ÇANO GALEACO


ÇANO GALEACO
✤ (Galeazzo Ciano, 1903-1944). Personalitet politik i shtetit fashist italian, ministër i Jashtëm i Italisë (1936-43). Ishte dhëndër i Benito Musolinit. Punoi aktivisht për krijimin e «Paktit antikomintern» (aleancë e shteteve fashiste: Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë kundër Bashkimit Sovjetik dhe Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare) dhe për përpunimin e zbatimin e planeve për pushtimin e Abisinisë, Shqipërisë, Greqisë etj. Mjaft aktiv u tregua në përgatitjen e agresionit fashist kundër Shqipërisë, projektin fillestar të të cilit e hartoi vetë. Në prill të vitit 1939 erdhi në vend për të realizuar aneksimin e plotë të Shqipërisë në perandorinë koloniale italiane. Pas dështimeve të mëdha të fashizmit G.Ç. u përfshi në opozitën kundër Musolinit, bashkëpunoi me agjenturën anglo-amerikane dhe ndihmoi në rrëzimin e Musolinit në verë 1943. Pas rikthimit të këtij në fuqi me ndihmën e hitlerianëve u pushkatua nga fashistët. G.Ç. ka lënë një ditar politik ku midis të tjerave përshkruan përgatitjet e agresionit kundër Shqipërisë dhe përpjekjet për kolonizimin fashist të vendit, pa mundur të fshehë qëndresën e popullit shqiptar. (V.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Çano Galeaco


[cite]