Të mbartur nga era

Era i mbart kokrrizat e rërës nga një vend në tjetrin. Nga viti në vit erërat e shkretëtirës formojnë dhe zhvendosin dunat e rërës. Shtrëngatat që ndodhin nëpër male i largojnë copërat e shkëmbinjve nga majat dhe nga faqet e tyre dhe i përhapin ato poshtë, në lugina. Gurët mund t’i mbartë vetëm një erë shumë e fortë, ndërsa grimcat e pluhurit, që mbarten nga erërat e zakonshme, mund të formojnë depozitime shumë të mëdha. Në disa vende fryjnë erëra të vazhdueshme që krijojnë oqeane ajri të mbushura me pluhur të dendur, me përmasa prej disa kilometrash. Fuqia zhvendosëse e erës është nganjëherë aq e madhe, saqë i merr dhe i çon materialet mjaft larg. Është i njohur rasti i hirave vullkanike të Vezuvit që ranë në Stamboll, si dhe i rërës së vullkanit islandez Ekla, që arriti deri në Stokholm.

Shumë vjet më parë, bujqit e disa vendeve të Amerikës së Veriut qenë dëshmitarë të një fatkeqësie të shkaktuar nga lëvizjet e erës. Në periudhat e thatësirës erërat, që e largonin pluhurin nga fushat, shkëputnin nga toka mijëra tonelata dheu të mirë. Në mars të vitit 1936, qielli i Nju Jorkut u errësua krejt nga pluhuri i dheut të sjellë nga era. Ky vinte nga e ashtuquajtura «Kupa e Pluhurit» e shteteve qendrore-jugore, më se 2000 kilometra larg. Në pak vjet niveli i dheut në disa zona të «Kupës së Pluhurit» u ul rreth një metër. Në disa zona të tjera të shkretëtirës së Libisë, për shkak të erës pati një ulje që arriti deri në 140 metra nën nivelin e detit Mesdhe.

Nëpërmjet rërës dhe pluhurit që mbart, era kryen një veprim gërryes mekanik. Ky veprim arrin efektin më të madh në zonat e thata dhe në shkretëtirat. Pastaj, atje ku era e ushtron këtë veprim mbi shkëmbinj të formuar prej materialesh të buta dhe jo fort të lidhura, sajohen gërryerje ose vrima, që me kalimin e kohës zgjerohen dhe shndërrohen në gropa dhe shpella.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]