Shtresat ujëmbajtëse

Merrni një gotë dhe mbusheni përgjysmë me rërë. Tani hidhni në te disa lugë ujë. Uji do të zhytet deri në fund, duke mbushur të gjitha hapësirat midis kokrrizave të rërës; në këtë mënyrë formohet ajo që e quajmë shtregë ujëmbajtëse. Rëra në gotë është si korja tokësore: në rast se gërmoni në një thellësi të mjaftueshme, do të gjeni ujë. Në gotën me rërë, niveli i ujit është krejtësisht i rrafshët, horizontal dhe i palëvizshëm. Por nën tokë nuk është kështu. Shtresat e shkëmbinjve zakonisht kanë të futura e të dala dhe janë të pjerrëta. Për këtë arsye edhe uji nëntokësor, që mblidhet ose që rrjedh përmbi këto shtresa, ka një sipërfaqe të parregullt. Profili i tij varet nga natyra e formacioneve shkëmbore që janë përmbi tokë dhe nën tokë.

Të gjitha lëvizjet e ujërave nëntokësore përcaktohen nga natyra e shtresave shkëmbore. Argjilat janë shumë të ngjeshura dhe pa të çara midis kokrrizave, prandaj uji i përshkon ato me shumë vështirësi. Shkëmbinjtë ranorë zakonisht kanë më shumë hapësirë midis kokrrizave. Në shtresat e shkëmbinjve gëlqerorë shpesh ka kanale që janë hapur nga vetë ujërat. Shkëmbinjtë e fortë, si graniti dhe bazalti, janë të ngjeshur dhe pak porozë. Por edhe ata mund të pësojnë çarje dhe të lejojnë kalimin e ujërave me lehtësi. Kur dëgjojmë të bëhet fjalë për rezervuarët nëntokësorë, do të ishte gabim të përfytyronim disa shpella apo tunele të mbushura me ujë. Zgavra të këtij lloji mund të ekzistojnë vetëm afër sipërfaqes së Tokës, ku shtypja e shkëmbinjve mbi to nuk është aq e madhe. Puset që përmbajnë disa qindra metra kub ujë, e kanë grumbulluar tërë këtë sasi nëpërmjet një rrjeti kanalesh të ngushta. Në thellësitë mbi nëntëdhjetë, njëqind metra, shtypja është shumë e lartë, prandaj aty nuk mund të ekzistojnë zgavra të mëdha, qoftë edhe në trajtën e kanaleve të ngushta. Sidoqoftë, një sasi shumë e vogël uji mund të depërtojë nga sipërfaqja e Tokës në thellësi prej disa kilometrash.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]