Shkëmbinjtë dhe trualli

Në bazë të prejardhjes së tyre shkëmbinjtë mund të ndahen në tri grupe. Të parët janë shkëmbinjtë (shpërthimorë, domethënë shkëmbinjtë që kanë dalë nga thellësitë e truallit në trajtën e masave të shkrira dhe pastaj, duke u ftohur, janë ngurtësuar. Të tillë janë granitet, dioritet, porfirët, bazaltet e kështu me radhë. Pastaj vijnë shkëmbinjtë fundërresorë, të formuar nga fundërrimi i mbeturinave të materialit prej të cilit kanë qenë të përbërë shkëmbinjtë e tjerë që janë shkatërruar, ose nga fundërrimi i mbeturinave të organizmave të gjallë dhe i mineraleve që përmban vetë uji. Në shkëmbinjtë fundërresore hyjnë shkëmbinjtë ranorë, argjilat, guri gëlqeror dhe kripa. Të fundit vijnë shkëmbinjtë metamorfikë, që fillimisht kanë qenë shkëmbinj shpërthimorë ose fundërresorë, por që kanë pësuar ndryshime të thella për shkak të presionit, për shkak të zhvendosjes së shtresave ose për shkak të temperaturave tepër të mëdha që ekzistojnë në thellësi të madhe. Disa nga mermerët më të famshëm, gneiset dhe serpentinat, janë shkëmbinj të këtij lloji.

Pra ne mund ta përfytyrojmë koren tokësore si një lëvozhgë të përbërë prej shkëmbinjsh shpërthimorë, të mbuluar në pjesën më të madhe prej shkëmbinjsh fundërresorë dhe metamorfikë. Sipërfaqet e kontinenteve janë në një masë të madhe formacione fundërresore të vendosura mbi shkëmbinj shpërthimorë. Aty-këtu nxjerr krye, përmes formacioneve të tjera, lënda e shkrirë, e cila i ndryshon ato kimikisht dhe fut nëpër to masa lave, e cila pastaj ngurtësohet dhe kristalizohet në forma të ndryshme. Ka mundësi që shkëmbinjtë shpërthimorë të përbëjnë bazën e litosferës edhe përfund fundërrimeve të fundit të detit.

Nuk duhet menduar se shkëmbinjtë janë formuar një herë e përgjithmonë. Ato kushte që çuan në formimin e shkëmbinjve të sotëm ekzistojnë edhe tani; ato do të çojnë në formimin e shkëmbinjve të së nesërmes. Nga lënda e shkrirë e magmës formohen shkëmbinj të rinj shpërthimorë. Ndërkaq vazhdojnë të formohen shkëmbinj të rinj fundërresorë aty ku fundërrimet e tilla si rëra dhe argjilat, të cilat shtypen nga pesha e materialeve që bien sipër tyre, çimentohen si rrjedhim i futjes në to të ujërave që mbartin kripëra minerale. Si shkëmbinjtë shpërthimorë, ashtu edhe ata fundërresorë, njëlloj si në të kaluarën edhe sot janë në ndryshim: prej tyre do të formohen shkëmbinjtë metamorfikë. Të gjitha proceset që shkaktojnë formimin e këtyre tri llojeve shkëmbinjsh, krijojnë në këtë mënyrë rezerva të reja mineralesh. Megjithatë, pavarësisht nga madhështia dhe nga energjia vigane që çlirohet gjatë zhvillimit të dukurive gjeologjike, për fat të keq mineralet më të dobishme nuk krijohen me atë shpejtësi me të cilën harxhohen ato sot nga njeriu. Ajo që zakonisht e quajmë tokë, domethënë dheu i fushave, gjendet vetëm në shtresa të holla, të vendosura aty-këtu përmbi shkëmbinjtë. Kjo tokë përbëhet nga shkëmbinj kimikisht të ndryshuar, nga copa të thërrmuara në grimca të imëta, të përziera me mbeturinat e kafshëve dhe bimëve të vdekura, të kalbëzuara.

Po të flasim me gjuhën e gjeologëve, Toka ndodhet në një fazë kalimtare nga shkëmbinjtë e shkatërruar nga gërryerja në shkëmbinj të rinj të formuar nga copërat me kalimin e kohës. Për shkak të gërryerjes disa shkëmbinj të shkatërruar bëhen rërë dhe kjo, nga ana e saj, mund të shndërrohet në gurë ranorë dhe në argjilë; pastaj, të ngurtësuar, këta mund të formojnë argjiloza. Bile edhe lluca e zezë e moçaleve, e varfër me mbeturina shkëmbore, mund të bëhet karbon ose argjilozë e karbonizuar. Dhe toka, humusi absolutisht i nevojshëm për ekzistencën e të gjithë organizmave të gjallë, i parë me syrin e gjeologut është vetëm pluhur shkëmbinjsh.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]