ÇAJUPI
✤ Majë në malin e Lunxhërisë (shih), në rrethin e Gjirokastrës, me lartësi 1536 m. Është ndërtuar nga shkëmbinj gëlqerorë me dukuri të shumta karstike. Fusha karstike e Ç. ka formë të rrumbullakët, e rrethuar nga të gjitha anët me maja dhe dalin burime të shumta ujërash karstike. Klima e pastër dhe e shëndetshme dhe ujërat e shumta e bëjnë Ç. një qendër të rëndësishme klimaterike. Ç. ka kullota të mëdha e të pasura verore. Në Ç. gjendet qafa me të njëjtin emër (1310 m), e cila lidh zonën e Lunxhërisë me atë të Zagorisë. Emri i Ç. është shumë i njohur, e ka përdorur si pseudonim poeti Andon Zako Çajupi, e mbajnë sot shumë institucione arsimore, kulturore e sociale, ka hyrë edhe në krijimtarinë popullore.

(F.Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çajupi


[cite]