SHKËMBINJ TË RINJ TË LINDUR NGA SHKËMBINJ TË VJETËR

SHKËMBINJ TË RINJ TË LINDUR NGA SHKËMBINJ TË VJETËR

Puna e ujit që rrjedh, si pasojë e forcës së rëndesës, ngrirjes, erës dhe ajrit mund t’i përngjajë një pune shkatërrimtare, por, megjithatë, kjo është një punë krijuese. Vetë këto forca, që shkatërrojnë shkëmbinjtë e vjetër, i grumbullojnë copërat e tyre dhe formojnë shkëmbinj të rinj: shkëmbinjtë fundërresorë. Gërryerja, mbartja dhe fundërrimi janë procese të pafundme e të pandërprera në gjithë historinë e Tokës. Erozioni është një proces i dukshëm. Bile edhe njerëzit parahistorikë do t’i kenë parë me vëmendje brazdat e formuara në faqen e malit, ujërat me baltë të lumenjve që vërshojnë, masën e gurëve të rënë në fund të një humnere. Shumë më pak i dukshëm është procesi, me anë të të cilit copërat e shkëmbinjve të krijuara nga erozioni, si dhe nga veprimtaria e kafshëve dhe bimëve, shndërrohen në një shkëmb të fortë. Njeriu gjatë gjithë jetës së vet mund të shohë me sytë e tij krijimin e një shkëmbi vetëm në pak raste të veçanta, ndërmjet të cilave formimin e stalaktiteve në një shpellë ose ngurtësimin e një shtrese lave. Pra, askush nuk mund të presë që formimi i shkëmbinjve fundërresorë të ndodhë gjatë periudhës së jetës së një njeriu.

Disa grekë të lashtë, ndërmjet të cilëve Anasimandri, që ka jetuar në shekullin e shtatë para erës sonë, kanë vënë re fosile në shpellat gëlqerore dhe i kanë quajtur ato si mbeturina kafshësh dhe bimësh, të varrosura fillimisht në fundërrime të shkrifëta dhe më vonë të shndërruara në gurë. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë Leonardo da Vinçi shprehu mendimin që fosilet një herë e një kohë kanë qenë qenie të gjalla, dhe që këto forma të lashta të jetës janë varrosur në fundin e deteve në baltën e sjellë nga lumenjtë; shkëmbinjtë e formuar nga kjo llucë janë shfaqur më pas në Evropë, nëpërmjet disa proceseve të panjohura. Por në fillim të vitit 1800 shumica e njerëzve mendonin akoma se Toka ishte krijuar nga një dorë e shenjtë, që e kishte krijuar atë në një çast të vetëm. Duhej të kalonte gjysma e shekullit XVIII që shkëmbinjtë të klasifikoheshin, duke i dalluar njërin nga tjetri në tri grupe kryesore: shpërthimorë, fundërresorë dhe metamorfikë. Klasifikimi shkencor u bë i mundur vetëm në sajë të përparimit të vrullshëm në fushën e analizave kimike dhe nëpërmjet vrojtimeve të gjata dhe të vëmendshme të gjeologëve.

Megjithatë, edhe sot diskutohet ende rreth formimit të pjesës më të madhe të graniteve për të zbuluar nëse ato kanë qenë dikur në gjendje të shkrirë apo, përkundrazi, janë shkëmbinj fundërresorë të shndërruar nga nxehtësia, nga presioni dhe nga fundërrimi i lëndëve të tjera, Shkëmbinjtë fundërresorë janë më të zakonshmit në planetin tonë. Meqë nuk kanë qenë kurrë në gjendje të shkrirë, ata ndryshojnë shumë nga shkëmbinjtë shpërthimorë. Ata kanë peshë më të lehtë dhe ngjyrë më të qartë; duke i vrojtuar me kujdes në faqet e një gremine, vihet re se zakonisht ata kanë një pamje të rregullt dhe të saktë, si ajo e një muri të ndërtuar me blloqe të gjata dhe me shtresa. Vijat ndërmjet shtresave të sjellin ndër mend gjurmët që lënë ujërat kur ndryshojnë nivelin. Ngjyra dhe tipi i shkëmbinjve mund të ndryshojë dalëngadalë, ose edhe papritmas, nga shtresa në shtresë. Shtresat mund të jenë dhe të pjerrëta. Këta shkëmbinj janë formuar prej gjithfarë gjërash që gjenden në tokë: prej copërash shkëmbinjsh të gërryer, mbeturinash bimësh dhe kafshësh, grimcash mineralesh të lëna nga uji. Pjesa më e madhe formohen në ujë, ndërsa të tjerët janë formuar nga materiale të sjella nga era.

Shumica e këtyre shkëmbinjve përbëhen prej kokrrizash rëre dhe disa përmbajnë edhe gurë. Ka shkëmbinj gëlqerorë të përhimë, kaltëroshë dhe të bardhë, që formojnë blloqe masive; ka gjithashtu pjesë guaskash ose depozitime të ngurta allçie. Më të zakonshmit janë shkëmbinjtë argjilorë, shkëmbinj të formuar nga shtresa të holla që copëtohen në grimca shumë të vogla argjile. Shkëmbinjtë fundërresorë qëndrojnë mbi blloqet kontinentale prej graniti si ca mbulesa vigane të biruara aty-këtu. Ata formojnë gjithashtu një pjesë të fundeve oqeanike; gjenden në ultësira dhe në majat e maleve më të larta. Në të vërtetë, këta shkëmbinj përbëjnë pjesën më të madhe të vargmaleve.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]