Tavolina, monumente dhe karkanxholle

Tavolina, monumente dhe karkanxholle

Në këto zona gërryerja u ka dhënë shkëmbinjve forma mjaft të çuditshme: forma tavolinash, urash natyrore, kështjellash, monumentesh e karkanxhollesh, në varësi të qëndresës që i ka paraqitur shkëmbi i gërryerjes. Sa herë që sipërfaqja e një zone i nënshtrohet ndonjë shndërrimi, shkëmbinjtë që janë më të thërrmueshëm, shkatërrohen më parë se të tjerët. Formacionet e shkëmbinjve të ngjeshur, që janë zhveshur, lëmohen nga rëra që merr me vete era. Me «tavolinë» kemi parasysh një bllok shtresash shkëmbore të ndryshme, ku shtresa më e fortë është sipër të tjerave. Shiu dhe rëra e transportuar nga era. si edhe akulli, veprojnë në mënyrë të vazhdueshme mbi buzët e shtresave më pak të forta. Në këtë mënyrë, shtresa e sipërme e fortë fillon e gërryhet dalëngadalë, forca e rëndesës fillon t’i rrafshojë qoshet e saj dhe dalëngadalë «tavolina» zvogëlohet. Kështjellat shkëmbore dhe format e tjera të çuditshme, për të cilat kemi folur, janë krijuar si pasojë e veprimit të po këtyre ligjeve dhe shkaqeve. Një kapelë shkëmbore e fortë i mbron shtresat e thërrmueshme që ndodhen nën të dhe që kanë fortësi të ndryshme. Kështu, me kalimin e shekujve, mund të formohen trajta dhe profile nga më të çuditshmet. Mbi sipërfaqet e sheshta të shkëmbinjve gëlqerorë uji i rrëmbyeshëm rrjedh duke formuar prroska dhe vepron si tretës i karbonatit të kalciumit. Në këtë mënyrë krijohet një numër hullish që thellohen me kalimin e kohës dhe që të krijojnë përshtypjen se shkëmbi po pëson çarje të thella në të gjitha drejtimet («fusha me hulli»). Këto sipërfaqe të gërryera janë mjaft të zakonshme në rrafshnaltat e Karsos, në pllajat prej dolomiti dhe në rrafshnaltat gëlqerore të Alpeve të Austrisë.

Çdo grimcë e shkëmbit i nënshtrohet forcës tërheqëse të rëndesës. Kur ndonjë mi i vogël që vrapon me rrëmbim përplaset me një grumbull të vogël gurësh, këta rrokullisen dhe ndalojnë më poshtë. Pastaj një rrebesh shiu i merr ata dhe i çon poshtë në luginë. Ndonjë nga këta zhvendoset një centimetër, ndonjë tjetër dhjetë metra. Një ortek i vogël bore bën që ata të rrëshqasin edhe më poshtë. Forca e erës, si dhe veprimi i akujve, ndryshimet e temperaturës që shkaktojnë bymimin ose tkurrjen e shkëmbinjve — të gjitha bashkohen dhe e shpejtojnë vrapin e materialeve shkëmbore malore drejt ultësirës. Forca e rëndesës synon t’i zbresë dhe t’i çojë në të njëjtin nivel të gjitha elementet e tokës. Gjatë miliarda vjetëve ajo nuk harron për as një çast të vetëm qoftë edhe një kokrrizë guri.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]