Vullkanet me mburojë

Magma që prodhon vetëm rrjedhje lave, krijon vullkane të tipit «me mburojë». Një shembull i përkryer i këtyre vullkaneve është Mauna Loa, në ishujt Havai. Të gjithë këta ishuj kanë lindur përmes zjarrit. Në epokat shumë të hershme në fundin e oqeanit ndodhën plasaritje të mëdha dhe nga këto plasaritje rrodhën bazaltet e zjarrta. Uji i oqeanit valonte dhe avullonte. Shtresë pas shtrese lava u grumbullua në fund të oqeanit, duke formuar vargmale të nënujshme. Maja më e lartë doli mbi ujë dhe u bë ishull. Mauna Loa u formua atje ku bashkoheshin një numër plasaritjesh dhe për t’u formuar iu deshën mbase një milion vjet, periudhë shumë më e gjatë se ajo që nevojitet zakonisht: Në të vërtetë lava shumë e rrjedhshme u përhap para se të ftohej dhe të ndalej. Ja përse mali nuk paraqet shkallë të pjerrëta, por ka pamjen e një pirgu shumë të gjerë e të ulët, si të një mburoje.

Krateri i vullkanit ngrihet rreth 4. 000 metra mbi nivelin e detit; është tre kilometra i gjatë dhe dy i gjerë dhe, . meqë deti në këtë zonë është rreth 6. 000 metra i thellë, mali ngrihet rreth 10 kilometra mbi fundin e oqeanit. Në vitin 1935, një rrjedhje shumë e shpejtë lave kërcënoi zonat në afërsi të qytetit Hilo. Avionët që erdhën në ndihmë, hodhën bomba mbi rrjedhën për t’i ndryshuar drejtimin. Në oqeanin Atlantik ishujt vullkanikë janë Islanda, Azoret, Kanaret, ishujt e Kepit të Gjelbër dhe ishulli Shën Elenë; në oqeanin Paqësor, përveç ishujve Havai, Hibrideve të Reja dhe ishujve Fixhi, janë edhe ishujt e Tongës; në detin Mesdhe ishujt Fiegre, Ponxi, Lipare dhe, në arkipelagun grek, ishulli i Santorinos.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]