EKONOMIA SOCIALISTE
✤ Përfaqëson tërësinë e kushteve materiale e shoqërore në të cilat zhvillohet veprimtaria krijuese e punonjësve që merren me prodhimin, shpërndarjen dhe këmbimin e të mirave materiale si dhe me shërbimet jetësore që i kryhen popullsisë. E.S. është një ekonomi e shumanshme e përbërë nga një sistem degësh, nëndegësh e sektorësh. Në këtë sistem përfshihen: industria, bujqësia e pyjet, ndërtimi, transporti, tregtia, shërbimet jetësore (komunale). Secila nga këto degë të mëdha të E.S. ka nëndegët ose sektorët e vet, që sigurojnë zhvillimin e saj kompleks, përpjesëtimor e të harmonizuar me njëra-tjetrën.
E.S. mbështetet në radhë të parë në industrinë e në bujqësinë. Vetëm një ekonomi e mbështetur në të dyja këto degë është në gjendje të përballojë detyrat e mëdha të ndërtimit të socializmit. Në RPSSH gjatë ndërtimit të socializmit janë krijuar ato degë, nëndegë e sektorë të E.S. që janë të domosdoshme për të përvetësuar e përpunuar pasuritë natyrore të vendit, me qëllim që të sigurohet në përgjithësi plotësimi i nevojave më të rëndësishme e më të mëdha të ekonomisë e të popullit, që të krijohet një ekonomi kombëtare e qëndrueshme, e aftë të zhvillohet me ritme të shpejta, në mënyrë të pavarur e me forcat e veta, që të përballojë me sukses presionin e rrethimit e të bllokadës imperialisto-revizioniste dhe të rritë fuqinë mbrojtëse të atdheut. Industria shqiptare është një industri e re, që është krijuar tërësisht në vitet e pushtetit popullor. Në strukturën e saj vendin kryesor e zënë nëndegët e industrisë së rëndë, nxjerrëse e përpunuese. Krahas me industrinë e rëndë, janë krijuar e zhvilluar një varg degësh të industrisë së lehtë e ushqimore. Një peshë të rëndësishme në E.S. të vendjt tonë zë bujqësia. Ajo është bërë një bujqësi shumëdegëshe e intensifikuar e moderne.
Në ndërtim janë krijuar e zhvillojnë veprimtari ndërmarrje të specializuara për ndërtimin e veprave industriale, të veprave të bonifikimit, kullimit e ujitjes, të rrugëve, të hekurudhave, të veprave social-kulturore, të shtëpive të banimit etj.
Është krijuar e zhvillohet një sistem i vetëm transporti, që përfshin transportin automobilistik, hekurudhor e detar (brenda vendit dhe jashtë tij). Në tregti janë krijuar e zhvillojnë veprimtari sektorë të specializuar për tregtinë e sendeve ushqimore, të artikujve industrialë e të ushqimit social, të cilët janë të përhapur në të gjithë vendin, në qytet e në fshat. Edhe në fushën e shërbimeve komunale ekzistojnë një varg sektorësh të ndryshëm që plotësojnë nevojat e popullsisë së qytetit e të fshatit për shërbime jetësore.
(H.M.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ekonomia Socialiste