ESNAFET
✤ (Korporatat). Shoqata zejtare-tregtare të periudhës së feudalizmit, që lindën edhe në qytetet shqiptare si rrjedhim i rritjes së forcave prodhuese dhe i zhvillimit të prodhimit të thjeshtë të mallrave. Kishin për detyrë të organizonin e kontrollonin prodhimin, caktonin në bazë të rregulloreve të ngurta numrin e zejtarëve që lejoheshin të punonin dhe çmimin e prodhimeve.

Gjurmët e para të këtyre korporatave i gjejmë qysh nga fundi i shek.XIII në Durrës dhe në shek.XIV-XV në Shkodër, Prizren, Drisht, Krujë etj. Pas pushtimit osman, organizata të tilla (me emrin arab esnaf ose edhe rufet), në formë embrionale ngrihen së pari në Elbasan nga fundi i shek.XVI e më vonë kudo në qendrat kryesore të vendit. Lulëzimin e tyre E. e patën në shek.e në gjysmën I të shek.XIX. E. luajtën në përgjithësi rol me rëndësi jo vetëm në jetën ekonomike-shoqërore të vendit, por me repartet e tyre të armatosura edhe si faktor politik-ushtarak, si mbështetje në fillim të pushtetit sulltanor, e mandej në shek.XVIII të pashallëkëve vendas në konflikt me të (shih Bushatllinjtë). Si pjesë e shoqërisë feudale, E. e humbën funksionin e tyre politik me rënien e kësaj. Në mesin e shek. E. me rregulloret e tyre të ngurta u bënë pengesë për zhvillimin e lirë të prodhimit dhe u abroguan. Mbijetuan si mbeturina vetëm në disa qendra deri në dhjetëvjetorin II të shek.XX. Brenda E. kishte diferencime ekonomike, që nga çiraku e kallfa (shih) të shfrytëzuar e deri te mjeshtri (shih) shfrytëzues. Struktura organizative dhe funksionet e E. janë pasqyruar në’ dokumentacionin e tyre (shih: Kodikët e Esnafeve, Statutet e Esnafëve).

(Z.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Esnafet


[cite]