Shkëmbi i shqetësuar

Normalisht korja e Tokës duket e qetë; në të vërtetë mbi të dhe nën të veprojnë gjithnjë forca kolosale. Si pasojë e gërryerjes, miliarda tonelata copash shkëmbore zhvendosen vazhdimisht nga era, nga uji dhe nga forca e rëndesës nga një zonë më e lartë në një zonë më të ulët; copërat grumbullohen në fund në sasi të tillë që pesha e tyre, sado e lehtë, mund të shkaktojë një ulje të shkëmbinjve që ndodhen nën të. Si pasojë e tërheqjes gravitacionale të Hënës, gjatë rrotullimit të saj të përmuajshëm rreth Tokës, mbi litosferën veprojnë edhe forca të tjera.

Të tjera forca, dhe më të shumta, janë ato që shkaktohen prej nxehtësisë së prodhuar nga materialet radioaktive dhe nga proceset kimike. Nxehtësia shkakton rritjen e presionit; kjo shkakton fryrjen, çarjen dhe zhvendosjen e shkëmbit, duke çuar kështu në ngritjen ose uljen e kores së Tokës. Përveç kësaj, nëpërmjet të çarave mund të dalë lava e shkrirë dhe të formojë vullkane, tamam siç del gazi nga tubi i nxjerrjes së gazeve të një automobili, sepse këto të çara përbëjnë pikën më të dobët të shkëmbit.

Lëvizjet e litosferës, që i detyrohen një force ende të panjohur, kanë ndihmuar në krijimin e maleve që shohim sot. Shtresat që u nënshtrohen presioneve tangjentore dhe vertikale, pësojnë ulje; disa male ngrihen si një masë e tërë si pasojë e rrëshqitjes dhe e zhvendosjes së shtresave të zonave përbri. Disa zona të Tokës, përkundrazi, kanë pësuar ngritje për shkak të rrudhjes së shtresave të tyre, dukuri kjo e shkaktuar nga presionet anësore; rrudhat do të jenë formuar në të njëjtën mënyrë siç formohen rrudhat në një copë stofi të tërhequr vetëm nga dy cepat.

Në përgjithësi lëvizjet e kores së Tokës janë shumë të vogla, aq të vështira për t’u vënë re, saqë nuk i sjellim fare ndërmend kur shohim vargmalet që shfaqen para syve tanë. Por ka edhe përjashtime. Në qoftë se goditjet mbi sipërfaqen e Tokës, që është mjaft plastike, janë shumë të mëdha, ato mund të shkaktojnë çarje të menjëhershme. «Zona tërmeti»quhen ato zona ku forcat vepruese mbi sipërfaqen e Tokës nuk ekuilibrohen dhe, si pasojë, gjatë veprimit të tyre shkaktojnë shembje. Rezultate përfundimtare të lëvizjeve, sado të shkurtra dhe të lehta, janë ngritja dhe ulja e zonave të tëra të kores. Diku fundi i detit ngrihet, duke formuar kontinente; diku tjetër sipërfaqja e Tokës fundoset dhe deti vërshon duke e mbuluar atë. Ndoshta edhe vetë kontinentet zhvendosen si pasojë e forcave të panjohura.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]