Viti 79 i erës sonë
Shpërthimi i Vezuvit në vitin 78 të erës sonë qe, për fat të keq, mjaft i ndryshëm. Vezuvi ndodhet në juglindje të gjirit të kaltër të Napolit. Është një mal i famshëm, i lashtë. Dy mijë vjet më parë, e mbase edhe më parë, bujqit kishin kultivuar vreshta dhe ullishta në tokën e zezë e pjellore rreth e rrotull malit dhe në faqet e tij. Deri në majën e tij harliseshin bimët, madje edhe në gropën e gjerë të rrumbullakët që gjendej në majën e tij rriteshin hardhi dhe lule. Rreth vitit 25 të erës sonë, një udhëtar dhe gjeograf grek, Straboni, shkoi për ta parë këtë vend. Ndërsa i ngjitej malit, ai vuri re zona me lëndë të ngjashme me skorie dhe shkëmbinj të përcëlluar. Pasi mori disa shënime, dijetari vazhdoi udhën. Askush nuk mund të thotë nëse ua tregoi vrojtimet e tij njerëzve të vendit. Në vitin 63 të erës sonë kjo zonë u përshkua nga një valë tërmetesh. Shumë qytete pësuan dëme të mëdha. Më shumë u godit Pompei, rrëzë malit. Ky qytet prej 20.000 banorësh ishte vend verimi për romakët e pasur që shkonin të pushonin në vila buzë detit Tiren. Tempulli i Isidit dhe shumë ndërtesa të tjera publike u shkatërruan nga tërmeti.
Por atje ku toka është pjellore dhe jetesa e lehtë, popullsia vazhdon të qëndrojë dhe nuk largohet kollaj. Me gjithë tërmetet e herëpashershme gjashtëmbëdhjetë vjet. me radhë njerëzit qëndruan rreth e rrotull malit. E kush mund të mendonte se këto skorie, në të cilat mbretëronte qetësia, ishin njëfarë paralajmërimi? Në gusht të vitit 79 të erës sonë lëkundjet e tërmetit u shtuan dhe më 24 gusht mali i lashtë i heshtur foli.
Pllaja jugore zona e hardhive dhe e luleve u zhduk. Hirat dhe avujt shpërthyen në formën e një reje të madh e te zezë që errësoi qiellin për kilometra të tërë. Poshtë, në qytet, kalonin shkulme gazi helmues dhe binin reshje hiri, uji të valuar dhe lluce. Njerëzit e tmerruar, që nxitonin të iknin, vdisnin rrugës me qindra, të mbytur nga këto gaze. Shumë u varrosën brenda në shtëpitë e tyre nga shiu i tmerrshëm i copërave që grumbulloheshin duke formuar pirgje pesë-gjashtë metra të larta. Qyteti i Herkulianit, afër Pompeit, nuk pati fat më të mirë. Avulli i resë vullkanike u kondensua në një shi të furishëm, që rridhte poshtë shpateve, duke u përzier me mijëra tonelata pluhuri e duke formuar një llucë që ngjiste në rrugë. Përmbytja e llucës së valuar nuk pushoi derisa pullazet e shtëpive u mbuluan me një shtresë lluce pesë-gjashtë metra të trashë. Mali u qetësua dhe reja e helmuar u shpërnda, por rrëzë malit mbeti një det lluce dhe lave që nxirrte tym, me njëfarë mbulese të errët, prej nga ngrihej tymi vullkanik shtëllunga-shtëllunga në qiell. Vetëm në Pompei u varrosën jo më pak se dy mijë njerëz