Thellësi të panjohura

Matja e trashësisë së kores tokësore ose litosferës është bërë objekt diskutimesh të vazhdueshme ndërmjet shkencëtarëve. Litosfera është shpesh vetëm tri deri dhjetë kilometra e trashë nën fundin e oqeanit, por ajo arrin deri në rreth gjashtëdhjetë kilometra poshtë majave më të larta të maleve. Miniera më e thellë — miniera e arit në Afrikën e Jugut — nuk i arrin dy kilometra e gjysmë. Po kështu, puset më të mëdha të naftës arrijnë deri në rreth gjashtë kilometra e gjysmë. Qendra e Tokës është rreth 6.000 kilometra më thellë. Sa më poshtë të jenë shkëmbinjtë, aq më e madhe është pesha që rëndon mbi ta. Në thellësinë pesëmbëdhjetë kilometra presioni është rreth 12 000 tonë për metër katror, që i korrespondon afërsisht një shtypjeje prej 16 tonë për centimetër katror.

Poshtë litosferës, që quhet gjithashtu Sial, meqë shkëmbinjtë që e formojnë atë përbëhen kryesisht nga silici dhe alumini, gjendet një lëvozhgë shkëmbinjsh shumë të fortë me trashësi rreth 2900 kilometra, që quhet pirosfera ose Sima. Në këtë zonë, ku mbizotërojnë silici dhe magnezi, nxehtësia dhe presioni janë jashtëzakonisht të mëdha; në të vërtetë, fjala «pirosferë», që vjen nga greqishtja, do të thotë «sferë e zjarrtë»; mbase lava që ushqen vullkanet, del pikërisht nga ky material i shkrirë. Temperatura këtu mund të jetë rreth 2700 gradë dhe presioni më shumë se një milion herë më i madh se ai i atmosferës sonë në nivelin e detit. Me fjalë të tjera, presioni është i barabartë me 40 000 tonë për cm2. Shkëmbinjtë e pirosferës janë të fortë, siç do të ishte çdo material nën një peshë kaq të madhe. Megjithatë, edhe pse presioni këtu është kaq i stërmadh, kjo, sipas gjykimit të sizmologëve, është zona nga e cila zënë fill pjesa më e madhe e tërmeteve. Nën shtytjen e një force të caktuar, që i prish ekuilibrin, shkëmbi shformohet, fryhet, përkulet dhe çahet.

Nën pirosferë gjendet një zonë e quajtur bërthamë ose barisferë (domethënë «rruzulli i rëndë»), ose Nife. Kjo duhet të jetë e përbërë nga zona e bërthamës së jashtme prej nikeli dhe hekuri, të lëngëzuar nga nxehtësia tepër e madhe, ndërsa në pjesën e brendshme të bërthamës këto dy metale të forta formojnë një lëmsh me diametër 2500 kilometra. Bërthama e jashtme ka një trashësi prej 2000 kilometrash; mbi lëmshin qendror prej hekuri dhe nikeli duhet të ushtrohen presione të tilla që e detyrojnë atë të mblidhet dhe të zërë shumë më pak vend sesa do të zinte po të ishte e lirë. Presioni që ushtrohet mbi të, duhet të jetë nja katër milionë herë më i madh se presioni atmosferik i matur në nivelin e detit.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]