fazën e lindjes mund të përmendim liqenet bregdetare, që ua detyrojnë lindjen e tyre vargjeve ranore bregdetare, të cilat i pengojnë ujërat që vijnë nga brendësia e vendit të derdhen në det.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]