ÇAÇI SKËNDER


ÇAÇI SKËNDER
✤ (1916-1943). Militant komunist, veprimtar i shquar i Luftës ANÇ, Hero i Popullit. Lindi në Podë të Leskovikut. Luftëtar i orëve të para kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, u internua në kampin fashist të Ventotenes për dy vjet e gjysmë. Me t’u kthyer në atdhe, vazhdoi veprimtarinë revolucionare dhe u burgos përsëri. Anëtar i PKSH me themelimin e saj.

Mori pjesë në aksione të guximshme të njësiteve guerile në Tiranë (1942); komisar politik i çetës së parë të Skraparit (1942) dhe më pas komisar politik i batalionit partizan të Gorë-Oparit (1943), u shqua si luftëtar trim, organizator e drejtues i aftë i punës së Partisë në zonat e Leskovikut e Oparit. Ra heroikisht në luftë kundër pushtuesve gjerrnanë në Gur të Kamjes të Mokrës më 16.10.1943. Emrin e S.Ç. e mbajnë rrugë, shkolla etj. Busti i tij është vendosur në qytetin e Leskovikut. (F.La.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çaçi Skënder


[cite]