Shkëmbinjtë përgjigjen
Më në fund, disa shekuj më parë, disa studiues u përpoqën të zbulonin dhe të përshkruanin një tërësi shkaqesh dhe pasojash, duke vrojtuar me vëmendje dhe duke gjykuar mbi dukuritë e natyrës, të ndihmuar nga llogaritjet dhe nga logjika. Më 1543, polaku Nikolla Koperniku, duke studiuar me vëmendje pozicionet e Diellit, të planetëve dhe të yjeve, arriti të zbulonte që Toka rrotullohet rreth Diellit dhe jo Dielli rreth Tokës, siç besohej deri atëherë. Më 1609, Galileo Galilei, që mbështetej në metodën e kërkimeve të drejtpërdrejta, ndërtoi një teleskop të vogël, me të cilin zuri të vrojtonte qiellin, dhe arriti në përfundimin që Koperniku kishte të drejtë. Po atë vit gjermani Kepler zbuloi ligjet e lëvizjes së planetëve rrotull Diellit. Po kështu, nga fundi i shekullit, anglezi Isak Njuton zbuloi ligjin e tërheqjes së gjithësishme.
Nga mesi i shekullit të shtatëmbëdhjetë disa njerëz filluan të vrojtonin koren e Tokës, duke ndjekur po ato metoda, me të cilat të tjerët vrojtonin qiellin. Kështu ata filluan të kuptonin shkaqet natyrore dhe pasojat e tyre, si dhe të merrnin me mend përgjigjet e atyre pyetjeve që i mundonin prej shekujsh. Ata vunë re që sipërfaqja e gjerë e Tokës ishte e mbuluar me shkëmbinj, që njëherë e një kohë kanë qenë, pa dyshim, të shkrira dhe rridhnin si ujë. Mbase pjesa më e madhe e sipërfaqes së planetit tonë mund të jetë formuar nga kjo masë e zjarrtë. Disa vrojtues të vëmendshëm vunë re që akulli i copëtonte shkëmbinjtë, që koha vepronte mbi sipërfaqen e tyre dhe që uji gërryente shtretërit e përrenjve gjatë shpateve të kodrave ose përmes fushave; mos vallë të gjitha luginat ishin formuar në këtë mënyrë për shkak të gërryerjes nga ujërat? Aty-këtu mbi litosferë ka shtresa shkëmbinjsh që ngjasin pak a shumë me argjilën ose me rërën e forcuar mbi fundin e pellgjeve të thara. Ka të ngjarë që këto shtresa shkëmbore të jenë formuar me të vërtetë nga ngurtësimi i një sasie të madhe copërash shkëmbinjsh dhe mbeturinash të tjera që janë mbartur gjatë shekujve nga lumenjtë, liqenet dhe detet.
Në shkëmbinjtë e vargmaleve të larta, të Himalajave, Alpeve etj. dergjen fosile peshqish, algesh dhe organizmash të tjera që, me siguri, në një periudhë të caktuar, kanë jetuar në det. Mos vallë lëvizjet e kores së Tokës kanë shkaktuar ngritjen e fundeve të thella të deteve, duke krijuar me to vargmalet? Në rast se fosilet janë mbeturina të qenieve të gjalla, a nuk do të ishte e mundur që, duke studiuar fosilet, të ndërtohej historia e plotë e jetës në të kaluarën, nga algat e deteve të para deri te njeriu i ditëve tona?